E Shtunë, 31 Tetor 2026

Arrestohet në Rinas duke ikur në Itali, trafikanti i femrave

 

TIRANE - Policia e Rinasit arrestoi dje gjatë tentativës për t'u arratisur drejt Italisë një person të shpallur në kërkim nga Gjykata e Elbasanit, për trafik femrash. Zgalem Behluli, 33 vjeç, u arrestua vetëm disa minuta para se të nisej avioni, me të cilin fluturonte. Verifikimi i gjenealiteteve të rreme në pasaportën që përdorte i kërkuari dhe konfirmimi i të dhënave të tjera personale të këtij personi, e ka nxjerrë zbuluar Behlulin, të cilit brenda pak minutash i janë shtrënguar prangat në duar. Sipas burimeve nga policia mësohet se 33-vjeçari nga Peqini, figuronte në listën e personave në kërkim nga drejtësia shqiptare, që prej datës 1 mars të vitit 2008. Në këtë datë Gjykata e Elbasanit ka caktuar ndaj tij në mungesë masën e sigurisë "arrest me burg", me akuzën e trafikimit të femrave për prostitucion. Ai kishte vetëm disa muaj që ishte kthyer nga Italia, ku mësohet se ka pasur edhe precedentë të tjerë penalë, pasi kishte pasur probleme me policinë edhe në vendin fqinjë. Ndërkohë sipas policisë, ngjarja për të cilën akuzohet Behluli ka ndodhur në vitin 2005, ku ai ka trafikuar një vajzë të mitur në drejtim të Italisë, me qëllim për ta shfrytëzuar si prostitutë. Pasi kanë zbuluar personin që u ka rrëmbyer dhe trafikuar vajzën, kanë qenë familjarët e saj ata që e kanë denoncuar në polici dhe ndaj tij nisën hetimet për trafik femrash. Ndërkohë, policia dhe Prokuroria e Elbasanit arriti të mbledhë prova të mjaftueshme kundër tij, duke dërguar dosjen në gjykatë. Togat e zeza nuk hezituan që të vendosnin masën e sigurisë "arrest me burg" për Zgalem Behlulin, i cili që prej atij momenti u rendit në listën e personave në kërkim nga Interpoli. Tentativa e tij për të udhëtuar në drejtim të Italisë, ka bërë që ai të arrestohet dhe tashmë të përballet me drejtësinë. Drejtësia italiane mësohet se ka sjellë në Shqipëri provat dhe informacionet e mbledhura prej saj në lidhje me aktivitetin kriminal të personit të kërkuar. Bashkë me provat e mbledhura gjatë hetimit në Shqipëri, provat italiane kanë ndihmuar në akuzat e ngritura ndaj Behlulit.   

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›