E Shtunë, 31 Tetor 2026

Askush si Spanja

Spanja triumfoi në Euro 2012 dhe hyri në histori si skuadra e parë që rrëmbeu tre tituj të njëpasnjëshëm në gara ndërkombëtare. Çdo fjalë është e tepërt, skuadra e Vicente del Bosques vazhdon të jetë shembull për mënyrën e saj të lojës. Ekipi ka shkruar emrin me germa të arta në historinë e futbollit.

Ata e rishkruan historinë dhe u bënë legjenda. Mediet spanjolle nuk lanë anash asnjë lëvdatë për ekipin e Spanjës, që mposhti Italinë 4:0 në finalen e Euro 2012.

“Faleminderit, faleminderit, faleminderit!”, shkruante në ballinën e gazës më të shitur sportive në Spanjë, Marca, mbi një fotografi të skuadrës fituese të udhëhequr nga kapiteni Iker Casillas me trofeun në ajër.

Mediet shpërthyen nga festa pasi Spanja hyri në histori si skuadra e parë që fitoi tri gara të njëpasnjëshme ndërkombëtare, pas triumfeve të mëparshme në Euro 2008 dhe Kampionatin Botëror 2010.

“Ekipi spanjoll shënoi me lehtësi kundër Italisë në finalen e Evropianit dhe la në këmbë kontinentin e futbollit duke kompletuar tre tituj historikë”, shtoi Marca.

El Mundo Deportivo e përshkroi skuadrën si “Kampionë të legjendës” dhe shtoi se fitorja ishte “Kryevepër e Spanjës”. “Futbolli si krenari për njerëzit në kohë të vështirë. Futbolli si metaforë e guximit dhe angazhimit kolektiv që shënon histori dhe i bën ëndrrat realitet”, shtoi ajo.

“Një grup sportistësh të pashoq, të lindur me gjene të fituesit dhe të udhëhequr nga një trajner i madh treguan në Kiev se Spanja mund të jetë shembull”. El Pais tha se fitorja do të hyjë në histori. “Spanja ka shkruar emrin e saj me germa të arta në historinë e futbollit”, shkruante në ballinën e gazetës.

Casillas, 100 fitore

Edhe pse triumfi është ekipor, portieri i Spanjës, Iker Casillas bëri një arritje të jashtëzakonshme personale në fitoren 4-0 kundër Italisë në finalen e Euro 2012 të dielën. 31 vjeçari u bë futbollisti i parë që arriti 100 fitore me ekipin e tij kombëtar.

Në vend se të ndajë një puthje me të dashurën e tij gazetare siç bëri pas triumfit të Spanjës në Kampionatin Botëror 2010 në Afrikën e Jugut, Casillas festoi duke e puthur atë në faqe para se të kthehej në fushën e Stadiumit Olimpik të Kievit për të festuar me bashkëlojtarët e tij.

“Këto vite kanë qenë më të mirat në jetën time. Tani dua të kënaqem me këtë moment që do të zgjasë një jetë”, tha Casillas i cili ka bërë 137 paraqitje për Spanjën.

Ndeshja më e shikuar në histori

Fitorja e Spanjës ndaj Italisë ishte ndeshja më e shikuar në histori të një gare sportive. Mediet spanjolle kanë njoftuar se fitorja 4-0 ndaj Azzurrëve në finalen e Euro 2012 ka zgjuar numër më të madh teleshikuesish se kurrë më parë. Kur ora po shënonte 22:32, 17 milionë e 889 mijë teleshikues ishin duke përcjellë triumfin e ekipit të Vicente del Bosque.

Spanja nuk ka pranuar gol në 990 minuta

Kampioni aktual i botës dhe i Evropës, Spanja ka kaluar 990 minuta ose më mirë të themi 16 orë pa pranuar gol në fazën eliminatore të tri garave të fundit ndërkombëtare. Seria zgjat dhjetë ndeshje, kurse filloi në çerekfinale të Evropianit 2008 kundër Italisë.

Vazhdoi kundër Rusisë dhe Gjermanisë e më pas u përcoll te Botërori në Afrikën e Jugut 2010 përballë Portugalisë, Paraguait, Gjermanisë dhe Holandës. Edhe në Euro 2012 ishte njësoj ndaj Francës, Portugalisë dhe në fund Italisë.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›