Javën e ardhshme nis në Gjykatë procesi për patentat false
Tiranë - Procesi në ngarkim të pesë të personave, të cilët akuzohen për afera korruptive me dhënien e lejeve për drejtim mjetesh, do të zhvillohet javën e ardhshme. Vendimi u mor nga Gjykata e Shkallës së Parë Tiranë pas dështimit dje të seancës së radhës për shkak të mungesës së përfaqësuesit të Prokurorisë së rrethit. Të pandehur në këtë proces janë: Kadri Dajçi, Emiljano Kau, Jonuz Meshi, Qazim Hoxha, Sokol Bresa, të cilët dyshohen se kanë abuzuar me dhënien e patentave gjatë kohës që ushtronin funksione publike. Dy nga të pandehurit mbanin më parë funksionin e anëtarit në komisionin për vlerësimin e kursantëve që kërkonin të pajiseshin me leje drejtimi mjetesh, ndërsa të tjerët janë drejtues dhe instruktorë të një autoshkolle. Këta persona janë arrestuar para një viti në një operacion të organizuar nga Policia e Tiranës dhe Njësia Antikorrupsion në Prokurorinë e rrethit.
Arrestohet 20-vjeçari, dyshohet për disa vjedhje makinash
Tiranë - Pas një operacioni policor të koduar “Studenti” u arrestua 20-vjeçari, ndërsa është në kërkim një tjetër, nën akuzën e vjedhjes së automjeteve. Sipas policisë, rreth orës 02:00 është kapur në flagrancë shtetasi Klaudio Ujkaj, lindur dhe banues në Lezhë, student në Fakultetin Gjeologji - Miniera Tiranë. Arrestimi i tij u bë pasi akuzohet se në bulevardin “Bajram Curri”, përballë Urës së Tabakëve, në bashkëpunim dhe me një shtetas tjetër të identifikuar, gjeneralitetet e të cilit për arsye hetimi nuk jepen, është kapur në flagrancë duke vjedhur mjetin veturë tip “Benz - mercedes 250”, me ngjyrë të bardhë, me targa TR 7336 G, në pronësi të një shtetasi. Ndërkohë po vazhdon puna për kapjen e bashkëpunëtorit të tij, cili është larguar menjëherë nga vendi i ngjarjes. Këta shtetas dyshohen se janë autore të disa vjedhjeve të mjeteve, ndër të cilat dhe vjedhjes së mjetit tip “Benz-mercedes”, me targa DR 4448 D, në pronësi të shtetasit E. S, ndodhur në Qytetin Studenti me datë 27.11.2008. U kryen veprimet hetimore dhe procedurale, në cilësinë e provës materiale u sekuestruan: dy maska, 10 sensorë veturash të ambalazhuara në qese plastike, një darë për prerje hekuri, tre kaçavida të ndryshme, dy lima me bisht, një sharrë hekuri, disa çelësa ekzagonal, tre çelësa kuadri për vetura, një çift pasqyrash me sinjale tip “Benzi” dhe një dorezë metalike. Materialet në ngarkim të tyre i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë për veprat penale të “vjedhjes në bashkëpunim”.
28 Nentor 2008