E Diel, 1 Nëntor 2026

Pensionet private, qeveria parashikon lehtësira fiskale për ata që futen në skemë

Si lidhet kontrata për të përfituar nga fondi i pensionit vullnetar. Detyrimet e kompanisë, tarifat dhe të gjitha sanksionet e reja

Këshilli i Ministrave ka depozituar në Kuvend projektligjin “Për fondin e pensionit vullnetar”, të hartuar nga Ministria e Financave, në bashkëpunim me Bankën Botërore. Ky projektligj ka si synim përcaktimin e kuadrit ligjor në fushën e pensioneve private dhe përcakton vendosjen e standardeve për administrimin me efektivitet të fondit të pensioneve në mënyrë që të sigurohet mbrojtja e anëtarit të fondit të pensionit. Në këtë draft parashikohet lidhja e një kontrate midis shoqërisë private që administron fondin e pensionit dhe personit të interesuar të lidhë pension dhe që do të derdhë vullnetarisht kontributet e tij. Në projektligj parashikohen lehtësira tatimore për nxitjen e shtetasve shqiptarë për të kontribuuar për fondet e pensionit vullnetar. Personat që kanë mundësi të rrisin të ardhurat e tyre pas daljes në pension, përveçse duhet të kontribuojnë në skemat e pensioneve private, do të kenë lehtësira fiskale në forma të ndryshme. Projektligji krijon hapësira të konsiderueshme për të rritur kontributin vullnetar në skemat e pensioneve private, të cilat do të administrohen nga shoqëri të posaçme dhe të mbikëqyrura nga autoriteti financiar.
Kriteret e përfitimit
Në bazë të projektligjit, çdo individ ka të drejtë të kontribuojë në skemën e pensioneve private sipas dëshirës dhe mundësisë dhe të bëhet anëtar i fondit të pensionit duke lidhur kontratë me shoqërinë që do të bëjë menaxhimin e fondit. Para se të nënshkruajë kontratën, shoqëria administruese duhet të sigurohet se individi që dëshiron të bëhet anëtar e ka kuptuar se ky është investimi i duhur dhe është i informuar për hollësitë dhe risqet. Pjesëmarrja në fondin e pensionit vullnetar nuk përjashton detyrimin e personave për t’u siguruar sipas ligjit për sigurimet shoqërore. Asetet e anëtarit të fondit përbëhen nga kontributet në para të bëra në emër dhe për llogari të tij. Nëse anëtari, përkohësisht ose përgjithmonë pushon së kontribuuari në fondin e pensionit, ai mbetet anëtar dhe ka të njëjtat të drejta si anëtarët e tjerë. Shoqëria administruese konverton në kuotë pensioni kontributet e investuara në fondin e pensionit dhe asetet e transferuara. Çdo kuotë pensioni përfaqëson një pjesë përpjesëtimore pronësie në secilën nga asetet e fondit të pensioneve. Anëtari i fondit të pensionit ka të drejtë të marrë pagesën e menjëhershme të vlerës së aseteve në llogarinë e vet ose pagesa periodike në formë pensioni. Ai mund ta përfitojë këtë kur mbush moshën e pensionit të parashikuar me ligj për sistemin e pensionit të detyrueshëm, 5 vjet para se të mbushë moshën e pensionit ose kur bëhet i paaftë për punë në mënyrë të përhershme. Nëse anëtari vdes para moshës së pensionit, të gjitha asetet në llogarinë e tij do t’u shpërndahen trashëgimtarëve.
Lehtësirat
Sa u takon lehtësive fiskale, Neni 88 “Për lehtësirat tatimore të kontributeve të anëtarëve të fondit të pensionit” i ka të ndara dhe të sqaruara qartë rastet e përfitimit. Si fillim, çdo person duhet të ketë parasysh se kontributi i bërë në fondin e pensionit zbritet nga të ardhurat personale të tij për efekt tatimi. Po ashtu, kthimi i investimit, duke përfshirë fitimet nga kapitali, prej investimeve të kryera me asetet e fondit të pensionit nuk i nënshtrohen tatimit, as për vetë fondin e pensionit dhe as për shoqërinë administruese. Pika 3 e Nenit 88 tregon se, kontributet e bëra nga punëdhënësi dhe çdo kontribuues tjetër në emër dhe për llogari të anëtarit të një fondi pensioni, për efekte fiskale, nuk konsiderohen si të ardhura personale të anëtarit. Për të pasur një kufi përfitimi dhe lehtësie fiskale, Ministria e Financave ka vendosur në projektligj disa klauzola. Kështu, kufiri maksimal për lehtësirat tatimore për kontributet vjetore, përveç rastit të parashikuar në paragrafin 5, të bëra siç përcaktohet në rastet e mësipërme të Nenit 88, është vlera më e vogël që del nga krahasimi i shumës 200 000 lekë dhe 15 për qind të të ardhurave vjetore bruto të anëtarit. Në rast se anëtari është mbi 50 vjeç, kufiri maksimal për lehtësirat tatimore për kontributet vjetore, të përcaktuara në paragrafët 1 dhe 3, është vlera më e vogël që del nga krahasimi i shumës 250 000 lekë dhe 25% të të ardhurave vjetore bruto të anëtarit. Projektligji sqaron se, blerja e kuotave të një fondi pensioni është shërbim financiar dhe, si rrjedhojë, është e përjashtuar nga TVSH-ja. Po ashtu, shërbimet e ofruara nga depozitari për shoqërinë administruese dhe anëtarët konsiderohen si shërbim financiar dhe, si rrjedhojë, janë të përjashtuara nga TVSH-ja. Për rrjedhojë, tatimi që shoqëron tërheqjen e parakohshme është sa norma e zbatueshme në momentin kur bëhet tërheqja.

