Kriza në eurozonë, të gjithë në panik

Kriza e Eurozonës
Kriza e euros që dukej se ishte nën kontroll është komplikuar sërish ditët e fundit. Alarmin e ka dhënë presidenti i Bankës Qendrore Evropiane, Draghi apelon për inicimin e një programi kontinental të rritjes ekonomike.
Presidenti francez Sarkozi në mes të fushatës zgjedhore, që po e humbet thekson, se nuk ka tjetër alternativë përveç kursimit. Si pasojë e kursimit Britania e Madhe sërish ka hyrë në recesion. E vetmja që hesht për të gjitha është kancelaria gjermane, Angela Merkel.
Presidenti i Bankës Qendrore Evropiane (ECB), Mario Draghi po fliste në konferencën me emër domethënës, Integrimi Financiar dhe Stabiliteti: Drejt një Tregu më Rezistues të Përbashkët të Evropës.
Në situatën aktuale në të cilën ndodhet Evropa kjo gjë vështirë se mund të ndryshohet. Këtë e pranoi edhe vetë Draghi, derisa deklaroi se kriza financiare demonstroi se integrimi nuk mund të konsiderohet si diçka e gatshme. Propozimi i guvernatorit të ECB është që edhe Unioni duhet që, sa më parë, të krijojë një strategji për rritje ekonomike, përderisa, në të njëjtën kohë, Komisioni Evropian duhet të rritë buxhetin e vetë.
Ndërsa presidenti francez, Sarkozy fillimisht ishte me idenë se Franca duhet të largohet nga Marrëveshja e Schengenit. Por në një intervistë për Inter Radio ka thënë se Franca ka arritur shumë më shpejtë seç pritej të ulë deficitin e saj buxhetor. Të mërkurën ndërkaq, Sarkozy fliste për referendumin që do të mbajë, dhe temë do të ketë Traktatin Fiskal të BEsë, duke synuar kështu që të neutralizojë premtimet e kundër kandidatit të tij, Francois Hollande, i cili paralajmëroi ndryshimin e kësaj marrëveshjeje.
Nga ana tjetër, kryeministri italian, Mario Monti, duket se i është bashkuar atyre që bëjnë thirrje për krijimin e një programi urgjent të rritjes ekonomike të BEsë. Në fakt, Monti deklaroi të enjten se, të gjitha reformat që i realizoi shkaktuan deflacion, kështu që, pa një rritje dhe pa një kërkim të shpëtimit nuk do të ketë shpëtim të valutës euro.
Të enjten, në Bruksel, Monti u takua me njerëz afaristë nga BE, sepse gjatë kësaj jave bursat evropiane për shkak të rënies së Qeverisë së Holandës, pikërisht shkaku i Traktatit Fiskal ishin tejet jostabile. Duket sikur gati askush brenda BEsë nuk është në gjendje që ti përmbahet rregullit për një deficit maksimal buxhetor prej tre për qind.
Javorja gjermane Der Spiegel shkruan Nëse këtë gjë smund ta arrijë as një Holandë e fuqishme ekonomikisht, si mund ta arrijnë këtë Spanja, Italia, Greqia dhe Portugalia, të cilat po përballen me probleme të mëdha.
Veç kësaj, Spanja ndodhet në një pozitë veçanërisht të rrezikshme edhe për shkak të madhësisë së saj, por edhe për shkak të faktit që sistemi i saj bankar është tejet jostabil. Për këtë arsye, ECB dhe Fondi i Stabilizimit i FMNsë, tashmë po mendojnë seriozisht që ti ndihmojnë edhe bankave spanjolle, megjithëse ky veprim është në kundërshtim me rregullat e Mekanizmit Financiar Evropian për mbrojtje të valutës euro, të miratuara nga BE -ja me propozim të kancelares gjermane Merkel.
Mediat gjermane tashmë kanë konstatuar se Berlini mbeti i vetmuar në përpjekjen e tij që të gjitha problemet të zgjidhen përmes një kursimi radikal. Por kjo gjë, për më keq, e shtyri Britaninë e Madhe që të hyjë në një recesion të ri.
Një analizë e publikuar në Der Spiegel, dhe e nënshkruar nga njëri prej themeluesve të gazetës Financial Times Deutschland, Wolfgang Muenchau. Muenchau, mes tjerash, thekson se Kriza e euros tani iu ka kushtuar me pozitë disa prej politikanëve kryesorë në Evropë, si Zapatero dhe Berlusconi, e me gjasë, tani do ti kushtojë edhe Sarkozisë. Sipas Muenchau, pas tij radhën e ka Angela Merkel e cila aktualisht është në zenitin e fuqisë së saj, që do të thotë se gjërat për të, për sa u përket çështjeve evropiane, mund të bëhen vetëm më keq. / E.T.