“Situata drejt përmirësimit, por evakuimi mbetet i domosdoshëm”
Ministri i Brendshëm Lulzim Basha mbledh në Shkodër Komitetin e Emergjencave CivileMinistri i Brendshëm, Lulzim Basha vizitoi dje që në orët e para të mëngjesit zonat e përfshira nga përmbytjet në qarqet Shkodër e Lezhë. Në Shkodër, Basha mblodhi Komitetin e Emergjencave Civile, për situatën më të fundit të krijuar në zonat e përmbytura dhe mbledhjen e informacioneve nga Ministritë e linjës lidhur me vlerësimet e tyre në njësitë vendore ku është shpallur gjendja e jashtëzakonshme. Situata në njësitë vendore të Shkodrës, në të cilat është shpallur gjendja e emergjencës, sipas vlerësimeve të bëra nga Drejtoria e Bujqësisë dhe njësive vendore Shkodër, janë përmbytur rreth 4786 ha tokë. Janë në prezencën e ujit 870 shtëpi. Të evakuuar gjithsej janë 527 familje, ndërsa ende vazhdojnë evakuimet. Gjithashtu për të ndihmuar në situatën e krijuar, kanë ardhur edhe një grup specialistësh nga Kosova i përbërë prej 15 personash të cilët janë të pajisur me mjete speciale, varka gome etj, që do të vihen në dispozicion të zonave që janë të përmbytura. Në takimin e pasdites të Komisionit të Emergjencës Civile të Qarkut Shkodër, ku ishte i pranishëm, pas raportimit nga strukturat përkatëse mbi zbatimin e masave të përcaktuara në planin e veprimit, ministri Lulzim Basha përcaktoi edhe disa detyra të tjera në funksion të menaxhimit dhe kontrollit të plotë të situatës si, kufizimi i rrugëve me shirita tregues për zonat e përmbytura, vazhdimi i punimeve me mjete te rënda për forcimin e argjinaturave të Dajçit dhe çasit (Velipojë), kontrolli dhe monitorimi me praninë e ushtrisë, Policisë dhe të FNSH-së së zonave të përmbytura, u vendos që të krijohen hallkat e ndërlidhjes me përfaqësues nga të gjitha njësitë vendore të rrezikuara, të prefektit, të policisë dhe të ushtrisë, të cilët në bashkëveprim me njëri tjetrin do të organizojnë operacionet e evakuimit në të gjitha zonat problematike, u la detyrë që në zonat e rrezikuara të mos lejohet futja e personave që nuk kanë leje të posaçme nga strukturat ushtarake të cilat kontrollojnë këto zona. Ndërkohë Shtabi i Emergjencës në Drejtorinë e Policisë Shkodër, Lezhë kanë evakuuar një pjesë të mirë të popullatës. Të gjitha akset rrugore në të dy qarqet janë të kalueshme. Drejtoria e Policisë Shkodër monitoron në vazhdimësi situatën e krijuar. Strukturat e policisë janë në gjendje gatishmërie dhe vazhdojnë operacionet për evakuimin e komunitetit dhe dërgimin e ushqimeve dhe ndihmave të ndryshme për ato familje që nuk janë evakuuar ende. Ministri i Brendshëm dhe kryesuesi i Komitetit Ndërministror, Lulzim Basha, u shpreh se institucionet e linjës duhet të bëjnë mbarëvajtjen e punës për kapërcimin e situatës së jashtëzakonshme dhe njëherazi evakuimin e plotë të banorëve nga zonat e përmbytura....