Kthehet në polici dosja e plagosjes me acid
TIRANE-Prokuroria e Tiranës ka kthyer në polici për rihetim ngjarjen e disa ditëve më parë, ku një 25-vjeçare mbeti e plagosur me acid në fytyrë. Fillimisht plagosja e Dhurata Tërshanës, e cila aktualisht ndodhet për mjekim të specializuar në Itali, u dyshua se ishte kryer nga ish-bashkëshorti i saj, Elton Aliu. Ai u arrestua vetëm dy orë pas ngjarjes, që ndodhi më 30 korrik në kryeqytet. Por dy ditë pas arrestimit ai u la sërish i lirë nga gjykata. Gjykata e Tiranës vendosi masën e sigurisë "detyrim paraqitjeje", në policinë gjyqësore dy herë në muaj për 26-vjeçarin Elton Alia, vetëm për akuzën e "mbajtjes pa leje të armëve të ftohta". Ndërkohë, për plagosjen me acid të Dhurata Tërshanës gjykata deklaroi se nuk kishte asnjë provë që ta fajësonte të riun. Arrestimi i Aliut me origjinë nga Burreli, u bë pas denoncimit se i kishte hedhur acid në fytyrë ish-bashkëshortes Dhurata Tërshana dhe shoqes së saj Sabrina Karaj në shenjë hakmarrje për divorcin. Por pas hetimeve paraprake prokuroria e kryeqytetit nuk arriti të gjente prova për implikimin e tij në këtë ngjarje të rëndë, duke i komunikuar vetëm akuzën e mbajtjes pa leje të armëve të ftohta për shkak të dy thikave, që iu gjetën në banesë pas kontrollit policor. Ndërkohë, ish-bashkëshortja e tij është dërguar në një spital italian për shkak të gjendjes së rëndë shëndetësore. et.de.