E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha: “Së shpejti përfundon mekanizmi financiar për arsimin e lartë”



Kryeministri Sali Berisha deklaroi dje se së shpejti do të përfundojë mekanizmi financiar për arsimin e lartë. “Asgjë nuk është më serioze për kombin sesa arsimi, ndaj dhe ne së bashku do të bëjmë që të rritim cilësinë dhe kam kënaqësinë që është shtuar numri i studentëve. Do të shtohet sërish numri i tyre. Askush nuk duhet të trembet nga shtimi i numrit të studentëve, prapë do ta rritim. Do të bëjmë që çdo i ri t’i ketë të hapura dyert dhe të ecë mbi bazën e meritës, por jo mbi bazën e pengesës burokratike zyrtare, apo mbi bazën e vështirësisë ekonomike; këto nuk do të ndodhin më”, - u shpreh Berisha.
Deklarata e Berishës për arsimin ka ardhur gjatë përshëndetjes së tij për lançimin e programit “Master” në Universitetin “POLIS” në Tiranë. Kryeministri, pasi përshëndeti këtë iniciativë, shprehu angazhimin e qeverisë për të mbështetur universitetet private në Shqipëri. Kreu i qeverisë vlerësoi vendimin e Universitetit “POLIS” që studimet e masterit të zhvillohen në gjuhën angleze dhe tha se qeveria shumë shpejt do të kalojë ligjin që do ta bëjë testin “TOEFL” të detyrueshëm për masterin. Duke u ndalur te reforma në arsim si një ndër prioritet e qeverisë, kryeministri deklaroi se së shpejti do të përfundojë mekanizmi financiar për arsimin e lartë. Berisha ka falënderuar qeverinë holandeze, që ka zgjedhur këtë fushë me prioritet, por ka zgjedhur edhe këta partnerë të shkëlqyer. “Për ne ka një rëndësi të jashtëzakonshme të zhvillojmë dhe konsolidojmë planifikimin dhe menaxhimin territorial. E vërteta është se impakti në jetën e njeriut është ndër më kryesorët. Impakti në zhvillimin e qytetit është ndër më kryesorët, impakti në zhvillimin e vendit është përcaktues”, - u shpreh Berisha.

9 Korrik 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›