Kapitali që duhet të ketë shoqëria administruese

Shoqëria administruese, në çdo kohë, duhet të ketë një kapital të paktën 15 625 000 lekë. Në bazë të projektligjit, kapitali i shoqërisë administruese llogaritet duke zbritur detyrimet nga asetet në bilancin e shoqërisë administruese. Kur vlera e aseteve në fondet e pensionit të administruara nga shoqëria administruese e kalon vlerën 31 250 000 000 lekë, shoqëria administruese duhet të rrisë kapitalin në mënyrë që shtesa e kapitalit të jetë të paktën e barabartë me 0,02% të vlerës së aseteve në fondin e pensionit që ajo administron. Megjithatë, nuk kërkohet që kapitali të kalojë vlerën 625 milionë lekë.

Sanksionet në rast të ushtrimit të veprimtarisë pa licencë

Në projektligj janë përcaktuar penalitete për shkeljen e dispozitave të tij. Përdorimi nga çdo person i emërtimit “fond pensioni vullnetar” për qëllim fitimi material përbën vepër penale dhe dënohet me gjobë deri në 5 milionë lekë. Kur kjo vepër ka sjellë pasoja të rënda, dënohet me burgim deri në dy vjet, ose me të dyja dënimet. Shkelja nga administratori i një shoqëria administruese ose nga depozitari i dispozitave ligjore që lidhen me dokumentimin e të dhënave përbën vepër penale dhe dënohet me gjobë deri në 5 milionë lekë. Kjo gjobë vendoset në rastet kur shkatërrohet, shkelet, hiqet ose ndryshohet ndonjë dokument a llogari. Kur kjo vepër sjell pasoja të rënda, dënohet me burgim deri në dy vjet, ose me të dyja dënimet bashkë. Në bazë të Nenit 97 të projektligjit, në rastet kur personi ose autoriteti refuzon të japë informacionet e duhura, ai dënohet me gjobë deri në 2 500 000 lekë. Organizimi dhe zhvillimi nga çdo person i një veprimtarie pa licencë ose pa miratimin e lëshuar nga autoritetet, në bazë të këtij ligji, përbën vepër penale dhe dënohet me gjobë deri në 15 000 000 lekë. Kur kjo vepër sjell pasoja të rënda, dënohet me burgim deri në pesë vjet, ose me të dyja dënimet.

24 Shtator 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›