Asnjë i marrë s’duhet lejuar të luajë me jetë njerëzish, qoftë edhe për pak kohë
A ekziston “popull opozitar” në Shqipëri? Sigurisht që po, ashtu si në çdo vend të botës, në çfarëdolloj sistemi qeverisës. Por, a e përfaqëson “popullin opozitar” tek ne një grusht aventurierësh politikë në krye të dhjetë-pesëmbëdhjetë mijë njerëzve që mblidhen pa ditur pse? Protesta e djeshme, aq shumë e fryrë si tullumbace gati në të shpërthyer, do të ishte përgjigjja më e gjetur.
E kam thënë me rastin e protestës së PS-së nëntorin e kaluar, e shoh me vend ta përsëris sot. Edhe sikur dyqind mijë pula të kishin qenë ata që protestuan dje në Bulevardin Dëshmorët e Kombit, do të kishin hipur mbi njëri-tjetrin e do të çukitnin shoku-shokun me sqep. Nuk është mendja ime që ma thotë. E dinë mirë ish-kryetarët e kooperativave bujqësore, e dinë veterinerët, zooteknikët, agronomët, brigadierët e shpendëve të asaj kohe. Kur ndërtohej atëherë një stallë pulash, sipërfaqja llogaritej me katër deri pesë shpendë për metër katror. Le ta bëjë vetë llogarinë avokat Ngjela se sa përkrahës të tij, të Ramës, të Ndokës, të Gjinushit, të Milos e kompani mund të mblidhen në një copë bulevard 200m x 30m (jo pula, të kuptohemi!). Nga na e nxori pra zoti avokat atë numër me gjashtë shifra?
Megjithatë, nuk është ky thelbi i protestës së mbrëmshme. Problemi është te tollovia që po bëjnë miqtë e rinj politikë të Spartak Ngjelës. Ngjela e di fare mirë se s’është vështirë të gjenden njëqind, a dyqind, a disa qindra militantë socialistë në çdo rreth të Shqipërisë të udhëtojnë me autobusë komodë për të ngrënë qofte, për të bërë gallatë e për të protestuar në Tiranë kundër Sali Berishës. Nuk është fjala këtu për punonjës fatkeqë të administratës bashkiake të rretheve ku kanë fituar socialistët. Ata do të “protestojnë” se s’bën, sepse ua do nevoja për të mbijetuar. E megjithatë, pyetja e parë që do t’i shkonte në mendje njeriut sa të dëgjonte atë shifër, do të ishte: Ku u parkuan gjithë ata autobusë që prunë dyqind mijë shqiptarë në Tiranë, ata autobusë që mbartën Tropojën, Kukësin, Fierin, Elbasanin, Beratin e ku di unë se çfarë tjetër renditi Gramoz Ruçi në fjalën e tij të hapjes? Nuk i pamë as te ish-fusha e aviacionit, as në Rrugën e Elbasanit e askund gjetkë. Nuk pamë as ndonjë bllokim rrugësh që, ta do mendja, do të ishte i pashmangshëm në një dyndje të atillë rrethesh, siç përrallisi i fundit ministër i brendshëm komunist e siç llogariti “qesim” aleati i tij i ri, Spartak Ngjela.
Që nuk ishin dyqind mijë protestues, që nuk ishte as një grusht Shqipërie në atë copë bulevard, këtë e di, si i thonë, edhe bufi. Pamë dhjetëra banderola tendosur anëpëranë Bulevardit Dëshmorët e Kombit, përmes të cilave tentohej të krijohej përshtypja se paskëshin udhëtuar prej rretheve të ndryshme, ndonëse ishin shkruar me të njëjtin stil, ishin lyer me të njëjtat bojëra e ishin konceptuar me të njëjtë mendësi fyerjeje. Pamë ca njerëz me ca flamuj të kuq e ca pankarta plot fyerje të pështira në duar, që zbrisnin tëhu Kryeministrisë e që ulërinin për kuti, përzier me emrin e Kryeministrit të Shqipërisë. Më pas, pamë ca njerëz politikisht të çngjyrosur që dilnin njëri pas tjetrit në një foltore e ulërinin si të çakërdisur, pa u kuptuar fare çka thoshin. Përveç emrit të Kryeministrit që e përmendi dhjetëra herë, a mori vesh njeri çka tha Erion Braçe me atë zë të hollë deledasheje, zhytur nën mikrofon thua se ishte shtypur nga një presë e fuqishme? Ishin, më në fund, edhe ata që tundnin flamurët përpara foltores e bërtisnin sa kishin në kokë, që t’u mbanin iso oratorëve.
