E Diel, 1 Nëntor 2026

Astrit Hafizi: Le të shpresojmë që Franca të jetë në ditë të keqe

/* */

Ish-trajneri i Kombëtares, Astrit Hafizi, 57 vjeç, mendon se shanset e Shqipërisë për të marrë një rezultat pozitiv ndaj Francës janë reale.

“Normalisht, është një kundërshtar me emër të madh dhe kërkon vlerësimin maksimal. Nuk ka si të ndodhë ndryshe. Një sfidë e tillë të motivon natyrshëm. Ne duhet të japim maksimumin tonë, që të marrim më të mirën e mundshme. Është një kundërshtar që të tremb ndonjëherë vetëm me emrin. Le të shpresojmë që të mos jetë në formën e saj më të mirë ditën e premte, ndërkohë që ne të japim maksimumin dhe të jemi në 100 të formës sonë”, - tha Hafizi per gazeten "Telegraf".

Shqipëria fitoi 3-2 në miqësoren me Malin e Zi, por a ka impakt ajo në ndeshjen me Francën? Hafizi: “Ajo është një ndeshje miqësore dhe e tillë mbetet. Besoj se vetëm në anën psikologjike ndoshta ka ndikuar. Ndeshjet zyrtare gjithmonë kanë një rëndësi dhe peshë tjetër”. Hafizi është edhe një komentator i futbollit të huaj. “Mendimi im ndoshta dhe nuk mund të jetë objektiv, pr duke ndjekur dhe disa nga kampionatet më të forta në Europë, ku luajnë dhe lojtarët e Kombëtares franceze, them se Franca është një ekip në formim e sipër, edhe pas kampionatit zhgënjyes në botëror. Besoj se skuadra franceze nuk është në ditët e saj më të mira. Them se u mungon harmonizimi, pavarësisht se kanë lojtarë shumë të mirë”.

Hafizi e ka marrë detyrën e trajnerit të Kombëtares (29 mars 1997-9 tetor 1999) duke pasuar në bankinë Neptun Bajkon dhe ia la vendin Medin Zhegës. Ndeshja e parë e tij ishte humbja 1-0 kundër Ukrainës, të vlefshme për eliminatoret e Kampionatit Botëror “Francë 1998”, por të zhvilluar në “Nuevo los Carmenes” të Granadës, në Spanjë, për shkak të pasigurisë në Shqipëri gjatë  ngjarjeve të vitit të mbrapshtë 1997. Ndeshja e tij e fundit me përfaqësuesen është fitorja 2-1 me Gjeorgjinë, më 9 tetor 1999 për kualifikueset e Euro 2000-it në Porguali.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›