Assad vazhdon edhe më tej me dhunë kundër opozitës

Në luftën kundër lëvizjes demokratike në Siri, presidenti autoritar në pushtet, Baschar al-Assad vazhdon të kërcënojë dhe të përdorë dhunë ndaj demonstruesve. Gjatë një reprezalie nga policia sekrete natën e së shtunës, sipas të dhënave të aktivistëve për të drejtat e njeriut u arrestuan shumë aktivistë opozitarë.
Të shtunën snajperat dhe forcat e sigurimit të regjimit kishin qëlluar ndaj protestuesve dhe kishin vrarë të paktën 14 njerëz në kohën kur po zhvillohej një ceremoni mortore për demonstruesit e vrarë të premten, bëjnë të ditur burimet nga opozita.
Një verifikim i pavarur i këtyre të dhënave është i pamundur pasi regjimi i ka penguar gazetarët që të vëzhgojnë demonstratat. Të premten, dita më e përgjakshme që nga fillimi i protestave para rreth një muaji, kishin vdekur rreth 120 demonstrues. Në shenjë proteste kundër dhunës së përdorur nga regjimi, dy deputetë të parlamentit deklaruan dorëheqjen e tyre.