Strategjia staliniste e E.Ramës për të ngritur një kauzë të paqenë
Kur shkak-pasoja shndërrohet në të anasjelltën
“Historia përsëritet”, nuk është një paradigmë e pabazuar. Për ata që kanë ndonjë fije dyshimi, është bërë edhe një shtesë: Historia përsëritet, sido që në mënyrë spiraleje. Në rastin e asaj që po orvatemi të vërtetojmë, është qartësimi i tollovisë që po bën Edvini për të përligjur gjurullditë rrugore, të shtyra gjer në radikalizëm, pa asnjë motiv të qenësishëm. Kjo do të thotë se marrëdhëniet shkak-pasojë u dashkan çoroditur duke paraqitur abuzivisht shkakun si pasojë dhe pasojën si shkak. Këtë gjë e ka bërë Stalini, për të përligjur Terrorin e Madh, që duhej të përfshinte edhe Gjeorgjinë. Vazhdimësia e Terrorit ishte paksa e vonuar për Stalininin, meqë tashmë i përkiste fillimit të viteve 50, në vigjilje të vdekjes së tij (mars, 1953).
Tani jemi në kohën kur Byroja Politike ishte e rrezikuar që të përfshihej nga spastrimi, që kishte pasur një ndërprerje për shkak të Luftës II Botërore. Anëtarët e B. Politike e ndjenin këtë kërcënim. Kjo ua shtonte solidaritetin ndaj njeri-tjetrit. Me fushatën e fundit kundër sionizmit, Stalini në vilat e tij në rrethinat e Moskës, me emrin Zabulovo dhe Kuznecovo, në darkat që shtronte atje, i vinte të pinin sa të deheshin byroistët e ftuar, gjersa ata, ashtu të trallisur, jo rrallë ç’u mbante barku, ua nxirrte bardhaku! Stalini i shënonte imtësisht këto llafe të pamatura, që t’i kishte si argument për terrorin e fundit, që ishte duke përgatitur kundër Malenkovit, Molotovit, Voroshilovit, Kaganoviçit, Berias, Krushovit, Mikojanit, Andrejevit. Në Kongresin XIX (që i mbylli punimet më 14 tetor 1952) byroistët u bënë nga 11 në 25. Rishtarët në Byronë Politike ishin merre-merre, nga rrethet më të largëta, që të shuhej ndikimi i atyre që u përmendëm pak më sipër, e t’i kishte të lehtë për gëlltitje. Domethënë për t’i vënë para plotoneve të ekzekutimit. Polina, bashkëshortja e Molotovit, për shembull, ishte internuar në largësitë e Azisë qendrore, pavarësisht se Molotovi u ngarkua të mbante fjalimin kryesor në Konresin XIX , së bashku me Malenkovin dhe me Berian. Tani antisionizmi stalinian po krahasohej nga perëndimorët me racizmit hitlerian. Polina, bashkëshortja e Vjaçeslavit, u dënua si sioniste. E bija e Malenkovit ishte martuar me një çifut. Krushovi kishte një mbesë me nënën çifute. Nëna e Berias mund të ishte një çifute gjeorgjiane. Kaganopviçi ishte çifut. Kështu anëtarët e vjetër të Byrosë e kuptonin se ishin vënë në listën e vdekjes. Autorkanovi, me origjinë çeçene, ishte pjesëtar i elitës së privilegjuar. Ia kishte blerë mirë mendjen Stalinit dhe në vitin 1943 arratiset në Perëndim Atje mbron doktoranturën dhe jep mësim në universitetet. Në kujtimet e tij gjenerali Grigorenko e përcakton si “specialistin më të mirë të periudhës staliniane”. Sipas këtij autori, Stalini u helmua nga Beria, në bashkëveprim me anëtarët e tjerë të vjetër të Byrosë Politike. Përshkruhet hollësisht mënyra sesi u helmua Stalini. Kështu u shpall blof projekti i gjyqit kundër kamishave të bardha, si edhe fajësitë e sajuara kundër çifutëve. Byroistët e vjetër shpëtuan nga një rrezik i sigurt.
Enver Hoxha bëri atë që nuk ia arriti dot Stalini. Diktatori ynë e bëri me kohë zëvendësimin e anetarëve me peshë të Byrosë Politikë, me kooperativiste të dalluara, shoferë e karrocierë. Lenka - Pali – Muho.... ishin prototipat e atyre që s’i prishnin punë. Ata që mund të kërcënonin fronin e tij, u shpallën armiq dhe u ekzekutuan. Kështu te ne nuk u mundësua që të bëhej deenverizimi, siç u bë në B.S. destalinizimi. Qé një fatkeqësi që shkaktoi prapambetjen tonë, për shkak të nostalgjisë ndaj diktaturës që na u bë burri i nënës, me dëme të pallogaritshme edhe në ditët e sotme.
***
Stalini e kishte në gojë proverbin “nuk ka tym pa zjarr”. Por, sipas autorit Autorkanov, që u bë një autoritet i historisë kundërdiktatoriale në Perëndim, “Stalini vendosi të përhapë vetë një perde tymi artificiale, që të besohej qenia e zjarrit”. Kjo ka një aktualitet të mprehtë për ne, në ditët tona. Dhe kërkon domosdoshmërisht të zbërthehet. Sepse, me këtë metodë staliniane arrihet në qëllimin që justifikon mjetin, në librin “Princi” të Makiavelit. Ajo që përmendet si perdja artificiale e tymit në djallëzinë e Stalinit, merr rendin parësor. Pastaj vjen zjarri, si dytësor! Pra, inversohet marrëdhënia shkak-pasojë.
