Asus sfidon kompaninë Apple
Zëvendës presidenti i kompanisë Asus Xhonatan Tsang, në një intervistë për gazetën “New York Times” ka deklaruar se qëllimi i kompanisë është që në treg të ofrojë produkte “më të mira se ato të Apple”. Edhe pse me netbookun Eee PC ka bërë bujë të madhe në treg, emri Asus ende është relativisht i njohur. Tsang në tentim të rregullimit të këtij problemi ka paralajmëruar qasje më agresive në marketing dhe komunikim më të mirë me blerësit. Në ofertën e vet, Asus ka përfaqësues në pothuajse çdo kategori, nga netbookët, deri tek ultra-laptopët e laptopët, tek nettopët e ekranet e ndjeshme në prekje.
Maus shumëngjyrësh nga Logitech
Logitech ka prezantuar disa modele të mausit të tij kompjuterik V220, të dedikuar kryesisht për përdorim me laptopë, në ngjyra të ndryshme. Logitech V220 është maus me tri taste dhe me standarde pak më të vogla sesa mausat e tjerë standardë, që e bën të rehatshëm për përdorim në kombinim me laptop. Në mënyrë standarde ai mund të gjendet në katër ngjyra (kaltër, rozë, vjollcë dhe të kuqe) dhe tani mund ta blini edhe në ngjyra lara-lara me fotografi të bazuara në këtë ngjyra. Çmimi i këtij miu është 30 dollarë amerikanë. Prodhuesit e tij janë shprehur të kenaqur pasi mendohet se ai do të jetë shumë më efikas dhe komod në punën për hartimin e dokumentave të ndryshme. Nuk na mbetet veçse të presim cili do të jetë rezultati përfundimtar.
Risia Bing “mposht” Yahoo-në
Makina e re e kërkimit të Microsoftit e quajtur Bing, ka tejkaluar rezultatet e kompanisë Yahoo. Sipas statistikave të StatCounter, makina e kërkimit Bing nga Microsofti, vetëm disa ditë pas lançimit i ka grabitur 16.3 për qind të tregut të makinave të kërkimit të internetit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Me këtë rezultat Microsoft ka qenë para 10.2 për qind të Yahoo-së, por larg pas 71.47 për qind nga sa i ka pasur Google. Në nivelin global, Bing gjithashtu ka qenë para Yahoo-së, edhe pse me përparësi më të vogël – 5.62 për qind, në krahasim me 5.13 për qind të cilat i ka pasur Yahoo. Mirëpo, është interesante e dhëna se shumicën e përdoruesve Bing ia ka grabitur gjigantit Google.
13 Qershor 2009