U kap me heroinë, mbetet në qeli
TIRANE - Gjykata për Krimet e Rënda vendosi dje masën e sigurisë në të cilën do të qëndrojë deri në përfundim të hetimeve, Kristaq Musha, i dyshuar si trafikanti i 4.6 kilogramëve heroinë. Pasi ka dëgjuar pretendimet e përfaqësuesit të akuzës dhe ato të avokatit mbrojtës, gjykata ka vendosur lënien e tij në masën e sigurisë "arrest me burg". Mësohet se vetë i pandehuri nuk ka folur gjatë seancës. Kristaq Musha, 42 vjeç u arrestua pak orë pas mesnatës së të martës në pikëkalimin kufitar të Kakavijës. Gjatë kontrollit policor në automjetin e tij u gjetën 9 pako me lëndë narkotike të llojit heroinë. Sasia narkotike ishte fshehur nën kofanon e automjetit "Wolswagen" me targa ATE 7507, poshtë fshirëses së xhamave. Sipas policisë, Musha ishte duke tentuar të trafikonte drogën në vendin fqinj. a.b.