Aspirata e ish-të përndjekurve politikë s’errësohet dot nga bllofet e premtimeve socialiste
Ish-të përndjekurit politikë janë një shtresë politike, që sot është e çorientuar. Ka shkaqe të shumta për këtë. Disa nga këto janë edhe të motivuara, domethënë objektive. Ky shkrim nuk synon analizën e këtyre faktorëve. Partia më e madhe opozitare e viteve 1997-2005, PD-ja, ndonëse me disa veprime të kushtëzuara nga koha, të cilat u shoqëruan me vetëkritikë, i qé përkushtuar një numri pambarimisht herësh më të madhe shtresës së gjerë të të vuajturve nga diktatura që lamë pas, në krahasim me PS-në, e cila kishte përdorur vetëm demagogjinë, fjalët e bukura e gurin në trastë. Pas zgjedhjeve-farsë të 29 qershorit 1997, strukturën shtetërore dhe shoqatën e ish-të përndjekurve i zotëronte i vetmi person, duke shpërfillur statutin e ish-të përndjekurve. Kjo solli përçarjen e madhe dhe, përmes Forumit që iu bashkëngjit tregishtorëve në Vlorë, u përfshi edhe një pjesë tepër e kufizuar e ish-të përndjekurve, me iluzionin se do të bëhej mrekullia në dobi të kësaj shtrese. Në të vërtetë ndodhi ajo që tha Lubonja në Alsat dy net më parë, për Forumin: - U zhgënjeva, u tërhoqa.
Pas 2005-s, ish-kryetari me funksion të dyfishtë, mbeti pa Shoqatë dhe pa zyrë të Integrimit të shtresës. Natyrisht, edhe pa gazetë. Shoqatat u shtuan gjer në katër apo pesë, secila më vete, por të gjitha kundër së majtës së PS-së. Vetëm ish-kryetari dhe shpura e tij prej disa vetash, vunë një tavolinë “të tyren”, në kafen e Lulishtes “1 maji” ku takohen me disa miq “të shtresës” me të cilët qanin hallet e së majtës, sipas teorisë së Edvinit, për të grumbulluar rreth vetes edhe misrin, edhe lëvozhgat, - që të mos përmendim atë fjalën e tij “të qelbësirave”, - vetëm e vetëm që të mundin ‘Saliun’! Sepse edhe ish-i në krye të tavolinës së ‘1 Majit!, ka vënë kandidaturën për deputet me të majtën, për t’iu bashkuar partisë konglomerate të kryetarit të PS-së, për fitoren e tij me anë të ‘kashtë e koqeve’. Çka dëshmon se ai grotesku i vet i atij shabllonit qesharak “m’i vodhën votat” na qenka i pamjaftueshëm pa ngjalat e Lalëzit dhe pa kandidatët me ndjekësit e tyre, në numër sa gishtërinjtë e dorës!
Sa për kronikë, duhet të shtojmë se ai ish-i kishte vënë kandidaturën e tij për deputet edhe në Vlorë, në zgjedhjet e domeneve të 29 qershorit, por doli humbës. Dihet sesi do të dalë edhe këtë radhë!
***
Këtu është rasti të qartësojmë disa pika të rëndësishme: 1. Meqë përmendëm zgjedhjet e 29 qershorit të vitit të mbrapshtë, atentat në rrëmbimin e pushtetit në mënyrë revolucionare (sipas teorisë së R. Qoses që s’kishte dalë deputet as në Kosovë, si nën kuorumin e votëbesuesve), ishte një falsitet, puro, kur krahasoheshin zgjedhjet e 1996-s me ato të 1997-s. Të parat, ndonëse me disa parregullsi, që u ndreqën me përsëritje zgjedhore, por që nuk ndikonin në përfundimin në favor të forcave demokratike. Ndërsa të dytat, ato të 29 qershorit, u bënë në shumë zona zgjedhore pa kundërshtarë politikë, të kërcënuar se do të vareshin në litar po të vinin demokratët për fushatë zgjedhore. ‘Domen’ do të thotë ‘Posedim’, “Dominium”, ‘zotërim’, ‘pronësi absolute mbi diçka!’ (Fj. It. i Zingarelli-t, f. 416). 2.PD-ja dhe presidenti i atëhershëm, Berisha, kanë bërë shumë për ish-të përndjekurit politikë. Këta, me të drejtë, u quajtën aleatë të natyrshëm të PD-së. Pas 22 marsit të vitit 1992, kërkuan me ngulm në parlament që të liroheshin sa më shpejt nga burgjet dhe nga kamp-internimet. Për një frymëzim të përbashkët, demokrat dhe të vuajturve nga diktatura, kërkuan heqjen e yllit të kuq internacionalist nga flamuri shqiptar. Kundërveprimet qenë të forta në parlamentin e Tao Taos me absurditete groteske si San Remo që kishte në sfondet e saj yje (por ato ishin të ngjyrave të ndryshme). Ish-komunistët enveristë dhe mëkatarët e diktaturës rreth tyre, ishin të fortë materialisht, në jetësimin e ‘pronarit të ri’ dhe në përfitimet nga afarizmi