E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Asnjë rrezik nga kaskada, përrallat e Edi Ramës, imagjinatë e sëmurë”

Kryeministri Sali Berisha nga mbledhja e qeverisë garanton kompensimin për çdo humbjeKryeministri Sali Berisha garanton qytetarët e Shkodrës që të shpërqendrojnë vëmendjen nga deklaratat paranojake të drejtuesve të opozitës, lidhur me rrezikshmërinë e digave në kaskadën e Drinit. Shefi i ekzekutivit u shpreh në prani të medias dhe anëtarëve të kabinetit se, digat janë mjaft të sigurta kështu që nuk mund të ketë asnjë shpërthim të tyre. Shefi i ekzekutivit, duke e cilësuar panikun e hapur për shpërthimin e digave si gojë të liga që bëhen për pasojë të qëllimeve të mbrapshta politike theksoi se, nuk do të ndodhë asgjë me digat e kaskadës së Drinit. “Sistemi i digave është në siguri të plotë dhe se shkarkimet e deritanishme nuk janë as gjysma e më kulmoreve të vitit 2004”, u shpreh kryeministri Berisha, duke krahasuar të dhënat aktuale me ato të 6 viteve më parë, ku shkarkimet kulmore të deritanishme nuk janë as gjysma e shkarkimeve më kulmoreve të vitit 2004. Berisha u shpreh se do të punohet ngushtësisht me ekspertët më të mirë vendas dhe të huaj për kapërcimin e menjëhershëm të situatës.  “Në 27.3.2004, - atyre që duan ta paraqesin këtë situatë si të paprecedent, nëse e bëjnë nga mungesa e memories, po ua rikujtoj, nëse e bëjmë për qëllime të mbrapshta politike, mjerë ata, - janë shkarkuar 4620 metër kub dhe as është përmbytur qyteti, as nuk ka lëvizur vendi. Ka pasur përmbytje të mëdha në zonë, por qyteti ka mbetur i paprekur. Baçallëku që është sot i përmbytur, në memorien e qytetarëve shkodranë, unë nuk them se nuk ka ndikuar lëshimi i ujërave, por edhe kur nuk kanë ekzistuar diga dhe hidrocentrale Baçallaku ka qenë një zonë që i është nënshtruar përmbytjeve periodike. Ndaj dua të siguroj qytetarët e Shkodrës që digat janë plotësisht të sigurta, se sistemi i zbrazjes së tyre është plotësisht i sigurt. Përrallat se hapen apo nuk hapen janë tërësisht imagjinatë e sëmurë. Para 3 orësh kam pasur në zyrë krye ekspertin e digave të Italisë, të cilit e thirri me urgjencë, nga SHBA-të ku ndodhej, Kryeministri i Italisë Silvio Berlusconi, që është marrë ‘non stop’ me informacionet që ekziston dhe absolutisht rikonfirmoi atë që ne u kemi konfirmuar qytetarëve shqiptarë, se kjo është një situatë plotësisht e menaxhuara. Natyrisht, largimi nga zona e përmbytjes është veprimi më i mençur, më i qytetëruar, më i përgjegjshëm dhe më i domosdoshëm. Këtu nuk mund të ketë dhe nuk duhet të ketë vend për asnjë lloj paniku. Ata që përhapin panik janë të sëmurë”, tha Berisha, duke shtuar se këta njerëz të pamoralshëm janë përpjekur të shqetësojnë banorët me argumente të pabaza dhe me gënjeshtra nga më të rëndomtat. Gjithashtu, kryeministri Berisha, ka përshëndetur evakuimin e banorëve të zonave të përmbytura dhe i ka bërë thirrje sërish banorëve të cilët refuzojnë të evakuohen që të largohen deri në normalizimin tërësore të situatës. Në vijim, kryeministri ftoi Komitetin Ndërministror të hapë një numër llogarie, në të cilën do të vendoset edhe një pagë e Kryeministrit si kontribut modest për këto zona. Berisha në analizën e bërë në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, u shpreh se situata është tërësisht e menaxhueshme dhe nuk ka vend për panik. Kryeministri garantoi qytetarët e Shkodrës se sistemi i digave të vendit është në sigurinë më të plotë dhe se sistemi i zbrazjes së tyre është plotësisht i sigurt. Duke risjellë në vëmendje përmbytjet më të fundit në këtë zonë, të vitit 2004, Kryeministri Berisha i kërkoi Komitetit Ndërministror të Emergjencës Civile që  krahas përqendrimit në evakuim, si përparësia më absolute, po kaq rëndësi t’i kushtojë post evakuimit. Kryeministri garantoi se “qytetarët e Dajçit, Obotit, Bushatit do të kompensohen qindarkë për qindarkë për çdo humbje dhe nuk do të kenë kurrë fatin e qytetarëve të Tiranës, që i lau dhe shpëlau diga dhe nuk u dha kush një qindarkë”. “Dua t’u deklaroj edhe njëherë, ndonëse ata më besojnë mua, qytetarëve të Dajçit, Obotit, Bushatit se do të kompensohen qindarkë për qindarkë për çdo humbje dhe nuk do të kenë kurrë fatin e qytetarëve të Tiranës, që i lau dhe shpëlau diga dhe nuk u dha kush një qindarkë. Kjo nuk mund të ndodhë. Qeveria ime ka mbështetur dhe do të mbështesë, e ka faktuar dhe do ta faktojë,  çdo qytetar që pëson nga faktorë madhorë, në raste të tjera dhe jo madhorë”, u shpreh kryeministri.Duke shprehur mirënjohjen ndaj qytetarëve, biznesmenëve, drejtuesve dhe qeveritarëve vendorë, të cilët kanë shprehur vullnetin e tyre për të kontribuar në mbështetje të banorëve të zonave të përmbytura, Kryeministri Berisha tha se ky solidaritet dhe kjo mbështetje është jashtëzakonisht e çmuar. Kryeministri ftoi Komitetin Ndërministror të hapë një numër llogarie, në të cilën do të vendoset edhe një pagë e Kryeministrit si kontribut modest për këto zona.  ...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›