Associated Press: Shqipëria, vend i vogël, por prodhues gjigant i marijuanës

Marijuane e sekuestruar / Ftot ilustruese
Agjencia e njohur e lajmeve, Associated Press, e përshkruan Shqipërinë si prodhues gjigant të marijuanës dhe vend tranzit i trafikimit të heroinës.
Shqipëria, një vend i vogël ballkanik në Detin Adriatik, është një prodhues gjigant i marijuanës dhe një pikë transiti për heroinën nga Azia jugperëndimore, shkruan AP, duke iu referuar rastit të disa ditëve më parë, kur në Kakome u sekuestruan rreth dy tonë marijuanë.
Sasia e madhe e hashashit u sekuestrua në Kakome tre ditë më parë. Ajo ishte bërë gati për tu transportuar drejt Greqisë me anë të një furgoni. Në prangat e policisë përfunduan pesë persona, të gjithë roje të kompleksit turistik që gjendet në Kakome.
Dyshohet se zona përdorej për trafik lëndësh narkotike dhe rojet kishin si detyrë të ndalonin policinë të ushtronte kontrolle brenda saj. Sipas policisë, pesë të arrestuarit janë: Dritan Binjakaj, 39 vjeç; Edmond Ferraj, 28 vjeç; Glikor Konomi, 20 vjeç; Ferik Xhelili, 22 vjeç; dhe Arsim Binjakaj, 18 vjeç, ndërsa u shpall në kërkim Bledar Binjakaj, 28 vjeç. / G.N.