i kuq. Megjithatë u strehuan mjaft nga ish-të përndjekurit dhe, për fëmijët e tyre, u zbritën kuotat e larta të përfitimit të të drejtave universitare të studimit dhe të bursave, për shkak të kushteve të vështira të shtresës, në banesa të kufizuara si sipërfaqe banimi. Pati punësime të shumta në Gardë, dhe në institucione të tjera nga kjo shtresë. Në ndërmarrjet prodhuese u caktua fondi prej 1 % në dobi të ish-të përndjekurve. Në shtëpi të përbashkëta, ku ish-të përndjekurit banonin në bodrumet (ndonëse qenë pronarë të ligjshëm), ndërsa persekutorët në katet e sipërme, u bënë mjaft rregullime e ndërhyrje në dobi të pronarit të ligjshëm për të dhënë drejtësi atje ku ajo është përdhosur në kohën e luftës së klasave. 3. Në kohën (1997- 2005) nuk u bë gjë prej gjëje nga Instituti i Integrimit që mbeti formal, pa asnjë kontribut të qenësishëm. Ah, Po! Hierarkët e regjimit të ri vinin nëpër Europë e në Amerikë dhe mburreshin me sloganet “Ish-të përndjekurit politikë, janë me né”! Me cilët? Me ata që kanë urrejtje patologjike klasore ndaj kësaj shtrese? Edhe tani, në kohën e Ramës në Opozitë, nuk premtohet, pa le të bëhet diçka, për këtë shtresë bashkëvuajtësish, përveç nxitjes për përçarje brenda radhëve, stimulim propagandistik për pakënaqësi, por edhe sabotim për ligjin e lustracionit, në mbrojtje të xhelatëve mizorë të hetuesive dhe të kampeve. 4.Ish-të përndjekurit politikë, u çorientuan vetëm përkohësisht. Përçarja u ndërkall në shtresën e tyre, por koha i kthjelloi ata që të bënin diferencimet. Majtistët e skajshëm përdorën kërbaçin përveç kulaçit; veçse ata u ndërgjegjësuan shpejt se kulaçin e hëngrën vetëm disa individë, të cilët e humbën ndikimin në masën e të përndjekurve. Do të ishte absurde që të vuajturit e diktaturës të besonin në dhëmbët e bardhë të ekstremistëve të pacenuar, si edhe në qeshjen hipokrite me ata dhëmbë të cilët zbardhojnë në sipërfaqe, por brenda fshehin helmin e luftës së klasave, të përvetësuar nga komunizmi enverist. Kafshimi i atyre dhëmbëve, do të ishte si ai i gjarprit, vdekjeprurës. Shkurt, shtresa e ish-të përndjekurve, tashmë beson, si kurrë ndonjëherë, në koalicionin e djathtë, të drejtuar nga dr. Berisha, i cili jo vetëm që ka një bilanc të dhënash konkrete për integrimin e tyre, por edhe një program për t’u ardhur më tej në ndihmë, në kundërthënie me talljen e Edvin Ramës, që i ka velur (dhe neveritur, madje), me erën e trëndafilit rozë, domethënë me asgjë prej asgjëje. Kësisoj vota e masës së gjerë e kësaj shtrese të vuajturish nga diktatura, ka për të qenë pa dyshim për koalicionin e djathtë, duke përjashtuar edhe abstenimin – për të cilin është e interesuar PS-ja e Ramës. 5.Ish-të përndjekurit politikë, në përkujtimoren e viktimave të terrorit komunist të Spaçit, por edhe të Qafë Barit fill pas masakrës së Spaçit, dëgjuan me entuziazëm të sinqertë fjalën e bukur të ministrit të qeverisë Berisha të këtyre kampeve të terrorit enverist, z. Visar Zhiti. Me fjalën e tij, të një poeti dhe shkrimtari të spikatur, bashkëvuajtës i mjerimeve në këto kampe, i emocionoi pjesëmarrësit me mbresat e atij, që u dënua ashpër për fjalën e lirë. Në atë mbledhje jubilare të gjithë të pranishmit, - në vendin tonë dhe të ardhur nga diaspora, - ishin homogjenë për një demokraci të vërtetë dhe për aspiratat në përkitje me komunitetin euroatlantik, kundër së majtës së molepsur të Edi Ramës dhe solidarë me z. Sali Berisha. Dera ishte e hapur për të gjithë ish-të përndjekurit politikë. Por ato kokrrat, që i bëjnë edhe sot fresk së majtës heterogjene të Ramës, nuk e ndjenë veten në mjedisin e tyre, që të vinin edhe ata në atë mbledhjen që përfaqësonte aspiratat e bashkëvuajtësve si një masë kompakte, votat e të cilëve do të jenë tërësisht për aleancën demokratike të Sali Berishës. Lokucioni popullor se “shpesh çdo fis e ka një pis”, përshtatet për të identifikuar ish-kryetarin vetmitar, të sajdisur nga ata që tanimë vënë në dorë vetëm disa rekrutë.