Evropa kujton 9 majin e themelit të Bashkimit Evropian
Evropa pa përkujtuar dje 9 majin e vitit 1950, kur u hodh ideja e parë për krijimin e Komunitetit të Përbashkët Evropian, që sot njihet si Bashkimi Evropian. Më 9 maj 1950, Robert Shuman paraqiti propozimin për krijimin e një Europe të organizuar, si domosdoshmëri për ruajtjen e lidhjeve paqësore. Ky propozim, i njohur si “Deklarata Shuman”, konsiderohet si fillimi i krijimit të atij që sot njihet si Bashkimi Europian. Data 9 maj është kthyer në symbol të Ditës së Europës, e cila së bashku me flamurin, himnin, moton dhe monedhën e përbashkët, identifikojnë qenësinë politike të Bashkimit Europian. Me këtë rast, Kryeministri Berisha ka marrë pjesë dhe në ceremoninë e Ditës së Europës organizuar nga Delegacioni i Komisionit Europian në Tiranë. Në këtë ceremoni merrnin pjesë Ambasadori i Delegacionit të Komisionit Europian në Tiranë, Helmut Lohan, përfaqësues të Trupit Diplomatik të akredituar në Tiranë, Presidenti i Republikës Bamir Topi, deputetë dhe politikanë të të gjitha forcave politike. Në ceremoninë e organizuar me rastin e ditës së Europës, Ambasadori i Delegacionit të Komisionit Europian në Shqipëri, Helmuth Lohan tha se kushtet për më tepër dialog ndërkulturor janë hedhur tashmë, pasi Shqipëria është angazhuar që të ndërmarrë e të vërë në zbatim reforma në të gjitha ato fusha që përbëjnë pikat më kyçe të vlerave që ndajmë së bashku. “Dita e Europës është një rast i privilegjuar në të cilin ne kemi mundësinë të rikujtojmë dy aspektet kryesore të Bashkimit Europian, bashkimin dhe diversitetin e tij. Bashkimi gjendet në vlerat e BE-së të cilat ndahen në të gjithë territorin e saj: paqja, demokracia dhe shteti i së drejtës si edhe respekti për të drejtat e njeriut. Diversitetin e shohim në mendësitë dhe temperamentet e ndryshme të të gjitha shteteve anëtare, në gjuhët e ndryshme, besimet fetare dhe origjinën etnike. Pra, diversiteti gjendet në këto kultura të ndryshme”, tha Ambasadori Lohan. Lohan vlerësoi se Europa po bëhet gjithnjë e më e larmishme në aspektin kulturor, pasi zgjerimi i Bashkimit Europian, lehtësimi i ligjeve të punësimit dhe globalizimi e kanë diversifikuar karakterin multikulturor të shumë shteteve anëtare. “Parlamenti Europian dhe Këshilli i Bashkimit Europian e kanë shpallur vitin 2008, Vitin Europian të Dialogut Ndërkulturor, duke e kthyer atë në një ftesë për të gjithë ata që jetojnë në Europë, që jo vetëm t’i eksplorojnë bukuritë e trashëgimisë sonë të pasur kulturore, por edhe të mësojnë nga traditat e ndryshme të të tjerëve. Por, ky dialog mes kulturave nuk ndalon në kufijtë e Bashkimit Europian: 2008 është shpallur edhe viti euromesdhetar i Dialogut mes Kulturave. Shqipëria është europiane, është edhe mesdhetare dhe si rrjedhojë zëri i saj duhet të dëgjohet fort e qartë në dialogun ndërkulturor, dhe jo vetëm gjatë vitit 2008”, shtoi më tej Ambasadori i Delegacionit të Komisionit Europian në Tiranë. Dialogu mes kulturave, vijoi më tej Z. Lohan do të thotë edhe dialog mes individëve, dialog ‘mes meje e teje’, siç thuhet edhe në moton e Javës Europiane të këtij viti.