E Diel, 1 Nëntor 2026

Nis punën KZAZ në Tiranë, nesër rrethet

04/03/2011  PD dhe LSI zëvendësojnë anëtarët në Lezhë, Fier dhe kryeqytet

Që sot komisionerët e pavarur do të pajisen me materialet zgjedhore

Komisioni Zonal i Administrimit të Zgjedhjeve në Tiranë do të fillojë sot punën, ndërsa nesër pritet të plotësohen dhe KZAZ-të nëpër qarqet e tjera të vendit. Pavarësisht nga mungesa e komisionerëve që duhej të propozoheshin nga opozita parlamentare, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, në mbledhjen e tij të zhvilluar dje, njoftoi se tashmë është plotësuar kuorumi i nevojshëm me përfaqësues nga shoqëria civile. KQZ-ja në mbledhjen e radhës njoftoi fillimin nga puna të komisionit që do të drejtojë përgatitjet dhe procesin zgjedhor në Tiranë, njësia ku edhe pritet përballja më e fortë politike në zgjedhjet për pushtetin vendor, që do të zhvillohen më 8 maj. Komisionet e nivelit të dytë janë plotësuar tashmë me katër anëtarë nga KQZ, pas vendimit për të plotësuar shumicën në këto KZAZ me komisionerë jopolitikë. Në mbledhjen e së martës, kryetari i KQZ-së, Arben Ristani, deklaroi se “thirrjes së KQZ-së i janë përgjigjur 127 kandidatë të pavarur dhe apolitikë”. KQZ-ja përzgjodhi nga 127 të interesuarit e papolitizuar 33 juristë si sekretarë dhe 33 qytetarë të tjerë me arsim të lartë si anëtarë të katërt të kësaj strukture, një numër ky i mjaftueshëm për të nisur nga puna.” Paraditen e sotme, KQZ-ja do t’i pajisë komisionerët apolitikë me bazën materiale dhe deri më 8 mars, komisioni i nivelit të dytë duhet të ngrejë grupet e regjistrimit të kandidatëve të pavarur. Është caktuar që komisionet zonale zgjedhore duhet të mblidhen pikërisht më 8 mars. Nga ana tjetër, kryetari i KQZ-së deklaroi se “kandidatët e pavarur kanë afat deri më 8 mars për të dorëzuar dokumentacionin e nevojshëm”, ndërsa bëri thirrje “për të filluar urgjentisht puna në KZAZ”.

Zëvendësimi i anëtarëve

KQZ-ja gjithashtu në mbledhjen e djeshme miratoi edhe zëvendësimin e tre anëtarëve të KZAZ-ve pas tërheqjes së tyre për arsye personale. Kreu i KQZ-së, Arben Ristani, theksoi se komisionit i janë paraqitur dy kërkesa nga dy partitë e mazhorancës qeverisëse, PD dhe LSI, për zëvendësimin e anëtarëve të tyre në KZAZ. Konkretisht LSI-ja ka kërkuar zëvendësimin e përfaqësuesit të saj në Fier, Flamur Malko, i cili do të zëvendësohet nga Jonuz Londo. Gjithashtu, LSI-ja ka kërkuar zëvendësimin e anëtares së saj Rovena Xexa në Tiranë. Ndërsa Partia Demokratike ka kërkuar zëvendësimin e anëtares së saj në Qarkun e Lezhës, Shaqe Marinaj. “Kanë ardhur dy kërkesa nga dy partitë e mazhorancës, PD dhe LSI, të cilat për arsye personale, anëtarët e këtyre forcave kanë kërkuar zëvendësimin e tyre në KZAZ-të e Fierit (numër 23), Tiranës (numër 59), dhe Lezhës (KZAZ-ja me numër 37)”, deklaroi kryekomisioneri në KQZ-së, Arben Ristani.

Detyrimi

Neni 29, pika 8, e Kodit Zgjedhor përcakton: “Në rastet kur vendi i anëtarit apo sekretarit të KZAZ-së mbetet vakant dhe partitë që kanë të drejtë të paraqesin propozime nuk dërgojnë propozimet në KQZ, atëherë kjo e drejtë u kalon partive politike të të njëjtit grupim që vijnë pas tyre në Kuvend për nga numri i vendeve të fituara në zgjedhjet pararendëse. Në rastin konkret PS dhe PBDNJ janë të vetmet parti të opozitës parlamentare.”

Fletët e votimit

Fleta e verdhë do të jetë në format A4 dhe do të jetë për kandidatët për kryebashkiakë. Ndërsa fleta me ngjyrë jeshile do ketë formatin A3 dhe do të jetë për këshilltarët e bashkisë, në të cilën nuk do të shënohet koalicioni por vetëm partitë. Ndërsa dy fletët e tjera, konkretisht fletët me ngjyrë rozë dhe gri, do të përdoren vetën në KZAZ-të e Qarkut të Tiranës, ku do të votohet dhe për minibashkitë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›