E Diel, 1 Nëntor 2026

Suksesi i jahteve vetëm në panair, moratoriumi nuk i lejon të lundrojnë

Flet Agim Neli, përfaqësuesi i kompanisë “Nelmar” .

“Kemi ngelur mëse të surprizuar nga interesi dhe mundësitë për të bërë biznes këtu”, - kjo është përshtypja e parë që të japin përfaqësues të kompanisë “Nelmar”, të cilët për herë të parë kanë sjellë jahte për shqiptarët. Në panairin e organizuar nga “Klik Ekspo Group”, ata kanë ekspozuar vetëm një prej modeleve të vogla. Mirëpo, ky jaht dymotorësh ka tërhequr atë pjesë të shqiptarëve që ëndrrën për të pasur një mjet luksoz lundrimi e kanë bërë realitet tashmë. Vetë pronari i “Nelmar”, Agim Neli, thotë se çdo ditë të panairit njeh më shumë vizitorë te stenda ku është ekspozuar jahti prej 13 metrash. “Biznesmenë, njerëz të pasur në Shqipëri dhe më së shumti pronarë të hoteleve turistike, vijnë e marrin informacion rreth mjeteve lundruese që ofrojmë. Me njohuritë e mia në këtë fushë, them se shitjet do të jenë të kënaqshme. Nuk e kishim pritur këtë interes për produktet tona. Po kështu, edhe kërkesa për një turizëm elitar ka sjellë te ne persona të interesuar”, - thotë Agim Neli, president i “Nelmar”. Ai shton më tej se ka qenë mundësia e ofruar nga “Klik Ekspo Group” për të pasur kontakte dhe përfaqësim sa më të mirë të jahteve dhe shërbimeve të tjera që ofron “Nelmar”. Sipas zotit Neli, nuk ka pasur mënyrë më të mirë se në panairin ndërkombëtar për të reklamuar jahtet e markës “Absolute”. “Jam shumë entuziast për shitjet në të ardhmen. Kemi nisur lëvizjet tona si biznes për të pasur diçka më shumë se një zyrë në Shqipëri”, - shprehet Agim Neli. I pyetur se si i shikon ai shqiptarët dhe Shqipërinë përsa i përket mundësive ekonomike, Neli thotë se ka shumë potenciale për tregun ku ai operon. “Ne kemi klientë të veçantë. Ne nuk shesim produkt brenda ditës, pasi çmimet dhe kushtet e tjera nuk lejojnë një blerje të shpejtë. Por, në Shqipëri ka blerës të tillë, gjë që tregon se biznesi, por edhe ekonomia në përgjithësi, është e qëndrueshme dhe në rritje”, - shprehet presidenti i “Nelmar”.
Moratoriumi
Deri tani, pengesa e vetme për shitësit e jahteve është moratoriumi i skafeve. Kompania “Nelmar” ka qenë në panairin e “Klik Ekspo Klik” edhe para tre vitesh por pas pak javësh qeveria me ligj ndaloi përdorimin e mjeteve lundruese nga shqiptarët. Një gjë e tillë, sipas kompanisë “Nelmar”, nuk ishte vetëm një problem për biznesin që operon në këtë fushë, por edhe për turizmin. Përfaqësuesi në Tiranë i “Nelmar”, Adriatik Molla, thotë se vendimi i qeverisë për të ndaluar lundrimin në Shqipëri ka frenuar biznesin e jahteve. “Moratoriumi përfundon më 26 janar, pra pas rreth dy muajsh. Ne kemi shpresa të mëdha se nëse nuk do të ketë ndonjë vendim nga qeveria, të ngjashëm me moratoriumin, do të nënshkruajmë kontrata me shtetas shqiptarë”, - bën të ditur Adriatik Molla. Më tej, përfaqësuesi i “Nelmar” sqaron se pothuajse të gjithë vizitorët e stendës dhe të jahtit që ata kanë ekspozuar janë në dijeni të afateve të moratoriumit. “Njerëzit kanë dëshirë të lundrojnë. Kemi parë edhe familje të pasura, që mendojnë të kenë një mjet lundrues. Ajo që dua të them është se ka pasur më shumë interes për mjete mesatare, pra jahte luksozë, që mund të arrijnë gjatësinë deri 40 metra”, - tregon Molla. Duke parë eksperiencat në Itali, Spanjë, Mal të Zi e shumë vende të tjera bregdetare, përfaqësuesi i “Nelmar” thotë se një vendim i tillë do të dukej krejt absurd në ndonjë shtet tjetër.
Turizmi
Me një jaht mund të bësh edhe biznes. Shumë prej hoteleve në Turqi, Mal të Zi dhe vende të tjera kanë një apo më shumë jahte, që i përdorin për klientët e tyre. Duket se interes në blerjen e një jahti kanë shfaqur dhe shumë pronarë hotelesh në Shqipëri. Në mjetin 13-metërsh, ekspozuar në panairin ndërkombëtar të “Klik Ekspo Group”, kanë qëndruar shumë pronarë hotelesh, të cilët kanë marrë dhe listën me opsionet teknike të një jahti. Nga kontaktet dhe bisedat e bëra, përfaqësues të kompanisë që prodhon jahte tregojnë se shumë hotele në bregun e Jonit apo të Adriatikut mendojnë që të kenë në pronësi një jaht, kjo vetëm për të rritur aktivitetin e tyre. “Pronarë apo menaxherë të disa hoteleve në Vlorë, Durrës dhe vende të tjera janë informuar te ne për çmimet dhe detaje të tjera të prodhimeve tona. Ne kemi biseduar me ta dhe po shikojmë mundësitë për shitje, duke përdorur dhe mënyra ‘leasing-u’, (kredi) apo të tjera, por gjithmonë pas mbylljes së moratoriumit”, - sqaron Adriatik Molla. Ai shton: “Ne dhe shumë shqiptarë të tjerë kemi parë që turizmi në bregdet nuk mund të konceptohet pa një mjet lundrimi”. Pronarët e hoteleve, që kanë biseduar në stendat e “Klik Ekspo Group”, janë mëse të qartë në atë që kërkojnë: të konkurrojnë Malin e Zi, Turqinë dhe Greqinë. “Por, pa një jaht, çfarë kuptimi do të kishin pushimet?”, - të thonë në stendën e këtij panairi.
Kantieri
Një ndër planet e ardhshme të kompanisë “Nelmar” është hapja e një minikantieri në Shqipëri. “Jemi të bindur që do të ketë shitje dhe neve na nevojitet ngritja e një minikantieri për shitje, servis dhe shërbime të tjera”, - bën të ditur Adriatik Molla. Kompania ka një kantier në Piacenca të Italisë, ku janë të punësuar 37 shqiptarë. Kompania që drejtohet po nga shqiptarë është nënkontraktore e “Absolut”. Jahtet e këtij kantieri mbajnë vetëm motorë “Volvo Penta”. Jahtet e “Nelmar” variojnë nga 13 deri në mbi 40 metra. Një jaht mund të pajiset me aksesorë luksi dhe teknike. Çmimet variojnë nga 410 mijë deri në 880 mijë euro. Me pak fjalë, çdokush mund të bëjë llogarinë se sa shqiptarë mund të kenë luksin që të blejnë një jaht, dhjetëra, apo jo?

28 Nentor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›