E Shtunë, 31 Tetor 2026

Astrit Patozi: “PD-ja është e gatshme të trajtojë kërkesat e opozitës”



Eljona Ballhysa

Maxhoranca për herë të parë është shprehur me tone më të zbutura përsa u përket kushteve të opozitës socialiste për t’u rikthyer në Kuvend dhe për të hequr dorë nga bojkoti. Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Astrit Patozi, u shpreh dje se PD-ja është e gatshme të diskutojë të gjitha ato kërkesa dhe pretendime të PS-së përsa u përket zgjedhjeve, me kusht që kërkesat e tyre të jenë në përputhje të plotë me Kushtetutën e vendit dhe me ligjet në fuqi. Patozi përsëriti edhe njëherë thirrjen drejtuar Partisë Socialiste që të heqë dorë nga bojkoti dhe të ulet në karriget e Kuvendit. Sipas Patozit, opozita ka shansin më të mirë për të qenë e pranishme në seancën e sotme parlamentare, në të cilën do të diskutohet rreth ndryshimeve të buxhetit për vitin 2009. Ai tha se ky është një shans i artë që opozita të bëjë kontestimet e saj dhe të japë argumentet e saj.
Deklarata
“Partia Demokratike është e gatshme dhe e hapur të trajtojë të gjitha kërkesat e pretendimet e tjera të opozitës me kusht që të jenë në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet e vendit”, - është shprehur kreu i grupit më të madh parlamentar. Patozi garantoi se ftesa e PD-së për rikthimin e opozitës në Parlament është shumë e sinqertë dhe shumë serioze. “Ne duam opozitën në Parlament për të pasur një debat politik në institucionin më të lartë të shtetit, për të vijuar reformat e ndërmarra për të cilat ka nevojë jetike vendi. Por, mbi të gjitha, ne duam opozitën dhe PS-në në Parlament për të shqyrtuar dhe trajtuar me seriozitet të gjitha sugjerimet dhe vërejtjet e raportit të OSBE/ODIHR-it”, - tha Patozi, i cili ritheksoi edhe njëherë gatishmërinë për të shqyrtuar dhe trajtuar të gjitha kërkesat dhe pretendimet e opozitës, por vetëm me një kusht, që këto të jenë në përputhje dhe në respekt të Kushtetutës dhe ligjeve të vendit. Patozi bëri thirrje që opozita të marrë pjesë në seancën e sotme parlamentare. “Është një nga ato rastet që konsiderohen të arta për opozitën, sepse një opozitë mezi pret që të thotë fjalën e vet, sidomos kur diskutohet qeveria dhe buxheti i shtetit, për të shprehur ato kontestime dhe ato rezerva që mund të ketë në përgjithësi për ekzekutivin apo maxhorancën e caktuar. Për fat të keq, opozita nuk do ta shfrytëzojë këtë rast; për fat të keq, PS-ja nuk do që të jetë e pranishme në Parlament”, - u shpreh Patozi.
Integrimi
Edhe nënkryetari i Komisionit Parlamentar të Integrimit, Aldo Bumçi, gjatë mbledhjes së parë të këtij komisioni, vlerësoi kontributin thelbësor të opozitës në procesin e integrimit europian të vendit. Në hapje të mbledhjes Bumçi ripërsëriti ftesën ndaj deputetëve socialistë që t’i bashkohen jetës parlamentare. “Uroj që sa më shpejt opozita t’i bashkëngjitet Komisionit dhe gjithë jetës parlamentare. Ky komision, në traditën e tij në të shkuarën, është kryesuar nga opozita dhe kjo do të ndodhë dhe në këtë mandat”, - tha Bumçi. Sipas tij, nisur nga axhenda e qeverisë shqiptare, puna e këtij komisioni do të ketë tjetër ritëm dhe intensitet nga katër vite më parë. “Ka ngjarje të rëndësishme që presim të ndodhin vitin tjetër, si liberalizimi i vizave, ndërkohë që presim shumë shpejt një përgjigje të BE-së lidhur me aplikimin tonë për statusin e vendit kandidat. Do të jetë puna e këtij komisioni që do të pasqyrojë këtë nivel të ri të marrëdhënieve të Shqipërisë me BE-në. Kontributi i opozitës është thelbësor dhe esencial. Shpresojmë që ata të vijnë e të bëhen pjesë e Komisionit, pasi pa kontributin e opozitës, ecuria nuk do të jetë e njëjtë”, - u shpreh Bumçi.

24 Shtator 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›