PS: Nuk ka reformë zgjedhore nëse nuk zbardhet e vërteta e 28 qershorit
Shaban Sulçe
Partia Socialiste ka hedhur poshtë pretendimet e maxhorancës, sipas të cilave, kutitë e votimit nuk mund të hapen për shkak se zgjedhjet janë certifikuar nga vendimet që ka marrë Kolegji Zgjedhor. Deputeti socialist, Damian Gjiknuri, tha se alibia për të mos hapur kutitë e votimit është një përpjekje tinëzare për të fshehur të vërtetën që ndodhet në këto kuti. Gjiknuri sqaroi edhe njëherë qëllimin se përse Partia Socialiste kërkon ngritjen e komisionit hetimor parlamentar për hetimin e zgjedhjeve. Duke e cilësuar këtë kërkesë si të drejtë dhe legjitime, deputeti socialist tha se Partia Socialiste nuk kërkon rinumërimin apo rishikimin e vendimeve administrative apo gjyqësore për rezultatin e zgjedhjeve. Gjiknuri nënvizoi se Partia Socialiste nuk mund të bashkëpunojë për realizimin e reformës zgjedhore në rast se nuk zbardhet e vërteta e 28 qershorit.
Komisioni
Deputeti i Partisë Socialiste sqaroi se kërkesa për krijimin e komisionit hetimor parlamentar nuk është bërë me qëllim zëvendësimin e gjykatës, por thjesht dhe vetëm për të zbardhur të vërtetën e zgjedhjeve të 28 qershorit. Ai tha se PS-ja kërkon që ky komision të hedh dritë, të hetojë, duke marrë në administrim të gjitha materialet zgjedhore që janë në kuti, si listat e zgjedhësve, procesverbalet apo edhe fletët e votimit. “Partia Socialiste nuk po kërkon rinumërimin apo rishikim të vendimeve administrative apo gjyqësore për rezultatin e zgjedhjeve. Këto vendime kanë marrë formë të prerë, dhe komisioni hetimor nuk është rruga ligjore për t’i shfuqizuar. Objekt i ankimit në Kolegjin Zgjedhor ka qenë shpallja e pavlefshme e vendimeve të KQZ-së, pasi nuk ishte marrë në konsideratë dispozita imperative për të drejtën e dy anëtarëve për të kërkuar rinumërim, dhe jo që gjykata të kryente rinumërimin fillestar, siç pretendohet nga maxhoranca. Duam të bëjmë me dije se Komisioni nuk do të zëvendësojë gjykatën, pasi nuk mund të marrë vendime për rezultatin e zgjedhjeve. Ajo çka kërkohet është brenda kuadrit kushtetues e ligjor që ka një komision hetimor, duke e veshur këtë me argumentet që ka dhënë edhe Gjykata Kushtetuese.
Pra, në themel, ajo që ne kërkojmë është të hedhim dritë, të hetojmë, që do të thotë të administrojmë të gjitha materialet zgjedhore që janë në kuti, si lista zgjedhësish, procesverbale, apo dhe fletët e votimit, të cilat janë dokumente zyrtare dhe që nuk mbrohen me ndonjë ligj si sekret shtetëror. Si rrjedhim, nuk ka asnjë rrethanë ligjore që të pengojë marrjen e çdo informacioni që do të kërkojë Kuvendi, qoftë ky i mbyllur edhe në kutitë e votimit”, - theksoi deputeti socialist.
Reforma
Më tej, përfaqësuesi i Partisë Socialiste tha se nuk mund të ketë një reformë ligjore për zgjedhjet apo korrigjim të pjesshëm të Kodit për sa kohë që nuk hidhet dritë mbi 28 qershorin, duke filluar që nga ngritja e komisionit hetimor parlamentar. Politika duhet të kuptojë se nëse do të lipset nevoja për një reformë ligjore për zgjedhjet apo qoftë edhe korrigjim të pjesshëm të praktikës, ajo duhet të fillojë me analizën e procesit që kaluam, përfshirë edhe hetimin parlamentar për shkeljet e pretenduara. Një maxhorancë legjitime dhe e bindur në pastërtinë e zgjedhjeve do të kishte interes e para në pastrimin e ndërgjegjes së saj, duke i krijuar mundësi opozitës të hedhë dritë mbi gjithçka që ka një interes publik në lidhje me zgjedhjet”, - tha deputeti i Partisë Socialiste, Damian Gjiknuri.
24 Shtator 2009