E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zgjidhen me short gjyqtarët e "Gërdecit"

 

TIRANE - Gjyqtari i Tiranës, Kreshnik Omari, do të jetë kryesuesi i togave të zeza që do të "kenë në dorë" dosjen "Gërdeci" në gjykatën e kryeqytetit. Shorti elektronik ka caktuar dje treshen gjykuese që do të shqyrtojë dosjen me 28 të pandehur të akuzuar si përgjegjës për shpërthimin e 15 marsit fabrikën e demontimit të municioneve në Gërdec. Sipas shortit, kryesues i trupës do të jetë gjyqtari Kreshnik Omari, ndërsa anëtarë do të jenë dy gjyqtarët Sokol Tona dhe Martin Deda. Procedura e shortit u zhvillua dje në ambientet e gjykatës së Tiranës në praninë e kancelarit të saj. Por ndërsa u përzgjodhën emrat e gjyqtarëve mësohet se ekziston mundësia, që kryesuesi i tyre të dorëhiqet nga dosja që në seancën e parë të procesit në këtë gjykatë. Sipas burimeve pranë Gjykatës së Tiranës, shkak për dorëheqjen e mundshme është fakti, që një pjesëtar i familjes së tij është e punësuar në të njëjtën zyrë avokatie, prej së cilës mbrohet ligjërisht I. Laçaj, një nga të pandehurit e dosjes "Gërdeci".  Pas zgjedhjes së treshes gjykuese, pritet caktimi i datës kur do të nisë shqyrtimi gjyqësor i dosjes në këtë gjykatë. Dosja voluminoze me 28 mijë faqe mbërriti dy ditë më parë në gjykatën e kryeqytetit. Ishte volumi i madh dhe vështirësia në fotokopjimin e saj, që u pa si pengesë për dërgimin më parë në Gjykatën e Tiranës. "Shpërngulja" e saj nga Gjykata e Lartë në Gjykatën e Tiranës u bë pas vendimit të Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë, që veçoi 28 të pandehurit nga ish- ministri i mbrojtjes Fatmir Mediu. Sipas vendimit të shpallur 20 ditë më parë, në Gjykatën e Lartë do të gjykohej vetëm ish-ministri, ndërsa të pandehurit e tjerë, mes të cilëve edhe të arrestuarit e kësaj dosjeje, Ylli Pinari, Mihal Delijorgji, Dritan Minxolli dhe Sokol Gjeci do të gjykohen në dhomën penale të Gjykatës së Tiranës. Por numri i madh i të pandehurve në këtë proces duket se do të sjellë jo pak probleme për gjykatën e kryeqytetit. Në pamundësi fizike, për një sallë që të nxërë 28 të pandehurit, mbrojtësit e tyre, gjyqtarët, si edhe publik apo gazetarë në dhomën penale, gjykata mendohet se do t'i zhvillojë seancat në dhomën e saj civile. Dosja në ngarkim të së pandehurve të Gërdecit u dërgua për gjykim në 13 mars të vitit 2009. Shpërthimi i fabrikës së demontimit të municioneve në mars 2008 shkaktoi vdekjen e 26 personave, plagosjen e 300 të tjerëve si edhe dëme të shumta materiale.                                  ar.ba

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›