E Diel, 1 Nëntor 2026

Qeveria rrit pagat e administratës deri në 11 për qind



Këshilli i Ministrave miratoi, gjatë një mbledhjeje të zhvilluar dje pasdite, rritjen e pagave për administratën. Rritja e pagave, sipas kryeministrit, vjen në një kohë kur në tërësi pagat po ulen. Por, sipas tij, qeveria nuk ka arsye të heqë dorë nga qëndrimi dhe nga premtimi për rritjen e pagave. Kryeministri theksoi se të ardhurat e realizuara këtë gjashtëmujor prej 151 miliardë lekësh bëjnë plotësisht të mundur rritjen e rrogave të administratës, pa pasur asnjë ndikim mbi borxhin dhe rritjen e tij. Mbështetur në projektin e qeverisë, rrogat e mjekëve do të rriten me 11 për qind, rrogat e infermierëve me 9 për qind, rrogat e mësuesve do të rriten me 6 për qind. Ndërsa pagat e ushtarakëve aktivë në Forcat e Armatosura, të nëpunësve të administratës së prefektit, të nëpunësve të institucioneve në varësi të ministrive, të punonjësve të Policisë së Mbrojtjes nga Zjarri, të punonjësve të Shërbimit Informativ të Shtetit, të punonjësve të sistemit doganor, të nëpunësve të Shërbimit Pyjor, të punonjësve të sistemit tatimor, të punonjësve të Policisë së Shtetit, do të kenë një rritje nga 4 deri në 5.2 për qind. Rrogat e ulëta do të rriten me 10 për qind. Por, ndërsa do të ketë rritje pagash në nivelet e sipërpërmendura të administratës, nga kjo rritje pagash nuk do të përfitojnë drejtuesit e shtetit dhe të administratës që kanë paga të larta. Sipas kryeministrit Berisha, propozimi i bërë për të rritur me 2.5 për qind rrogat e larta, të Presidentit të Republikës dhe rrogat e lidhura me të, rroga e kryeministrit, të ministrave, të zv.ministrave dhe posteve të tjera politike, nuk do të miratohet. “Ne do të bëjmë rritje të të gjitha rrogave të tjera, përveç të lartave. Shpresoj që kjo masë e qeverisë të përshëndetet edhe nga opozita, pasi ky ishte dhe një propozim i saj dhe unë e kam gjetur, absolutisht, të goditur propozimin e tyre”, - u shpreh kryeministri. Më tej, kryeministri Berisha theksoi se rritja e rrogave ka të bëjë, para së gjithash dhe mbi të gjitha, me investimin në burimet njerëzore. “Ne, - u shpreh kryeministri, - i jemi përmbajtur dhe do t’i përmbahemi kësaj politike me bindjen më të thellë se ky është investimi më i rëndësishëm që mund të bëjmë”.

Tabela e rritjes së pagave në administratë

1. Rrogat e mjekëve do të rriten me 11 për qind.
2. Rrogat e infermierëve me 9 për qind.
3. Rrogat e mësuesve do të rriten me 6 për qind.
4. Pagat e ushtarakëve aktivë në Forcat e Armatosura, të nëpunësve të administratës së prefektit, të nëpunësve të institucioneve në varësi të ministrive, të punonjësve të Policisë së Mbrojtjes nga Zjarri, të punonjësve të Shërbimit Informativ të Shtetit, të punonjësve të sistemit doganor, të nëpunësve të Shërbimit Pyjor, të punonjësve të sistemit tatimor, të punonjësve të Policisë së Shtetit, do të kenë një rritje nga 4 deri në 5.2 për qind.
5. Rrogat e ulëta do të rriten me 10 për qind.

