E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Asnjë armë kontrabandë në 2009-n”

04/03/2011  Ish-ministri i Mbrojtjes, Oketa, mohon trafikun e paligjshëm gjatë kohës kur ka qenë ministër

Debate mazhorancë-opozitë për marrëveshjen me NATO për demontimin e municioneve

Ish-ministri i Mbrojtjes, Gazmend Oketa, mohon në mënyrë kategorike kontrabandën e armëve me vende si Jemeni, Libia dhe Irani gjatë kohës që ai ka qenë në krye të Ministrisë së Mbrojtjes, në vitin 2009. Gjatë një prononcimi për mediat, ai ka hedhur poshtë çdo pretendim të opozitës për trafik të paligjshëm armësh, duke nënvizuar se në raportin e OKB-së për vitin e fundit të tij në detyrë flitet për tregti legjitime armësh. “Diskutohet në mënyrë thellësisht politike dhe abuzohet me fakte, të cilat shtrembërohen. Është për të ardhur keq që ngatërrohet tregtia e ligjshme dhe përdoret termi ‘kontrabandë’. Kur flasim për tregti të ligjshme, qoftë dhe të armatimeve, është një tregti e ligjshme. Absolutisht nuk flitet për kontrabandë. Në rast se opozita ka të dhëna për kontrabandë, këto të dhëna duhen servirur në vend tjetër dhe jo të abuzohet me çështje të tilla në sy të opinionit publik, duke përdorur qoftë edhe sensibilitetin publik për shkak të zhvillimeve që ka në vende si Jemeni apo Irani”, theksoi Oketa. Ai ka qenë ministër i Mbrojtjes i Shqipërisë për gati mbi një vit. Reagimi i ish-ministrit të Mbrojtjes erdhi pas akuzave që opozita parlamentare ngriti në adresë të qeverisë dhe mazhorancës aktuale për trafikim armësh gjatë seancës së djeshme parlamentare. Diskutimet për këtë çështje, shoqëruar me akuza, i nisën deputetët e opozitës, gjatë diskutimit të projektligjit të parashikuar në rendin e ditës “Për ratifikimin e marrëveshjes ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Agjencisë së NATO-s për mirëmbajtjen dhe furnizimin (NAMSA) për demontimin e municioneve”. Kjo marrëveshje u cilësua e nevojshme nga deputeti i PS-së Erion Braçe, por, siç tha ai, kjo marrëveshje nuk zgjidh transaksionet që shtetas serbë, malazezë e boshnjakë kryejnë ilegalisht në Shqipëri. Madje ai deklaroi se posedon dokumente që dëshmojnë transaksionet, pretendime këto të kundërshtuara nga përfaqësuesit e qeverisë shqiptare. Ministri i Mbrojtjes, Arben Imami, ka kundërshtuar deklaratat e tij, duke nënvizuar se marrëveshja është një zgjidhje për armët e vjetruara në vend. Ai deklaroi se tregtia e armëve është e ligjshme dhe kërkoi nga kolegët deputetë që të diskutojnë për të ardhmen dhe jo për të shkuarën.Ministri Imami tha se pala shqiptare përfiton nga marrëveshja në fjalë për demontimin e mjaft municioneve të mbetura. Deri në vitin 2009, kompania shtetërore “MEICO” ishte e vetmja e licencuar për import-eksportin e armëve. Por me një ligj të posaçëm, ky treg u liberalizua duke licencuar dhe tetë kompani të tjera, asnjëra në varësi të Ministrisë së Mbrojtjes, si “MEICO”.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›