Lavezzi: Më bindi projekti i PSG-së

Tashmë është zyrtare: sulmuesi argjentinas Ezequiel Lavezzi ka nënshkruar kontratë për katër vjet me Paris Saint-Germain.
Tashmë ish futbollisti i Napolit, i ka kryer me sukses vizitat mjekësore, para se ta zyrtarizonte transferimin në klubin francez, i cili pagoi 30 milionë euro për të, duke përfshirë edhe premitë. Sulmuesit argjentinas do t’i takojë numri 11.
“Më ka bindur projekti dhe rëndësia e PSG-së. Jam i lumtur që jam këtu”, deklaroi ai.
“Ndoshta Barcelona është klubi më i rëndësishëm që ekziston në futboll, por PSG është mjaft i fortë. Më ka pëlqyer fakti se ky ekip ka insistuar shumë për mua. Dëshiroj të fitoj shumë trofe me këtë skuadër”, vazhdoi futbollisti argjentinas, i cili e pranoi se kishte oferta nga klubet angleze.
Ai në fund ka thënë se do ta mbajë gjithmonë në zemër Napolin, ku kaloi momentet më të mira të karrierës.