E Diel, 1 Nëntor 2026

PD në një mision të pamundurNga Besnik GjongecajNdryshe nga politika, që mezi priste të njihej me vendimin e LSI për hyrjen ose jo në aleancë qeverisëse me PD, vëmendja qytetare u përqendrua më shumë te procesi që do të ndiqte LSI për marrjen e këtij

Nëse dëshironi të lexoni edicionin online të gazetës në PDF klikoni këtu.

PD në një mision të pamundurNga Besnik Gjongecaj

Ndryshe nga politika, që mezi priste të njihej me vendimin e LSI për hyrjen ose jo në aleancë qeverisëse me PD, vëmendja qytetare u përqendrua më shumë te procesi që do të ndiqte LSI për marrjen e këtij vendimi. Gjithsesi, pati një kuriozitet të përgjithshëm për këtë marrëveshje politike, që në thelb, më shumë se një marrëveshje midis LSI dhe PD, është një marrëveshje midis atyre që në zhargonin e përditshëm i quajmë “të djathtë” dhe “të majtë”, por që shpesh, në kuptimin klasik dhe në çdo kuptim tjetër, nuk kanë të bëjnë fare as me të parën dhe as me të dytën. Për shkak të natyrës së veçantë, marrëveshja është një hap jo i zakonshëm për politikën shqiptare, prandaj edhe procesi që e mbështet këtë akt do të duhet të ishte një proces veçanërisht i qëndrueshëm, që ndodh vetëm kur në të përfshihen të gjithë strukturat dhe autoritetet e partive pjesëmarrëse. LSI e ndoqi këtë rrugë, sigurisht, aq sa mund ta ndjekë një parti shqiptare. U përfshinë strukturat dhe autoritetet e partisë: kryetari, kryesia, deri edhe konventa e partisë. LSI lëvizi e gjitha për t’u bërë pjesë e vendimmarrjes. Por ndodhi një gjë interesante: askush nuk e pati mendjen te PD, te procesi që edhe ajo duhet të ndiqte për të arritur një kontratë të tillë jo të zakonshme qeverisjeje. Asnjë nuk pyeti, nëse u mblodh apo jo Kryesia e PD, u mblodh apo jo Këshilli Kombëtar i PD, dhe për shkak të dimensioneve me karakter kompleks të marrëveshjes, asnjë nuk pyeti, nëse do të duhej të mblidhej vetë Kuvendi i PD për t’i dhënë legjitimitet asaj. Të gjithë u përqendruan te mënyra se si do ta realizonte këtë proces LSI dhe askush nuk tha gjë se pse PD, si palë e marrëveshjes, nuk ndoqi të njëjtin proces, madje nuk ndoqi asnjë proces. Të gjithë e quajtën të mirëqenë, të mjaftueshme, normale, që këtë marrëveshje e kërkoi kryetari i PD, që këtë marrëveshje do ta negociojë ai dhe që është po kryetari ai që do ta firmosë atë. Ekzaktësisht e kundërta do të përbënte ngjarje dhe do të tërhiqte vëmendjen e opinionit publik, atë të demokratëve të thjeshtë veçanërisht. Do të ishte ngjarje, nëse këtë marrëveshje për shkak të kushteve të krijuara, do ta propozonte publikisht dikush tjetër, jo kryetari, por, p.sh., një anëtar i kryesisë së PD apo thjesht një grup anëtarësh të Këshillit Kombëtar të PD. Në këtë rast askush nuk do të priste, nëse do të pranohej apo jo ky propozim. Të gjithë do të prisnin të dinin se me ç’mjet, në ç’mënyrë do të ndëshkoheshin nga partia autorët e propozimit. Varianti tjetër do të ishte akoma më i paimagjinueshëm se i pari, pra varianti, në të cilin kryetari i PD mbledh Këshillin Kombëtar apo Kuvendin dhe u kërkon atyre, qoftë edhe formalisht, të përfshihen në këtë proces, të marrin vendimin nëse duhej apo nuk duhej të hynte PD në një koalicion qeverisës me LSI, e cila, pavarësisht nga pozat, pragmatizmi apo mosha e krerëve të saj, jo rrallë ka demonstruar që është një forcë politike e lidhur me shumë fije me të shkuarën komuniste të Shqipërisë. Nëse do të ndodhte kështu, me siguri që demokratët e thjeshtë, por edhe qytetarët në përgjithësi, do të pyesnin me habi se ç’paska ndodhur, ç’hall i madh paska pllakosur në PD, aq sa të detyrojë të çojë nga “varri” strukturat e partisë, ashtu si Kostandini i baladës u çua dikur. Një hall aq i madh sa “të ringjallë” Kryesinë e partisë, Këshillin Kombëtar, atë Kuvendin e PD që ka kohë që s’mbahet mend kur u shpërnda në “eter” dhe u zhduk për të fundit herë nga sytë e njerëzve. Demokratët e thjeshtë me siguri do të pyesnin veten se ç’besë e dhënë, ç’fjalë e pambajtur, mund t’i ketë detyruar strukturat “e tretura” të PD të nisen prej andej ku u vithisën kohë më parë, përtej realitetit politik shqiptar, për t’u rikthyer edhe njëherë në këtë realitet me qëllimin e marrjes së një vendimi që kryetari i tyre befasisht dhe për herë të parë pas kaq kohësh nuk e marrka dot. Nëse për një moment do të mendohej që ky variant nuk është hipotetik, por i vërteti, përsëri askush nuk do të ishte i sigurt, a do të kishim të bënim me struktura të vërteta të PD, me anëtarë realë të këtyre strukturave apo, ashtu si me Kostandinin meit dhe me flokët e ngjitur nga balta e varrit prej nga ishte nisur për të mbajtur premtimin e kthimit të Doruntinës në shtëpi, do të kishim të bënim me hijet, me fantazmat e tyre, pra me fabrikime, sajesa aty për aty, të cilët do të vinë me urdhër dhe kushedi se nga ku për t’u mbledhur në Tiranë për të marrë bash vendimin, nëse duhet apo jo të ketë një koalicion qeverisës të PD me LSI. Distanca midis legjendës dhe PD, vetëm në kuptimin e natyrës virtuale të ngjarjeve, është zvogëluar, është bërë gati zero. Kjo ndodh, sepse për demokratët e thjeshtë, për qytetarët e këtij vendi, ka kohë që PD nuk funksionon si një institucion demokratik, por si një kompani private shitblerjesh. Ka kohë që strukturat e saj nuk marrin vendime për arsyen më të thjeshtë të botës, sepse nuk mblidhen, pra nuk ekzistojnë. Ekzistenca e PD si një institucion demokratik, fatkeqësisht i takon një kohe shumë të largët, aq sa nuk mbahet mend, aq sa edhe po ta krahasosh me personazhet apo ngjarjet virtuale të një legjende, nuk bën ndonjë gabim të madh.

