Përse nuk përfshihem në një debat që nuk ka lindur!Nga Mero BazeUnë nuk jam socialist dhe nuk kam votuar asnjëherë në jetën time pro tyre. Ky detaj personal biografik më bën të rezervohem për të marrë pjesë në debatin deri tani mediatik rreth fatit p
Nëse dëshironi të lexoni edicionin online të gazetës në PDF klikoni këtu.
Përse nuk përfshihem në një debat që nuk ka lindur!Nga Mero BazeUnë nuk jam socialist dhe nuk kam votuar asnjëherë në jetën time pro tyre. Ky detaj personal biografik më bën të rezervohem për të marrë pjesë në debatin deri tani mediatik rreth fatit politik të Edi Ramës, ndryshe nga shumë miq dhe ish-miq të mi në PD që janë angazhuar në këtë debat.
Për këtë arsye nuk gjej asgjë për të debatuar në shkrimin e kolegut Andi Bushati, i cili thotë se Edi Rama duhet të largohet për të vendosur një standard të ri brenda së majtës. Debati, për të cilin unë jam i interesuar, është rreth nevojës për një opozite të fortë pas shumicës numerike që po ngjizet për të qeverisur vendin.
Opozita që po lind nga këto zgjedhje ka shansin të jetë opozita më e fortë dhe më e frikshme për qeverinë që nga viti 1991, nëse ruan kompaktësinë e saj dhe nëse nuk bie në lojën e qeverisë, e cila kërkon doemos të zhvendosë debatin nga standardet e zgjedhjeve dhe standardet e qeverisjes numerike që na pret pas shtatorit. Makthi i përditshëm i Berishës është shifra prej 66 deputetësh që ka përballë në sallën e Kuvendit dhe objektivi i tij i vetëm do të jetë se si ta ndajë atë grup, qoftë në emër të demokracisë, qoftë në emër të kleptokracisë. Shqipëria asnjëherë nuk ka pas një opozitë kaq të madhe dhe kaq të ngjizur brenda një partie. Nëse kjo energji opozitare ruhet dhe udhëhiqet në mënyrë racionale, është e sigurt se kjo shumicë numerike që përgatitet të na qeverisë do ta ketë shumë të vështirë të kalojë klasën dhe Berisha nuk do të jetë i qetë në zyrën e tij.
Por pavarësisht kësaj, debati për riorganizimin e opozitës është legjitim, dhe madje mund të jetë dhe efektiv për opozitën. Por ky debat duhet të bëhet nga opozita ose së paku duhet të nisë nga opozita dhe të bëhet objekt i debatit mediatik. Ajo që po ndodh deri më sot është se ne nuk kemi ndonjë debat brenda Partisë Socialiste për mënyrën se si do të shkojnë gjërat pas muajit shtator, kur të certifikohet rezultati.
Debati i vetëm për këtë çështje deri tani është nisur nga frëngjitë e kullës mediatike të Sali Berishës në TV Klan dhe kërkesa për dorëheqje është artikuluar disa herë vetëm nga zëdhënësja e Partisë Demokratike dhe njerëz të LSI. Në këto rrethana unë refuzoj të marr pjesa në debatin e neveritshëm në këtë vend, që opozita duhet të ristrukturohet sipas pikëpamjeve të qeverisë. Po ashtu, refuzoj të marr pjesë në debatin e medias qeveritare se si duhet të reformohet opozita.
Shkëndija e parë e debatit duhet të lindë nga vetë Partia Socialiste. Liderin e ri të opozitës nuk mund ta zgjedhë qeveria, as media qeveritare, madje as media e pavarur. Debati për të ardhmen e opozitës duhet të lindë nga opozita dhe unë nuk njoh asnjë lider opozite në botë që të jetë bërë i tillë me thashetheme dhe sms për titra televizionesh apo tituj gazetash. Nëse Ben Blushi, Arben Malaj, Pandeli Majko apo dhe Gramoz Ruçi synojnë kreun e PS, ata duhet ta kërkojnë atë publikisht dhe të provojnë të hyjnë në garë për këtë, pasi kjo është rruga e vetme drejt lidershipit të opozitës. Të kërkosh të drejtosh opozitën sot është përgjegjësi e madhe dhe konkurrenca e vetme është të paraqesësh një projekt, sipas të cilit Berisha rrëzohet më shpejt me ta pa Edi Ramën. Nëse gara për kreun e PS bëhet me qëllim që të përdorin humbjen e PS për të zënë kreun e saj dhe të presin katër vjet se ndoshta fitojnë, atëherë jemi brenda projektit të Berishës për ta lënë të qetë këto katër vite të një shumice numerike, por jo politike.
Secili prej tyre ka të drejtën legjitime të kërkojë të jetë kreu i opozitës, por froni i kryeopozitarit merr fuqi, kur fitohet dhe jo kur dhurohet. Unë nuk besoj dot te një lider opozite që e cakton Edi Rama si trashëgimtar, pasi nuk do të ishte lider, madje nuk do të ishte as si Edi Rama. Unë nuk besoj dot te një lider opozite, që nis ofensivën për t’u zgjedhur në krye të PS, pa emër, pa fytyrë, dhe pa numra pas vetes. Unë nuk besoj dot te një lider i opozitës që emërohet apo projektohet nga një medie e përjetshme antiopozitare.
Një tjetër problem janë figurat e mbetura politike në Partinë Socialiste. Këto figura nuk dëshmuan asnjë dimension të personalitetit të tyre politik para fushatës, nuk tentuan të mbronin të shkuarën e tyre dhe kauzën e bashkimit të opozitës, injoruan faktin se ishin në politikë prej Fatos Nanos dhe i kthyen krahët atij dhe ish-figurave të tjera të së majtës, sapo siguruan vendin në listë. Këto figura i hapën rrugë projektit të Edi Ramës për të personalizuar listën e të zgjedhurve të PS dhe për të injoruar vlerat politike të saj. Falë këtij konformizmi dhe mungese personalitetesh brenda PS, ne kemi sot një grup parlamentar që është thuajse produkt politik i Edi Ramës. Është pikërisht ky grup që është vënë në shënjestër të Sali Berishës, me qëllim që të ndahet dhe të shkëpusë prej tij disa vota që i kthejnë qetësinë që e ka humbur pas 28 qershorit.
Që Berisha të mos ketë më asnjë dhuratë prej opozitës, ajo ka nevojë pas shtatorit për një garë të re, për të votëbesuar linjën më të ashpër politike ndaj shumicës numerike në pushtet. Por kjo garë duhet të nisë në Partinë Socialiste dhe jo në media. Kjo garë duhet të nisë nga ata që janë në opozitë dhe jo nga ata që janë në pushtet. Nga kjo garë nuk mund të përjashtohet askush, pasi objektivi i saj afatshkurtër dhe afatgjatë duhet të jetë kush do ta zgjerojë opozitën dhe jo kush do ta rrudhë më shumë atë. Kjo e dyta është objektiv i sinqertë i Sali Berishës.