Panairi i “Klik Ekspo Group”, barometër i zhvillimit të biznesit
Panairi periodik, i organizuar nga shoqëria “Klik Ekspo Group”, është kthyer realisht në një barometër të zhvillimit të biznesit në Shqipëri. Kështu, treguesit e biznesit, të fuqisë blerëse dhe të mirëqenies ekonomike mund të dallohen në nivelin e stendave e pavijoneve të shtrira në këtë panair ose në përshtypjet e vizitorëve. Kjo është përshtypja e parë që i krijon një vizitori panairi i përvitshëm ndërkombëtar i Tiranës. Mjafton të hedhësh një sy të kujdesshëm në stendat e rreth 800 kompanive që marrin pjesë në panairin e organizuar nga shoqëria “Klik Ekspo Group” i këtij viti për të kuptuar se shqiptarët tashmë kanë mundësi të mira blerjeje. Vetë pjesëmarrja e madhe e biznesit të huaj dhe vendas në Forumin e Parë Ekonomik, që u organizua në kuadër të këtij panairi, tregoi qartë interesin e lartë në rritje të investitorëve të huaj për të ardhur e për t’u vendosur me kapitalet e tyre në Shqipëri. Numri i madh i bizneseve, produkteve e shërbimeve, angazhimi i institucioneve publike, financiare private që ofrohen, janë tregues për të kuptuar se tashmë tregu ynë është mëse konkurrues, pasi plotëson shumë standarde. Janë një mori kompanish pjesëmarrëse që tregojnë se niveli i treguesit të këtij barometri të tregut është në lartësinë e tregjeve të Bashkimit Europian dhe më gjerë. Mjaft të shohësh produktet që nisin nga ilaçet e deri te jahtet luksoze për të kuptuar si dhe sa mund të bëhet biznes në Shqipëri. Si në fjalimet e mbajtura në Forumin e Parë Ekonomik, të organizuar në ambientet e Panairit Ndërkombëtar, ashtu dhe në bisedat e lira që bëjnë menaxherë dhe përfaqësues kompanish në stendat e tyre, kupton se ‘kohët me diell’ janë të pranishme edhe në Shqipëri.
28 Nentor 2008