E Diel, 1 Nëntor 2026

Atasheu belg: “Shqipëria drejt BE-së edhe me mallra, shërbime dhe standarde”



Shqipëria gjendet përballë kërkesave gjithnjë e në rritje për tregje dhe produkte të reja. Këtë mund ta mësosh fare mirë nëse viziton panairin ndërkombëtar të “Klik Ekspo Group”. Janë dhjetëra kompani që në stendat e tyre ofrojnë produkte që mund të habisin disi, por pas bisedave me ofruesit e tyre e kupton se shpejt a vonë ne do të jemi klientë potencialë. Pavijoni i Belgjikës ofron fjalën e fundit në disa sektorë, si në energjetikë, ndërtim apo mjekësi. Të afruar nga “Klik Ekspo Group”, përfaqësues të Ambasadës belge në Greqi thonë se kanë parë në Shqipëri mundësi të mira për biznes. Jean Jacques Manigrat, atasheu për Tregtinë në Greqi, rajon që mbulon dhe marrëdhëniet me Shqipërinë, thotë: “Kompanitë belge po testojnë tregjet shqiptare dhe duket se premisat janë të mira”. Në stendën e tyre, në panair, ata tregojnë se e ardhmja e shpejtë do të sjellë disa kompani belge që të shesin prodhimet e tyre në vendin tonë. Ajo që tregohet në stendë është habitëse, pasi janë prodhime të një teknologjie krejt të panjohur në Shqipëri. Kursimi i energjisë dhe mbrojtja e ambientit janë dy qëllimet kryesore që kanë prodhimet në pavijonin belg. Kështu, aty mund të njihesh me disa produkte apo linja që të japin mundësi njëherësh që të kursesh energjinë elektrike, me të cilat mund të ngrohesh apo freskosh mjedise të ndryshme pune dhe banimi. “Janë disa ligje dhe normativa të Bashkimit Europian që po kërkojnë shpenzim sa më të pakët energjie dhe herët apo vonë Shqipëria duhet t’i përgatisë dhe zbatojë këto programe. Njëra prej kompanive ofron marrjen e ngrohtësisë nga toka drejt godinës dhe ambienti mund të ngrohet pa përdorur kondicionerë të ajrit, rezistenca apo pajisje të tjera që konsumojnë shumë energji. Një sistem i ngjashëm është edhe për të ftohur ambientet. Këto pajisje shpenzojnë një të tretën apo një të katërtën e energjisë që përdoret me mënyra tradicionale”, - thotë atasheu ekonomik në Ambasadën belge në Greqi. Një tjetër produkt, po për ngrohje mjedisesh, është ai me pllaka xhami special apo mermeri. Edhe ky produkt kursen energji dhe njëherësh është ekologjik. Në këtë panair, belgët sjellin për herë të parë edhe sistemet e tyre për pastrim të godinave. Po kështu, nuk mungojnë dhe prodhimet kozmetike bio që kompanitë belge ofrojnë për femrat. “Ne ngulmojmë në respektimin e ambientit dhe të shëndetit të njerëzve, gjë që bën që prodhimet tona të jenë më të eksportuarat në botë”, - shprehet z. Manigart. I pyetur për mundësitë e investimit në tregun shqiptar, ai thotë se kompanitë belge kanë testuar me anë të agjentëve të tyre mundësitë për shitje dhe investim. “Panairi Ndërkombëtar i Përvitshëm i Tiranës na ka ndihmuar shumë të krijojmë kontakte të reja si me konsumatorë, ashtu edhe me biznese. Në stendën tonë kemi takuar shumë menaxherë apo drejtues kompanish, të cilët duan të tërheqin prodhimet tona drejt Shqipërisë apo dhe të krijojnë kontakte në Belgjikë”. Në përfundim të bisedës, atasheu ekonomik thotë se politikanët në Shqipëri duhet të kenë parasysh se ligjet e Bashkimit Europian duhet të adaptohen sa më parë. “Një tjetër teknologji që paraqitet në këtë panair është përpunimi i mbetjeve inerte, ndërtimi i landfilleve, trajtimi i ujit apo i dherave që njëra prej kompanive ofron ju thotë që herët apo vonë ju do t’i bëni gjërat siç bëhen në Belgjikë. Për këtë jam i bindur se me anë të këtij panairi kemi treguar se shumë shpejt markat belge dhe prodhimet tona do të jenë në Shqipëri”, - shprehet atasheu tregtar i Belgjikës në Athinë

28 Nentor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›