PS-ja, zjarrvënëse e interesave kombëtare
Ndërsa qindra efektivë të Forcave të Armatosura janë të angazhuar me mjete të shumta në emergjenca civile për shuarjen e zjarreve të kudondodhura, “shtabi i luftës” në partisë Socialiste godet poshtë brezit e pas shpine ministrinë e Mbrojtjes. Ka disa kohë që PS-ja është investuar në një betejë psiko-mediatike me një nga komponentët bazë të sigurisë Kombëtare. Grafiku i sulmeve i ditës së djeshme nxori në konferencë për shtyp deputetit socialist Taulant Balla. Meqenëse deputeti Balla është një njeri pa ndonjë frymëzim personal, u mjaftua të riciklonte akuzat e shpifjet e mëparshme të anëtarëve socialistë të komisionit të Sigurisë Kombëtare, Piro Lutaj dhe Ilir Gjoni. Sidozot akuzat e shpifjet e rëndomta të ricikluara për shtyp janë gjoja përgjime ambasadorësh e opozitarësh, si dhe trafik armësh të Ushtrisë. Padyshim konferencat politike të këtij lloji nuk janë të shoqëruar me prova, as me fakte apo dokumente, por bazohen kryesisht në hamendësime e perceptime të një politike që krijon mite të rreme. Synimi i opozitës dhe mediave pranë saj është rindërtimi i një klime së frike e tmerri me polici e ushtri sekrete që përgjon qytetarët e ambasadorët, duke risjell asosacione për kontekste që nuk puqen me njëri-tjetrin, u thua se kemi të bëjmë me rikthimin e sigurimit të Shtetit. Përdorimi i parimi leninist që, një gënjeshtër e përsëritur aq sa duhet, do të bëhet domosdo e vërtetë, është një praktikë pune e kësaj opozite, sidomos, në kushte të çorientimit të organizuar të strukturave partiake.
Megjithatë strategjia e PS-së është fare e qartë: qytetarët duhen bindur se kryeministrit Berisha po “kap” të gjitha institucionet me qëllim përdorimin personal dhe terrorizimin e opozitës dhe shoqërisë. Pika e parë e kësaj strategjie ishte demonizimi pa fre i Shërbimit Informativ të Ushtrisë si përgjues i opozitës. Pika e dytë e kësaj strategjie ishte rindërtimi i ububushëm i mitit të SHIK-ut të para 1997. Pika tre e vënë në zbatim ditën e djeshme doli të ishte minimi në opinion publik të institucionit të policisë ushtarake e për pasojë e gjithë Ushtrisë. Këto tre pika kryesore të deklaruara janë pjesë e fushatës së padeklaruar të instalimit të një klime frike dhe tmerri artificial, si dhe për të destrukturuar komponentët bazë të palës kundërshtare dhe jo në ofrimin e një alternative qeverisëse për të në pushtet.
Kuptohet vetiu, Shefi i opozitës nis me radhë fushata politike dhe mediatike kundër anëtarëve të kabinetit qeverisës dhe kreut të saj, kryeministrit Berisha. Ky diskurs mund të shpaloset në disa rrafshe: së pari Rama ka halë në sy ministrat e suksesshëm të qeverisë Berisha sepse kjo do të thotë përkthim të suksesin në një votë për koalicionin qeverisës dhe jo votë e munguar për alternativën e opozitës. Ndër ministrat e kabinetit Berisha, ministri i Mbrojtjes Imami është provuar si një bashkëpunëtor korrekt, me ide në reformimin e Forcave të Armatosura, sipas parimeve të mbrojtjes së zgjuar të konceptit strategjik të NATO-s. Strukturimi i FA-së dhe implementimi i plani të përhapjes të saj shkakton pakënaqësi ndër opozitarët e sotëm që kanë pasur gjithmonë idenë e një “furriku” ideologjik brenda ministrisë së Mbrojtjes dhe shtabit të Përgjithshëm si vijueshmëri e partishmërisë së dikurshme. Nëse në fillimet e demokracisë i ndjeri ish-ministër i Mbrojtjes Zhulali thoshte metaforën e goditur se ushtarakët janë konservatorë dhe se janë si shalqiri, pra jashtë jeshilë dhe brenda të kuq, është hera e parë në njëzet vjet pluralizëm që ideja e hapjes së ushtrisë ndaj komunitetit po pengohet prej gardianëve të kuq.
Së dyti: është e pakonceptueshme për Partinë Socialiste që meritat për mbarëvajtjen e operacioneve të emergjencave civile, në dimër me dëborë dhe përmbytje dhe verë me zjarre të papritura, të jenë të ministrisë së Mbrojtjes, ngase kjo do të ishte kapital politik i qeverisë Berisha. Në fakt, përballimi me sukses i emergjencave të ndryshme natyrore i dy ministrive të linjës të Mbrojtjes dhe asaj të Brendshme ka forcuar besimin në asetet e pakursyera, qoftë njerëzore apo/dhe materiale, të angazhuara për shpëtimin e jetëve. Por për opozitën, që fatkeqësitë i shikon me një sy përfitues, është e papranueshme marrja e meritave. Ndaj investohet me shtabin e saj informal të shpërndajë dyshime mbi punën dhe operacionet e forcave të armatosura a policisë së Shtetit të angazhuara në emergjenca civile. Së treti: në këto sulme ndaj shërbimin informativ ushtarak për “trafik armësh” dhe “përgjigje opozitarësh” ka diçka serioze që nuk shkon për anëtarët PS-së në Komisionin e Sigurisë kombëtare. Ajo që s’shkon ka të bëjë me akuzën e ndërtuar mbi një teori hamendësimesh të pa baza në prova. Nënkryetari i Komisionit të Sigurisë Kombëtare ka informacion të bollshëm për veprimtarinë e Forcave të armatosura sepse ka akses në të gjitha dokumentet e mundshme. Sigurisht, urdhri militar i lëshuar sipas strategjisë së Ramës për të de-legjitimuar është më i rëndësishme sesa siguria kombëtare. Së katërti: ky investim i PS-së ndaj një strukture të Sigurisë Kombëtare është një hakmarrje e ftohtë për “zbulimin” agjendës së grupit të dhunshëm për demonstratën e 21 janarit. Por Partia Socialiste duhet ta dijë se duke qenë një vend anëtar i NATO-s, e cila përcakton në nenin 4 se “cenimi i pavarësisë politike” dhe rendi kushtetues i një vend anëtar nuk mund të tolerohet kurrsesi. Së fundmi: lufta politike e opozitës dëften se nuk ka principe përderisa investohet të angazhojë deputetët e saj në punë të papërgjegjshme që dëmtojnë stabilitetin dhe strukturat e sigurisë për motive të dobëta politike.