E Diel, 1 Nëntor 2026

Integrimi, objektiv i politikës së reNga Fehmi RamadaniZgjedhjet e 28 qershorit në Shqipëri, përveç disa anomalive që kishin gjatë fushatës zgjedhore, kishin nxjerrë në pah edhe anomalinë e programeve të subjekteve të tyre politike. Në programet e kë

Nëse dëshironi të lexoni edicionin online të gazetës në PDF klikoni këtu.

Integrimi, objektiv i politikës së reNga Fehmi Ramadani

Zgjedhjet e 28 qershorit në Shqipëri, përveç disa anomalive që kishin gjatë fushatës zgjedhore, kishin nxjerrë në pah edhe anomalinë e programeve të subjekteve të tyre politike. Në programet e këtyre partive, sidomos të dy partive të mëdha, PD dhe PS, përveç pikave të brendshme të referimit, si infrastruktura, liberalizimi i vizave (lëvizja e lirë), zhvillimi ekonomik, bujqësia, papunësia, arsimi, shëndetësia etj., askund nuk është përmendur integrimi shqiptar, Kosova, çështja e trojeve shqiptare, emigracioni shqiptar, zgjidhja e problemeve të tyre dhe të tjera.

Këto parti në programet e tyre nuk kishin konceptuar nocionin e zgjidhjes nacionale të këtyre problemeve, madje, sa për ilustrim, kryetari i opozitës shqiptare, Edi Rama, për dy muaj të fushatës zgjedhore asnjëherë nuk e kishte përmendur fjalën Kosovë apo ndonjë vendbanim tjetër shqiptar. Kurse lideri i PD, Sali Berisha, përkundër deklarimeve të tij verbale se po punon për gjithë shqiptarët dhe manipulimit të tij me rrugën Durrës-Morinë për hesape elektorale, asgjë më shumë nuk kishte shtuar në fjalorin e tij politik. Dhe tani të gjithë e kemi të qartë demokracinë e brishtë shqiptare dhe telashet që po nxjerrin këto forca politike në përfundimin e këtij procesi zgjedhor, duke zhagitur procesin e njohjes së tyre dhe duke i bërë dëm Shqipërisë.

Kjo elitë politike përkundër trumbetimit të tyre për një politikë të re është larg të qenit politikë e mirëfilltë nacionale dhe e ndërtimit të vizionit për të ardhmen e saj. Politika e tyre në esencë nuk ka përmbajtje të mirëfilltë nacionale, nuk ka strategji të përbashkët nacionale, andaj edhe programet e tyre të klasifikuara si djathtas dhe majtas janë vetëm një manipulim për marrjen e pushtetit. Më së miri këtë fakt e demantoi LSI e Ilir Metës, e cila veten e mbante si parti e majtë, kurse tani bëri marrëveshje me PD e djathtë për të bashkëqeverisur vendin.

Te këto parti prioritet kombëtar është pushteti e jo shteti, demagogjia e jo demokracia, ideologjia e jo nacionalja. Ky defekt i madh që kanë këto forca politike në Shqipëri padyshim që ka kosto në rrafshin kombëtar. Kështu, nga mungesa e një strategjie të përbashkët kombëtare deri më tani kemi pasur disa marrëveshje të përkohshme kombëtare. Këto janë: “Marrëveshja e Kumanovës” për Kosovën, “Marrëveshja e Konçulit” për Kosovën Lindore, “Marrëveshja e Ohrit” për shqiptarët e Maqedonisë, tri marrëveshje të copëzuara, të cilat nuk janë zgjidhje e drejtë, por vetëm një prolongim i përkohshëm i konfliktit të ardhshëm.

Rasti më taze se në këto hapësira nuk mund të ketë marrëveshje të qëndrueshme është arrestimi i 10 të rinjve shqiptarë nga pushteti serb në Luginë dhe ngritja e tensioneve politike pas plagosjes së dy xhandarëve serbë në Lluçan të Bujanocit, para ca kohësh. Këto dy raste më të reja tregojnë se këto hapësira do të jenë burim konflikti në të ardhmen. Deri më tani nuk kemi pasur ndonjë reagim të faktorit shqiptar dhe politika shqiptare nuk është duke bërë asgjë që të frenohet dhuna serbe në këto vendbanime. Ky problem nuk është duke u trajtuar drejt, së pari nga faktori shqiptar në Tiranë, Prishtinë, por edhe nga bashkësia ndërkombëtare, dhe për këtë arsye kemi një konfuzion politik, sepse e gjithë sakrifica e këtij populli është orientuar kah të drejtat individuale, e jo kolektive të këtij populli. Po ashtu qëndron puna me shqiptarët e Maqedonisë, të cilët nuk bëhen hesap nga faktori maqedonas, edhe pse kishte një luftë dhe një marrëveshje të garantuar ndërkombëtare. Kjo marrëveshje nuk respektohet fare nga pala maqedonase.

Por ajo çfarë po shohim në Tiranë dhe Prishtinë nuk jep shumë shpresa se ky faktor politik do të dojë të reagojë kundër politikave shtypëse sllave dhe do të jetë prijës në politikën e saj për të penguar çrregullimet në rajon dhe për të qenë promotor i zgjidhjes së një çështjeje së përbashkët. Me politika parciale nuk mund të zgjidhen problemet e mëdha kombëtare, ato duan plane të përbashkëta, politikë aktive, modele të reja politike, por edhe njerëz të rinj politikë, të cilët janë në hap me kohën, kanë guximin, përkushtimin dhe sakrificën për të realizuar vullnetin e këtij populli për bashkim në mes veti, e më pas integrim në strukturat evropiane.

Skemat e vjetra politike nuk kanë dhënë rezultate, për këtë arsye edhe shqiptarët në verdiktin e 28 qershorit ua kishin thënë fjalën e fundit këtyre politikanëve, duke mos ua dhënë besimin asnjërit prej tyre në shumicë. Kjo ishte befasia më e këndshme e këtyre zgjedhjeve, por ishte një vërejtje serioze për ta, sepse nuk mund të manipulohet me vullnetin e tij në vazhdimësi.

Lidershipi politik shqiptar deri më tani nuk ka qenë në nivel të detyrës së tij kombëtare, sepse nga ky vend dëshirojnë vetëm përfitime, e jo edhe të punojnë dhe sakrifikojnë për të. Maksima e ish-presidentit të ndjerë amerikan, Xh. Kenedi: “Mos pyet se çfarë ka bërë Amerika për ty, por çfarë ke bërë ti për Amerikën” duhet t’iu shërbejë si udhërrëfim këtyre politikanëve shqiptarë, nëse duan të mbijetojnë në skenën politike shqiptare.

Ndryshe, do të jenë të gjykuar të shkojnë në harresën e historisë, por gjeneratat e ardhshme do t’i kujtojnë si pjesa më e errët e kësaj historie. Koha është duke punuar për modele të reja politike, por edhe për politikanë të rinj shqiptarë, të cilët një gjë e kanë për objektiv, së pari Shqipërinë dhe bashkimin e shqiptarëve në mes veti, e më pas integrimin e tyre në bashkësinë euroatlantike. Këta politikanë do të kenë guxim dhe vullnet që t’i shtyjnë proceset e integrimit të këtij kombi, në mënyrë që gjeneratave të ardhshme shqiptare t’iu sigurojnë perspektivë zhvillimore dhe prosperitet të përhershëm në një shtet të përbashkët dhe të fortë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›