Assange intervistoi liderin e “Hezbollahut”

Sheiku Hassan Nasrallah deklaroi se grupi i tij do ta kishte për nder të ndërmjetësonte lidhur me krizën në Siri, duke bërë thirrje për një zgjidhje politike.
Sipas kreut të Hezbollahut, presidenti i Sirisë është shumë i vendosur për të kryer reforma radikale dhe sipas tij, vendet e tjera po e nxisnin konfliktin duke refuzuar negociatat me qeverinë e Damaskut. Hezbollahu e ka mbështetur presidentin sirian Bashar Al Assad që nga fillimi i krizës.
Kjo ishte intervista e parë e një cikli prej 12 episodesh të një serie dokumentarësh, të quajtur “Bota Nesër”, e cila pritet të ketë protagonistë disa prej personazheve që ngjallin më shumë debat në botë.
Sipas Assange, të ftuarit e tij do të jenë njerëz, që në rrethana të zakonshme nuk lejohen të flasin.
”E di që do të kritikohem për faktin se do të transmetoj këtë cikël dokumentaresh në një televizion rus dhe që amerikanët do të pretendojnë se kjo lidhet me propagandën ruse, por është e qartë që asnjë platformë tjetër televizive nuk do të ma lejonte këtë mundësi”, u citua Assange.