Asllani në formë

Kosovare Asllani shfaqi lojë të mirë, atëherë kur iu dha rasti në Olimpiadën e Londrës. Futbollistja kosovare, e cila po e përfaqëson Suedinë në ‘Londra 2012’, luajti rreth 30 minuta ndaj Japonisë, në barazimin pa gola, ndërsa mediat suedeze paraqitjen e saj e vlerësuan si brilante.
Madje, uebfaqja suedeze expressen.se ka shkruar se 23-vjeçarja e meriton të luajë në formacionin bazë të suedezeve, që nga ndeshja e radhës. “Jam në formë të mirë, pasi jam përgatitur për një kohë të gjatë dhe luajta më shumë. Po përpiqem ta bëj hapin e radhës dhe ta ndihmoj ekipin”, thotë Asllani, e cila vitin e kaluar ishte lënë jashtë skuadrës kombëtare, në Botërorin e mbajtur në Gjermani.
Gjithnjë sipas expressen.se, Suedia nuk mund ta lërë në bankinë një lojtare si Asllani, nëse dëshiron të shkojë larg në këtë turne. “Kosovare Asllani është në formë aq të mirë, sa që në realitet mund të jetë diferenca nëse Suedia do të marrë apo jo medalje në Olimpiadë. Mendoni mirë për Asllanin”, shkruan kjo uebfaqe.