Kontroll në Hipotekë, me shkelje kryeregjistruesja
Fatos Mahmutaj
Kontrolle në hipo-tekë, gjendet me shkelje kryeregjistruesja e Tiranës Dorina Stringa. Burime nga ky institucion pohojnë se pak ditë më parë kanë përfunduar tre kontrolle në këtë institucion pas të cilëve ka rezultuar se Hipoteka e kryeqytetit ka pasur probleme, përsa i përket mbivendosjeve të pjesshme të pronave apo fshirjes së disa prej pasurive, në të cilat paraqitej më tepër se një pronar. Duke u nisur nga ankesat e shumta të qytetarëve, si dhe detyrimin për të kryer kontrolle rutinë, inspektorët e Zyrës Qendrore të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme muajt e fundit kanë kryer tre kontrolle të njëpasnjëshme në hipotekën e kryeqytetit. Në përfundim të tyre janë evidentuar një sërë shkeljesh të rënda, ku mes punonjësve që kanë kryer ato ndodhet edhe kryeregjistruesja e Tiranës. Stringa ndodhet në krye të ZRPP të Tiranës prej rreth një viti.
Konkluzionet
Pak ditë më parë raportet e kontrollit i janë drejtuar kryeregjistruesit të republikës së bashku me rekomandimet e nxjerra në bazë të shkeljeve të konstatuara. Burime nga Hipoteka pohojnë se shkeljet e konstatuara kanë të bëjnë me mbivendosjet e pronave, fshirjet e pronësive, regjistrime të kryera me dokumentacion të paplotë si dhe në disa raste zvarritje të qytetarëve që aplikojnë për pajisjen me dokumentacion. Po kështu pas kontrollit të kryer në dokumentacionin e hipotekës së kryeqytetit me shkelje janë gjetur edhe disa regjistrues të tjerë, për të cilët gjithashtu në raportin e kontrollit janë rekomanduar edhe masat për ta. Ndërkohë, kontrolle të tjera janë kryer edhe nëpër hipotekat e rretheve të tjerë, ku më problematikët paraqiten rrethet bregdetare, si Vlora e Durrësi, ndërsa muaj më parë në të njëjtën gjendje ka qenë edhe rrethi i Lezhës. Për shkak të kërkesave të shumta për sipërfaqe në këto rrethe, sidomos në zonat e qyteteve dhe në bregdet. Po kështu probleme ka pasur edhe Hipoteka e Lushnjës, në lidhje me disa regjistrime të kryera në sipërfaqe të ndryshme në qytet.
Problemet
Qytetarët pohojnë se mbivendosjet e plota apo të pjesshme të pronave janë problemi më i mprehtë me të cilin përballet Hipoteka e kryeqytetit. Po kështu sipas tyre ky problem nuk ka marrë fund as me fshirjet e pronësive që janë bërë disave, pasi paraqiteshin më shumë se një pronar për të njëjtën pronë. Burime nga hipoteka pohojnë se në javët në vazhdim pritet të kryhen edhe disa kontrolle të tjera nëpër zyrat e regjistrimit të pasurive nëpër rrethe të ndryshme të vendit. Shkak për këto janë bërë ankesat e paraqitura nga qytetarët, të cilët pretendojnë se punonjësit e hipotekave abuzojnë me pronat e tyre. Të paktën në mjaft raste, në bazë të ankesave të qytetarëve janë zbuluar abuzime të kryera nga punonjësit e ZRPP-ve nëpër rrethe të ndryshme, të cilat janë shoqëruar me masat përkatëse ndaj punonjësve të këtyre institucioneve. Gjatë muajit gusht pritet që hipotekat të jenë në punë pasi ky muaj paraqitet si koha që ka fluks të madh pune për shkak të kthimit të emigrantëve, të cilët për-piqen të kryejnë veprimet e ndryshme me pronat që kanë në vendlindje.
Rrethet problematikë
Hipoteka e Vlorës paraqitet si më problematikja, përsa i përket çështjes së regjistrimit të pronave. Kërkesat e shumta për sipërfaqe toke apo për apartamente të reja në këtë qytet e vijën bregdetare të këtij rrethi, ka bërë që të lindin probleme të shumta pronësie, zgjidhjen e të cilave duhet ta bëjë hipoteka. Po kështu me probleme paraqitet edhe hipoteka e Durrësit, rreth ky mjaft i lakmuar nga ndërtuesit apo qytetarët e shumtë. Burime nga Zyra Qendrore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme pohojnë se me probleme është paraqitur disa muaj më parë edhe rrethi i Lezhës, çka solli shkarkimin e kryeregjistruesit të këtij rrethi. Tashmë, sipas burimeve nga Hipoteka në këtë rreth kanë përfunduar mjaft probleme, por vetë pozicioni gjeografik i Lezhës, bën që të ketë kërkesa për blerje sipërfaqesh në zonën e bregdetit.
Mbivendosjet, problemi kryesor i hipotekave
Problemet më kryesore me të cilat hasen aktualisht Zyrat e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme nëpër rrethe të ndryshme kanë të bëjnë me mbivendosjet e pronave tërësore apo të pjesshme, fshirjet e pronësive, pengesat e shumta që sjellin zvarritje të punës si dhe në mjaft raste moskoordinimi i punëve midis hipotekës dhe institucioneve të tjera. Por dixhitalizimi i mjaft zonave ka bërë që një pjesë e problemeve të zgjidhen, ndërsa ka sjellë si pasojë nisjen e mjaft proceseve gjyqësore, ky qytetarë të ndryshëm pretendojnë pronësi të regjistruara në emra të tjerë.