. . .

Për të justifikuar koalicionin qeverisës me LSI, kryetari i PD paraqiti tri argumente. Argumenti i parë ishte përputhja programore midis PD dhe LSI, pra thjesht fakti që të dy partitë kanë si synim strategjik integrimin e vendit në Evropë. Nuk besoj që ka një qytetar në Shqipëri që nuk e di se çdo parti politike e këtij vendi ka të njëjtin synim, pra integrimin e Shqipërisë në Evropë. Në këtë pikëpamje, PD, nëse përdor këtë argument, mund të bëjë aleancë me çdo parti tjetër në spektrin politik shqiptar. Ky argument, meqenëse nuk është specifik për LSI, nuk mund të shërbejë specifikisht as për koalicionin PD-LSI, pra nuk mund të shërbejë si një bazë për të justifikuar këtë koalicion qeverisës të dhënë tashmë si të tillë. Mbetet që ky argument të jetë thjesht një fasadë, prapa së cilës fshihet me kujdes argumenti i vërtetë, ai që realisht e ka detyruar PD të kërkojë bashkimin qeverisës me LSI. Këtë konkluzion e përforcon akoma më shumë fakti që, megjithëse shumë më e fuqishme politikisht, në mandatin e shkuar PD nuk shprehu realisht vullnetin e saj politik për t’u afruar me institucionet e BE, sepse nuk kreu reforma që do të mund të bënin të mundur këtë afrim. Asnjë reformë nuk është kryer realisht, dhe të mos konkludosh kështu, pasi e ke analizuar gjendjen në Shqipëri, është thjesht një tentativë për të fshehur të vërtetën. Madje, të gjithë personazhet kukulla që u instrumentalizuan në qeverisjen e shkuar, që u përdorën për të krijuar perceptimin e reformave duke mos i kryer ato, nesër do të gdhihen anëtarë të parlamentit, nëse këto zgjedhje do të certifikohen sipas rezultatit që është deklaruar paraprakisht. Futja në lista ishte në fakt dhurata që kryeministri i vendit i ka bërë “vrasësve” me pagesë, “vrasësve” të heshtur të reformave në Shqipëri. Aq e vërtetë është kjo, sa vetëm shembulli i studentëve që vijnë në Shqipëri me kualifikime të marra në Evropë, por që nuk mund të sigurojnë njohjen e tyre nga qeveria shqiptare, është i mjaftueshëm për të faktuar që, në vend të afronte vendin për në hapësirën evropiane të arsimit të lartë (procesi i Bolonjës), kjo qeveri e largoi akoma më shumë atë. Megjithatë, një pyetje logjike qëndron: Pse do të duhej që një qeveri t’ia bënte vendit të vet këtë gjë, pra pse do t’i duhej një qeverie të thoshte që po punoj për integrimin e vendit në Evropë dhe bën ekzaktësisht të kundërtën apo një tjetër gjë? Pyetja duket si tepër komplekse, por në fakt nuk është kështu, sepse përgjigjja është shumë e thjeshtë. Të kryesh reforma reale do të thotë të pranosh një kosto politike, ta vësh qeverisjen në rrezik, pra kjo do të thotë që të vendosësh fatet e vendit para interesit të mbajtjes së pushtetit, të sakrifikosh pushtetin për fatet e reformave të vetë vendit. Kjo nuk ndodhi në qeverisjen e katër viteve të shkuara. Reformat nisnin në letër, por, sapo vinte koha e fillimit të zbatimit të tyre, diçka ndodhte. Ato ndërpriteshin apo rikonceptoheshin aq sa nuk i ngjanin më origjinalit dhe kjo bëhej në emër të kujdesit për të ruajtur “integritetin e procesit” apo “stabilitetin e vendit”! Paradoksalisht, reformat nuk janë parë nga qeveria si burim zhvillimi, përkundrazi, si një rrezik që mund të çojë vendin në destabilizimin e tij. Qartësisht, në asnjë rast nuk ishte fjala për të ruajtur stabilitetin e vendit. Qartësisht, në çdo rast ishte fjala për të ruajtur pushtetin, mbajtjen e pacenuar të qeverisjes, e cila rrezikohej më pak, sa më shumë ruhej status quo-ja ose sa më pak reforma të ndodhnin në këtë vend. Pra, pushteti rrezikohej më pak, sa më shumë “kënetizohej” ky vend.