Në qoftë se shkaku është artificial, për një qëllim të caktuar egoist vetjak, atëherë pasojat mund të quhen lehtësisht të manipulueshme.
Edvin Rama është përpara një veprimtarie të tillë, - paçka se në dëm të interesave kombëtare të vendit, - pikërisht se shkaku që ai kërkon të marrë përmasat e një kauze, është krejtësisht fiktiv. Këtë fiktivitet e kanë vënë në pah, fillimisht, bash anëtarët e partisë së tij. Madje pikërisht ata, që mund të quhen si më elitarët në PS. Kjo bashkësi njerëzish në kupolën e PS-së, mori emërtesën LMN, domëthënë Lëvizja për Mendimin Ndryshe. Koha do të tregojë se neni 28 i Statusit të PS-së na qenkësh i pavlefshëm vetëm që EdRama të zinte vendin e kreut të Partisë. Përse Edi nuk kontestoi edhe zgjedhjet e 2005-s, që ishin fitimtare për PD-në dhe koalicionin e saj? Mos ishin më të mira se ato të 2009-s? Aspak. Qoftë edhe për monitorizimin elektronik të këtyre zgjedhjeve të fundit, qoftë për numrin e stërmadh të komisionerëve të PS-së (20.000 komisionerë), qoftë për raportin 4:3 të KQZ-së, (gjatë tetëvjeçarit kishin arritur në 5:2!) qoftë për listat zgjedhore , të pakrahasueshme me ato të Bashkim Finos, qoftë për kodin zgjedhor që u bë me firmën e Ramës. Ata që nuk vuajnë për mungesën e kujtesës, mund të kenë para sysh edhe bubullimat e aspirantit për kryetar të PS-së, me shprehjet: “E kishim me hak humbjen! Korrupsioni në kulm. Trafiqet bënin kërdinë. Gomonet për klandestinë, i çmendën brigjet i italiane dhe kufijtë tokësorë të përçimit të prostitutave e të drogës.... (e mallkime pa fund për tetëvjeçarin e diskredituar...). Pra, jo vetëm që nuk u kontestuan ato zgjedhjet paraardhëse ndaj atyre të 28 qershorit të vitit 2009 por, në njëfarë mënyre, u mbrojtën me zjarr! Ndërsa këto të fundit, që u quajtën më të mirat e të gjithë trnzicionit nga monitoruesit ndërkombëtarë, me miratime nga të gjithë komisionerët socialistë dhe me vendime përfundimtare në KQZ, në raportin 7:0, na dalin të pavlefshme për arsyetimin e Ramës. Shkaku është i qartë: Se ky aspirant për kryetar, kërkonte ofiqin e kreut në PS!
Par arritjen e këtij synimi mbetej vetëm që ai të ishte fitimtari i këtyre zgjedhjeve, jo humbësi! I nisur nga kjo premisë false, tani nuk përmendet më ai tetëvjeçari i mallkuar nga Rama. Dhe nuk paska pasur të korruptuar në atë tetëvjeçar! Madje do të mbrohej me zjarrllëk Theodhori Sollaku, që t’i mbante ende nën pluhurin e dosjeve të fjetura, hajdutllëqet e atyre të korruptuarve që “kryetari i ri” i kishte mallkuar pas zgjedhjeve të 2005-s!
Kjo praktikë e zjarrit që del nga tymi dhe jo tymit që del nga zjarri, praktikë staliniane, ka tulatur edhe LMN-në e cila e provoi qartësisht se ç’tiran është Edi Rama, që po na shitet si properëndimor, nëse perëndimorët do të flashken dhe do të pranojnë marrëzitë e “transparencave” të “Ramës”. Nëse LMN-ja do të ishte e vendosur, ajo do të mund të krijonte një parti më vete, me tipare vërtet perëndimore, sipas parimit “interesat e vendit mbi ato të partisë dhe jo anasjellas”. LSI-ja, duke qenë një parti e tillë dhe Integrimin e ka në emblemën e flamurit të saj të partisë, përbën një koalicion të natyrshëm me PD-në, fituese e zgjedhjeve dhe, në bashkëpunim me LSI-në për reforma të qenësishme, të cilat janë çmuar nga komuniteti europian dhe nga faktori euroatlantik. Ky progres nuk shihet dot nga nihilistët e Ramës të cilët bëjnë sikur nuk e dallojnë dot se ky individ ka interesin vetjak në rrafsh të parë. Po kërkon, madje, të pengojë edhe aspiratën e shqiptarëve për vizat Shengen. Tani na bën edhe greva urie, me parulla që djallëzitë e tij të jetësohen në mënyrë joinstitucionale, në shpërfillje jo vetëm të Gjykatës kushtetuese, por edhe të Komisionit të Venecies. Harroi që e vuri në grevë të gjithë kolektivin e artistëve, - kur ishte ministër i Arsimit dhe Kulturës, - dhe i nxori artistët nga greva, me dajak? Tani kërkon të përfitojë nga demokracia, duke harruar se edhe demokracia ka të drejtat e saj të ligjshme për t’u vetëmbrojtur nga anarkistët e llojit leninist, që synojnë ta zhvatin pushtetin me dhunë!