E Diel, 1 Nëntor 2026

SHBA: Shqipëria luftë drogës, ka policë të korruptuar

04/03/2011  Raporti i Departamentit amerikan të Shtetit analizon situatën e trafikut të drogës

Problem trafiku në porte dhe mbjellja e hashashit për t’u dërguar në Evropë

Departamenti amerikan i Shtetit në raportin vjetor për luftën kundër trafikut ndërkombëtar të drogës thotë se Shqipëria ka bërë përparim në luftën kundër drogës gjatë vitit 2010, ndonëse mbetet ende problematike situata. “Qeveria e Shqipërisë u përpoq gjatë vitit të kaluar të konfrontonte elementët kriminalë në luftën kundër këtij problemi. Me gjithë përparimin, problemi i narkotikëve vazhdon të jetë një sfidë e mprehtë dhe prezente në Shqipëri, një vend që kryesisht shërben për transitin e drogës nga Azia për në tregun evropiano-perëndimor”, thuhet në raport. Në analizë veçohen si probleme kryesore kontrolli i dobët në portet detare në Adriatik, të metat në kontrollin e kufirit tokësor, masat e autoriteteve kundër drogës kryesisht si rezultat i mungesës së fondeve dhe menaxhimi i dobët, por edhe si rezultat i korrupsionit që ekziston në radhët e punonjësve të rendit. Raporti i Departamentit të Shtetit thekson se kontrabanda e drogës mbetet një ndër aktivitetet më fitimprurëse në Shqipëri. Vendndodhja strategjike e Shqipërisë dhe problemet në kontrollin dhe parandalimin e problemit e bëjnë këtë një vend tërheqës në transitin e drogës drejt Evropës. Shqipëria, thuhet në raport, shërben si një vend transit i heroinës afgane dhe si vend burim i marijuanës kryesisht drejt Italisë dhe Greqisë. Raporti vlerëson përpjekjet e vitit të kaluar për t’iu përgjigjur problemit me politika më agresive. Si rezultat i këtyre politikave, një pjesë e mirë e kontrabandës që bëhej përmes Adriatikut ka kaluar tani në rrugë tokësore përmes Kosovës dhe Malit të Zi e më tej përtej Serbisë. Një problem i ri që konstaton raporti është se trafikantët shqiptarë duket se po marrin një rol gjithnjë e më të madh në financimin dhe shpërndarjen e heroinës jashtë Shqipërisë, veçanërisht në Ballkanin Verior dhe Evropën Perëndimore. Përveç transitit, Shqipëria ka vazhduar të shërbejë edhe vitin e kaluar si prodhuese e bimës kanabis, kryesisht në zonat e largëta malore për tregjet evropiane.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›