Fitore për primat

Xhiroja e dymbëdhjetë e Superligës së Kosovës në futboll do t’i vërë përballë dy rivalët e vjetër, Prishtinën e Vëllaznimin, të cilët sivjet objektiv e kanë titullin e kampionit.
Rëndësia e pikëve të këtij takimi është e madhe, pasi ato do ta përcaktojnë liderin e renditjes tabelore. Aktualisht, Prishtina mban pozitën e dytë me 23 pikë, vetëm një më shumë sesa Vëllaznimi. Mirëpo, bardhekaltrit janë të bindur se do ta ruajnë pozitën e liderit edhe pas sfidës me Vëllaznimin.
“Objektivi ynë i vetëm ndaj Vëllaznimit, është fitorja. Duam ta ruajmë pozitën e parë dhe këtë mund ta bëjmë me fitore. Jemi mirë të përgatitur dhe besoj se do t’ia arrijmë qëllimit”, tha njëri prej futbollistëve kyçë të Prishtinës, Qëndrim Sejdiu.
Mirëpo, kryeqytetasit do ta kenë shumë vështirë, pasi edhe gjakovarët do të tentojnë ta marrin primatin në elitën e futbollit kosovar. “Sikur nuk do të besonim në fitore, ne nuk do të udhëtonim fare drejt Prishtinës. Nuk do ta kemi të lehtë, por fitorja është qëllimi ynë. Njëherësh, me lojë të bukur do të mundohemi t’i kënaqim tifozët tanë, të cilët kanë paralajmëruar se në numër të madh do të udhëtojnë bashkë me ne për të na përkrahur”, u shpreh futbollisti i kuqezinjve, Robert Gjeraj.
Ky takim pritet të mbledhë numër të madh të shikuesve në stadiumin e kryeqytetit. Përveç tifozëve prishtinas ‘Plisat’, për krijimin e atmosferës do të përkujdesen edhe ‘Kuqezinjtë e Jakovës’, të cilët kanë paralajmëruar se në numër shumë të madh do të zbarkojnë në Prishtinë.
Po të dielën, do të zhvillohen edhe tri takime të tjera të kësaj jave. Gjilani e pret Lepencin, sikurse Trepça ’89 që do të jetë nikoqir i Drenicës. Interesant do të jetë edhe sfida mes rivalëve të vjetër, Besës e Trepçës.
Superliga - xhiroja e 12-të
E diel
Gjilani – Lepenci
Besa – Trepça
Trepça ’89 – Drenica
Prishtina – Vëllaznimi
Të gjitha ndeshjet fillojnë në ora 13:00