E Diel, 1 Nëntor 2026

Asnjëherë të dielënNga “Wall Street Journal”Kur Michelle Obama deshi të bënte pazar me vajzat në Paris muajin e shkuar në një butik fëmijësh të modës, presidentit, Nicolas Sarkozy, iu desh të telefononte të hapej dyqani. Pse? Në Francë është e ndalua

Nëse dëshironi të lexoni edicionin online të gazetës në PDF klikoni këtu.

Asnjëherë të dielënNga “Wall Street Journal”

Kur Michelle Obama deshi të bënte pazar me vajzat në Paris muajin e shkuar në një butik fëmijësh të modës, presidentit, Nicolas Sarkozy, iu desh të telefononte të hapej dyqani. Pse? Në Francë është e ndaluar me ligj hapja e shumë dyqaneve të dielën. Sarkozy dëshiron të ndryshojë ligjin. Dhe ky është moment i përshtatshëm për ekonominë franceze.

Parlamenti pritet të miratojë sot një ligj që e anulon ligjin e vitit 1906 për kufizimin e punës ditën e diel. Qëllimi fillestar i ligjit ishte shenjtërimi i së dielës - kishat bosh të Francës tregojnë sa ka funksionuar ky ligj - dhe Kisha katolike është përkrahëse e tij e fortë. Por ai është kthyer në simbol i rregullimit të ekonomisë në vështirësi. Ligji përfshin rreth 180 përjashtime. Për shembull, një dyqan që shet syze dielli mund të hapet të dielën, sepse syzet e diellit konsiderohen argëtim, ndërsa një dyqan që shet syze optike duhet të mbyllet.

Për shumë francezë, puna dhe pazari të dielën do të përmirësonte cilësinë e jetës së tyre. Disa punëtorë, si për shembull studentët, pëlqejnë madje të punojnë në fundjavë. Hapja e dyqaneve të dielën është mirë edhe për tregun. Përkrahësit e ligjit thonë se kjo masë do të shpëtonte rreth 15 mijë vende pune.

Franca si Franca, ligji nuk do ta legalizojë në tërësi tregtinë të dielën - kjo do të ishte diçka shumë e thjeshtë. Ai do të lejojë hapjen e më shumë dyqaneve në zonat turistike dhe qytetet me më shumë se një milion banorë. Bizneset do të kenë nevojë për autorizimin e prefektit, ndërsa diskriminimi i njerëzve që nuk do të pranojnë të punojnë të dielën do të ndëshkohet. Puna të dielën do të paguhet dyfish. Por edhe kështu, ligji ka ngjallur debat. Kryebashkiaku socialist i Parisit, Bertrand Delanow, tha kohët e fundit: “E diela është një ditë pushimi e respektuar nga shumica e punëtorëve dhe nuk duhet sakrifikuar nga vizioni një ekonomie të parregulluar, e cila nuk merr parasysh jetën familjare dhe personale të punëtorëve.”

Përkundrazi. Nëse Franca dëshiron të dalë nga rënia ekonomike sa më shpejt të jetë e mundur, biznesi duhet të jetë i lirë të përshtatet me kohët në ndryshim - përfshi mundësinë t’u shërbejë klientëve, kur kanë nevojë ata. Siç e ka kuptuar presidenti Sarkozy, ndërsa kundërshtarët e tij jo, një ekonomi e shëndetshme është në të mirën e punëtorëve dhe familjeve të tyre.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›