Argumenti i dytë i deklaruar, që e detyron PD të bëjë një koalicion qeverisës me LSI, është nevoja për të “mos e çuar vendin në krizë”, pra “për të ruajtur stabilitetin”. Nëse vihet re me kujdes, nga të dy palët në marrëveshje nuk përmendet asnjëherë shprehja krizë politike, por thjesht krizë, dhe shfaqet edhe njëherë termi stabilitet, i përdorur ekzaktësisht si në kontekstin e justifikimit të moskryerjes së reformave në qeverisjen e shkuar. Vendi është në krizë, në fakt, edhe pa patur krizë politike, pra edhe po të qeverisin së bashku të dy partitë. Kriza nuk është e importuar, përkundrazi, është e brendshme, sepse nuk është vetëm ekonomike, por shumë më komplekse, me një shtrirje që ka pushtuar të gjithë sektorët e jetës shoqërore në Shqipëri. Një krizë politike në këtë krizë të përgjithshme vetëm se do të rriste shanset e një përmirësimi të mundshëm, sepse do të krijonte mundësinë që në përsëritjen e zgjedhjeve një forcë politike ose një koalicion qartësisht homogjen ideologjikisht, të fitonte një votë popullore dhe si e tillë të mund të merrte plotësisht përgjegjësinë direkte të kryerjes së reformave në vend. Më shumë se sa si krizë, kriza politike duhet parë si zgjidhje për nxjerrjen e vendit nga kriza e përgjithshme ku është zhytur. Në këtë pikëpamje edhe argument i dytë i dhënë nga kryeministri mbetet të jetë jo i vërteti, aq më shumë mbetet të jetë një argument me ngarkesë të madhe shantazhi, kërcënues ndaj qytetarëve të këtij vendi. Nën hijen e këtij pseudo-argumenti rri një tjetër argument, ai i vërteti, i palajmëruar ende.

Argumenti i tretë është komik. Kryeministri deklaron që LSI është terrorizuar, sepse është trajtuar keq nga PS, dhe kjo gjë e detyron PD të bëjë koalicion me këtë parti “të persekutuar”. Jo më larg se dy ditë më parë, po ky kryeministër tha publikisht që do të bënte koalicion edhe me PS, domethënë me “persekutorin”, nëse “i persekutuari”, pra LSI, nuk do të pranonte e para propozimin e tij për koalicion. Këtu mbaron rreptësisht pjesa komike e argumentit. I gjymtuar logjikisht në këtë farë feje argumenti bëhet tragjik, sepse shndërrohet në një problem serioz që sot të qeverisurit paskan me qeverisësit dhe që nuk e paskan ditur prej kohësh.

. . .

Të gjitha analizat të çojnë në konkluzionin se argumenti që nuk thuhet është ai i vërteti. Interesi i ruajtjes së pushtetit, veçanërisht ai i ruajtjes së postit politik në parti, në të dy krahët, është shkaku më i thellë që i detyron të dy krerët e PD dhe LSI të afrohen në një koalicion qeverisës. Çdo argument tjetër, ose nuk mbështetet logjikisht, ose është provuar në qeverisjen e shkuar se nuk ka qenë i vërtetë. Demokratët duhet të marrin dy mesazhe nga ngjarjet e sotme politike. E para, marrëveshja PD-LSI nuk është bërë për ta, por në interes të të tjerëve, që vetëm demokratë nuk janë. E dyta, misioni i PD së sotme për të ndryshuar Shqipërinë është një mision i pamundur. PD nuk ka më profil politik, madje ajo nuk është më as parti politike, por një grupim me pushtet, me arkë dhe me vulë; që demokratët duhet t’i sekuestrojnë, kur të rithemelojnë PD në vendin që rri bosh te piedestali moral i kauzës së tyre.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›