E Shtunë, 31 Tetor 2026

Super Torres

Edhe pse luajti për vetëm 189 minuta, sulmuesi i Spanjës, Fernando Torres shënoi tri gola dhe fitoi çmimin e golashënuesit më të mirë në Euro 2012. Për më tepër, ylli i Chelseas bëri edhe një asistim në fitoren 4-0 në finale kundër Italisë. 28 vjeçari u bë futbollisti i parë që shënoi gola në dy finale të garës kontinentale.

Sulmuesi spanjoll, Fernando Torres ka fituar Këpucën e Artë të Euro 2012. 28 vjeçari shënoi tri gola gjatë garës kontinentale, të tretin në fitoren 4-0 ndaj Italisë në finale të dielën.

Shënimet e tjera të Torresit erdhën në fitoren 4-0 në fazën e grupeve kundër Republikës së Irlandës. Gjashtë sulmues kishin realizuar nga tri gola në Euro 2012, por ylli i Chelseas e mori çmimin pasi bëri një asistim dhe golat e tij erdhën pas vetëm 189 minutave lojë.

Asistimi vendimtar që ia siguroi Torresit çmimin erdhi në minutën e 88-të kundër Italisë, kur ai shërbeu për golin e zëvendësuesit Juan Mata.

Futbollistët e tjerë që përfunduan garën me tri gola ishin: Mario Balotelli (Itali), Alan Dzagoev (Rusi), Mario Gomez (Gjermani), Mario Mandzukic (Kroaci) dhe Cristiano Ronaldo (Portugali). Me golin që shënoi kundër Italisë, Torres u bë futbollisti i parë që shënoi në dy finale të kampionateve evropiane.

Përfundimi i sezonit i ndihmoi të kalojë një vit të vështirë. Sulmuesi i Chelseas vuajti në edicionin e kaluar në Premierligë, ku nuk arriti të shënojë gol mes tetorit dhe marsit, derisa përfundoi sezonin me vetëm tetë gola në 32 paraqitje për gjigantin londinez.

Megjithatë, ai luajti rol të rëndësishëm duke i ndihmuar ekipit të fitojë Ligën e Kampionëve, duke shënuar në gjysmëfinale kundër Barcelonës.

Kurse të dielën e mbylli edicionin me titullin kontinental, i cili e bëri Spanjën skuadrën e parë në histori që fitoi tre tituj të njëpasnjëshëm ndërkombëtarë pas triumfeve të mëparshme në Euro 2008 dhe Kampionatin Botëror 2010. Torres ishte anëtar i secilës prej atyre skuadrave.

Golashënuesit më të mirë:

Fernando Torres (Spanjë) – Tri gola, një asistim në 189 minuta

Mario Gomez (Gjermani) – Tri gola, një asistim në 281 minuta

Alan Dzagoev (Rusi) – Tri gola në 254 minuta

Mario Mandzukic (Kroaci) - Tri gola në 269 minuta

Mario Balotelli (Itali) - Tri gola në 422 minuta

Cristiano Ronaldo (Portugali) – Tri gola në 480 minuta

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›