E Shtunë, 31 Tetor 2026

Askush si Messi

Trajneri i Barcelonës, Pep Guardiola thotë se kurrë nuk ka parë, e as nuk beson se ka ekzistuar ndonjëherë ndonjë futbollist si Lionel Messi. Strategu i gjigantit katalan konfirmoi rëndësinë e madhe të sulmuesit argjentinas për ekipin e tij dhe pranon se fitimi i titujve të shumtë në vitet e fundit do të ishte i pamundur pa Messin.

Trajneri i Barcelonës, Pep Guardiola ka pranuar se mahnitet nga shkalla e jashtëzakonshme në të cilën Lionel Messi arrin të paraqitet javë pas jave. Messi është shfaqur në formë të shkëlqyeshme për shënimin e golave këtë sezon, edhe pse për një rast ishte në qendër të vëmendjes për një arsye të pazakontë për të.

Ai humbi një penallti në minutat shtesë, derisa Barcelona u ndal në barazim pa gola kundër Sevillës, javën e kaluar. Megjithatë, Guardiola, edhe pse është mësuar të shohë magjitë e argjentinasit në fushë, vazhdon të mahnitet.

“Nuk mendoj se ndonjëherë në histori ka ekzistuar një futbollist i cili ka bërë atë që bën Messi çdo tri ditë. Është e pabesueshme. Njerëzit blejnë biletat për ta parë atë duke luajtur dhe ai bënë gjëra të veçanta. Ai ka ruajtur vazhdimësinë për tashmë katër vite me radhë. Kush qëndron aq mirë fizikisht, kush lufton aq shumë sa ai. Kurrë nuk e kam parë dikë si ai, me një vazhdimësi të këtillë”, tha Guardiola për uebfaqen zyrtare të Barcelonës.

“Ndoshta ende jam i ri, por edhe gjatë karrierës si futbollist kurrë nuk kam parë dikë si Messi, ndërsa edhe si trajner kurrë nuk kam punuar me një futbollist si ai. Ai është më i mirë se kushdo tjetër, është jashtëzakonisht i shkathtë”, shtoi ai.

Guardiola tha se Messi është i vetëdijshëm për vlerësimin e lartë që i bëhet në Nou Camp. “Messi e di shumë mirë se çka mendojmë të gjithë ne, i gjithë stafi teknik, njerëzit që përkujdesen për të, dhe futbollistët e tjerë. Ne të gjithë jemi të lumtur me atë që arrin të bëjë ai, që ka bërë e që do të bëjë edhe në të ardhmen. Dhe, sigurisht se asgjë që kemi arritur deri më tani nuk do të kishte qenë e mundur të arrihet pa të”, theksoi spanjolli.

“Ai është futbollist i tjetër lloji, statistikat e tij e bëjnë të dallohet dhe ju mundësojnë të fitoni ndeshje në të gjitha shkallët. Asnjëherë nuk ekziston një ndeshje në të cilën ai nuk e udhëheq lojën. Është i pamposhtshëm ashtu siç e shohim ne. Nëse ekziston një debat, atëherë le të jetë ashtu, por nuk e dobëson dhe nuk do ta dobësojë atë”, përfundoi Guardiola.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›