Olldashi inspekton segmentin Qafë-Thanë – Lin - Pogradec dhe Qukas - Qafë Plloçë

Përfundojnë punimet për rikonstruksionin dhe zgjerimin e Unazës veriore të qytetit të Korçës. Projekti përfshin segmentin nga kryqëzimi i Ersekës deri në varrezat e qytetit dhe ka një vlerë prej 137 milionë lekësh. Ky segment i përfunduar i Unazës i bashkëngjitet 4 loteve të tjera të përfunduara më parë. Ministri Olldashi ka inspektuar punime dhe në të njëjtën kohë është ndalur dhe në segmentin Qafë-Thanë – Lin – Pogradec, si dhe në Qukas – Qafë Plloçë. Në rrugën turistike Qafë-Thanë – Lin - Pogradec janë shtruar 2 km e parë. Punimet po kryen me ritme të larta dhe në shtator priten të përfundojnë 5 km të tjerë. Segmenti rrugor Qukës – Qafë-Ploçkë është drejt asfaltimit. Tashmë ka përfunduar traseja dhe hedhja e shtresës së stabilizantit, si dhe kanë përfunduar punimet në pjesën më të madhe të veprave të artit. Ky segment, pjesë e Boshtit Juglindor, shkurton me 12 km aksin e mëparshëm rrugor Qukës – Pogradec – Korçë. Gjatë inspektimit të punimeve, ministri Olldashi vlerësoi punën voluminoze të bërë, pavarësisht vështirësive të shkaktuara nga reshjet e shumta të këtij dimri. Ndër të tjera, ministri Olldashi u shpreh: “Siç edhe duket, po marrin formë kilometrat e parë të rrugës Qukës – Qafë-Plloçë, një segment i ri, i cili shkurton me 30 min kohën e përshkrimit të itinerarit drejt qytetit të Korçës”. Ky segment, që shmang korridorin ekzistues Lindje-Perëndim, ka një rëndësi të madhe për zonën pasi i jep një frymëmarrje të re Qukësit, Mokrës e më gjerë, u shpreh kryetari i komunës Qukës.

Parlamenti i BE-së miraton marrëveshjen “SWIFT” me SHBA-të

Parlamenti i Bashkimit Europian ka miratuar marrëveshjen e diskutueshme “SWIFT” për transmetimin e të dhënave bankare në SHBA. Për marrëveshjen votoi një shumicë absolute prej 484 deputetësh, 109 ishin kundër, veçanërisht ekologjistët dhe të majtët, ndërsa 12 deputetë abstenuan. Marrëveshja hyn në fuqi më 1 gusht. Ajo është e vlefshme për pesë vjet dhe lejon hetuesit e SHBA-ve të kontrollojnë transfertat bankare të klientëve në bankat europiane. SHBA dëshirojnë në këtë mënyrë të zbulojë burimet financiare të terrorizmit ndërkombëtar. Në muajin shkurt, Parlamenti në Bruksel e hodhi poshtë një version të marrëveshjes dhe kërkoi më shumë mbrojtje për të dhënat e qytetarëve të BE-së. Për këtë arsye, Komisioni i BE-së me SHBA-të kishin përpiluar një marrëveshje të re, e cila qysh atëherë u përmirësua disa herë.

FMN: Ekonomia Botërore po rritet më shpejt nga sa ishte parashikuar

Sipas vlerësimeve të Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN), ekonomia botërore po përparon më shpejt se pritej më parë. Ky institucion i ka ngritur parashikimet për zhvillimin ekonomik për vitin 2010 në 4,6 për qind. Në muajin prill parashikimet e FMN-së flisnin për 4,2 për qind, ndërsa në fillim të vitit për 3,9 për qind. Në rritjen e shifrave ekonomike ndikojnë veçanërisht të dhënat e fuqive të mëdha ekonomike aziatike, Kinës dhe Indisë. Ekonomitë e tyre mund të rriten në vijim të këtij viti me rreth 10 për qind. Për Gjermaninë FMN-ja parashikon një rritje të ekonomisë me 1,4 për qind.

Kakavijë, nis fluksi i emigrantëve që vijnë në atdhe për pushime

Rreth 3200 emigrantë shqiptarë që jetojnë në Greqi kanë hyrë në atdhe gjatë 12 orëve të fundit të ditës së djeshme përmes pikës së kalimit kufitar të Kakavijës. Fluksi pritet të rritet akoma në ditën në ardhshme, ndërsa në muajin gusht parashikohet një numër akoma më i madh emigrantësh që kthehen për të kaluar pushimet në atdhe. Në dispozicion të emigrantëve janë ngritur 5 sportele në hyrje dhe 3 në dalje, nga 3 dhe 2 që ishin një ditë më parë. Mësohet se fluksi është shfaqur në orët e para të mëngjesit, ku për 12 orë kanë hyrë në Shqipëri afro 3200 emigrantë, 934 automjete, ndërsa dolën 2100 shtetas dhe 560 automjete. Në prefekturën e Gjirokastrës, në kufirin Shqipëri-Greqi, funksionojnë me kohë të plotë dy pika vendkalimi kufitar, Kakavija, rreth 25 kilometra larg qytetit të Gjirokastrës dhe "Tre Urat", rreth 22 kilometra larg qytetit të Përmetit.

9 Korrik 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›