“Atdheu në rrezik” i Aleancës së Dushkut braktiset nga kryeqyteti
Të vegjlit opozitarë organizuan dje një miniprotestë në qendër të Tiranës, me idenë se mbetet e vetmja rrugë zgjidhjeje për cështjen e ndryshimeve kushtetuese, të kontestuara fort nga LSI, PAD, PDS, por jo nga PSD-ja e Gjinushit, megjithëse është parti në minorancë dhe vihet në dyshim jetëgjëtësia e saj, aq më tepër përfaqësimi në Kuvend në zgjedhjet parlamentarë të vitit 2009. Nën kryesimin e LSI, të vegjlit opozitarë, renditën një sërë akuzash në drejtim të kryeministrit Berisha dhe kryetarit të Partisë Socialsite Edi Rama, duke e konsideruar 21 prillin, ditën e miratimit të sistemit ri elektoral, si atentat ndaj kushtetutës. Në këtë këndvështrim, këto parti të vogla, që janë trembur nga ndryshimi i sistemit të ri elektoral, për faktin se nuk janë të favorizuara të kandidojnë vetëm në zgjedhje, pasi realisht vetëm në koalicione përfaqësimi i tyre në kuvend është evident, pasi kapërcehet pragu në rajonin përkatës, i cili varion sipas numrit të popullsisë me të drejtë vote, megjithatë nuk i kushtojnë rëndësi se me me sistemin e miratuar shmangen fenomene si transferimi i votave, që shkaktojnë edhe deformimin e vullnetit të zgjedhësve, e njohur shkurtimisht si fenomeni i “Dushkut”. Me miratimin në Kuvend të ndryshimeve kushtetuese, që shënoi edhe shembjen e fenomeneve të dëmshëm elektorale, partitë e vogla të udhëhequra nga LSI po tregojnë se janë të interesuara të aplikohet ende sistemi i vjetër ekzistuese, pasi, pa procesin e transferimit të votave dhe deformimin e vullnetit të zgjedhësve, këto parti e kanë të pamundur të bëhen pjesë e sallës legjislative. Kjo tregon se në gjirin e politikës shqiptare, jo të gjithë janë të vendosur për shmangin e ‘dushkut’, por eksponentë të caktuar po demonstrojnë strategjinë deformimit dhe transferimit të votave nëpërmjet pazareve elektorale. Gjatë protestës, kreu i LSI-së, Ilir Meta, tha se atentati i 21 prillit, përbën një goditje të rëndë ndaj Kushtetutës së vendit. Meta ka deklaruar se një veprim i tillë nuk do të gjejë kurrë mbështetje dhe do të kundërshtohet si nga politika, ashtu dhe nga shoqëria civile. “Ne nuk do të bëjmë asnjë kompromis me atentatin kushtetues të 21 prillit, pasi parimi i ndarjes së pushteteve është vija ndarëse mes demokracisë dhe diktaturës. Ne kurrë nuk mund të pranojmë që Kuvendi i Shqipërisë, gjykatat dhe institucionet kushtetuese të kontrollohen rreptësisht nga kryeministri Sali Berisha”, deklaroi Ilir Meta. Sipas tij këtij, angazhimi i është përgjigjur shoqëria shqiptare. “Ne do mbështesim qytetarët shqiptarë. Kjo është një betejë për të ardhmen e Shqipërisë dhe të fëmijëve tanë”, ka shtuar Meta. Ndërsa, Kryetari i Partisë Demokracia Sociale, Paskal Milo, tha se për ndryshimet kushtetuese duhet të votohet referendumi. “Të jemi të bashkuar sepse kur jemi bashkë nuk ka forcë që të na ndajë. Të shkojmë së bashku drejt referendumit dhe të fitojmë. Me referendum fitojnë të gjithë shqiptarët”, është shprehur Milo. Në fjalën e tij, kryetari i PAD-se Neritan Ceka është shprehur se vendi është në rrezik nga këto ndryshime. “Jemi këtu sot për të mbrojtur Republikën e Shqipërise e cila është në rrezik. Si deputet i parë opozitar në Parlamentin e Shqipërisë bëj thirrje që secili prej jush ta çojë këtë mesazh tek 100 ose 1 mijë qytetarë të tjerë. Ata nuk do të kalojnë mbi Kushtetutën toneë”, është shprehur Ceka. Korrespondenti i gazetës ishte dje në Çorovodë dhe në Poliçan dhe vërejti nga afër angazhimin e madh të degës vendore të LSI-së për të sjellë “protestues” për në kryeqytet. Me njërin nga këto autobusë udhëtoi edhe korrespondenti ynë, i cili raportoi se rreth 10 autobusë u ankoruan në fushën pranë aeroportit të vjetër të Tiranës, pas mesditës, duke “shkarkuar” protestuesit, të cilët ishin edhe segmentet më aktive në protestën e mbrëmshme në Sheshin Skënderbej. Protesta shkoi përgjithësisht mirë e pa incidente, ndërkohë që ende s’është e qartë se si do të jetë kalendari i turit “dushkar” të protestave.