Nga një këndvështrim, jo nga ato çka u thanë e çka u pretenduan, kjo ishte në kuintesencë protesta e djeshme.
Po cilët ishin oratorët që përfaqësokëshin “popullin opozitar”? Me përjashtim, ndoshta, të Gramoz Ruçit e të ndonjë Valentine, të tjerët ishin, më së shumti, ca ikanakë të përhershëm që nuk gjejnë rehat në asnjë parti politike, po s’patën një portofol ministror. Nard Ndoka, kryetari pa parti, i cili bërtiste se s’donte pushtet, por që u armiqësua me ata që i dhanë pushtet, pasi ra nga pushteti. Paskal Milo, profesori që u nda me Gjinushin në luftë për pushtet brendapërbrenda partisë të cilën e krijuan së bashku. Skënder Gjinushi, i tjetërsuar nga komunist në socialdemokrat, që të mos i ndahej karriges ministrore. Spartak Ngjela, metamorfozën politike të të cilit do ta kishte zili çdo larvë bretkose, nëse do t’i tekej një ditë të shndërrohej në krokodil (nga mbretëror, në politikan që s’e zë gjumi për liri e drejtësi, nuk është pak, ë?).
Asnjëri syresh nuk ulërinte për pushtet, meazallah! çdonjërit i qante zemra për “krizën”, për heqjen sa më parë të vizave, për Europën, për faturat e dritave e të ujit, siç i tregonte një mjeran në ekranin e televizorit. Të ta thoshte mendja se nuk i zinte gjumi i natës për hallemëdhenjtë.
Gjykuar politikisht prej publikut vëzhgues, më i pështiri ndër ata që u përvëluan për demokraci, ishte shkrimtari Preç Zogaj. Ish-deputet e ministër demokrat; më pas ish-zjarrmëtar i “revolucionit të vonuar” të 1997-s, ish-këshilltar i Presidentit socialist Rexhep Meidani; akoma më pas ish-sërish-deputet demokrat e kryetar i një komisioni parlamentar, mbrëmë, domethënë pas e më pas, i mbetur jashtë parlamentit, gati sa nuk e shqeu fytin për të vjellë vrerin e tij të zi, sepse ia paskëshin punuar pa të drejtë. Nuk jam i prirë t’u besoj thashethemeve për ca gjynahe që thonë se i takojnë shkrimtarit gjatë kohës së diktaturës, gjithsesi, nisur nga gjithë këto pirueta të tij politike, njeriu s’ka se si të mos besojë që individë të këtij kallëpi të mos jenë të telekomanduar nga kushedi se kush. Mbështetja as më ke, as të kam e një proteste që shkon kundër rrymës euroatlantike (pavarësisht se çka u përrallis mbrëmë), do të thotë të dëgjosh në veshë tambure antishqiptare. Mjerë politika jonë që nuk po gjen dot forca t’i tregojë çdo njeriu mbi dyzetvjeçar personalitetin e tij të vërtetë nën diktaturën komuniste! Sepse, sa i besueshëm do të jetë nesër Preç Zogaj, edhe në u ribëftë, ta zëmë, ministër? Sa të besueshme do të jenë ato çka ka shkruar në kolanën e vet të librave “Nga hiri” ose “Paradhoma e një Presidenti”? A mund t’i besojë kush konsideratat e Zogajt për grevën e urisë së të ndjerit Pjetër Arbnori, kur mbrëmë mbështeste të kundërtën e asaj për të cilën vendosi të sakrifikohej ish-Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë?
Tashmë, protesta e shumëpritur prej të gjithëve u bë dhe, siç u pa, rezultoi në hiç. Mendja e sëmurë e kryetarit socialist e kapërceu kufirin e parashikimeve, futi në grevë urie kaq e aq deputetë, kaq e aq përkrahës të partisë. Greva e urisë, dihet, është e drejtë e çdo njeriu. Mirëpo, a duhet lënë një i marrë të luajë me jetë njerëzish? është detyrë e anëtarësisë së përgjegjshme socialiste t’ia ndalë dorën Edi Ramës, që të mos shpërbëhet partia ku aderojnë, që të pos prishë imazhin e sotëm të Shqipërisë, në prag të heqjes së vizave, në prag të hapjes së negociatave për anëtarësim në Europën e Bashkuar. Shteti ndodhet përpara një situate tepër të brishtë që mund të precipitojë nga çasti, në çast, çka nuk varet aspak nga vullnete të koalicionit qeverisës. Në lidhje me grevën, ai nuk mund të bëjë më tepër sesa të ruajë rendin, që të mos ndodhin incidente, çka do ta ëndërronte si shpëtimtare mendja e sëmurë e një njeriu që digjet ta shohë vendin në flakë.