E Shtunë, 31 Tetor 2026

Protesta e djeshme, Berisha: Është krijuar komiteti i hipokrizisë kombëtare për shpëtimin e Dushkut

Protestave të LSI-së dhe të disa partive të tjera të vogla, që u iniciuan dje në sheshin “Skënderbej”, për të kundërshtuar ndryshimet kushtetuese, mazhoranca u është kundërpërgjigjur duke i konsideruar si përpjekje për të krijuar Komitetin Kombëtar për Shpëtimin e “dushkut”. Pas ndryshimeve që pësoi ligji themeltar i shtetit, në mbrëmjen e 21 prillit, duke miratuar me 115 vota ‘pro’ ndryshimin e disa neneve kushtetuese që lidheshin me zgjedhjen e Presidentit të Republikës, mandatin e Prokurorit të Përgjithshëm, mocionin ndaj kryeministrit edhe sistemin elektoral në vend, duke kaluar në një sistem proporcional rajonal, u krijua edhe hendeku i mosmarrëveshjeve politike ndërmjet LSI-së dhe mbështetësve të saj si PSD dhe PAD në njërën anë, e PS e PSD-së në anën tjetër, duke kundërshtuar edhe bashkëpunimin me mazhorancën në dobit të realizimit të reformave. Në këtë këndvështrim, LSI organizoi dje protestën e radhës të identifikuar si protestë opozitare, në shprehje të indinjatës për ndryshimet kushtetuse dhe reformimit që i’u bë sistemit elektoral në Shqipëri, duke dalë hapur në mbështetje të sistemit ekzistues që prodhonte edhe fenomenin e deformimit të votave. Në lidhje me tubimin e LSI-së, dhe krijimin e Komitetit Kombëtar të Shpëtimit, Kryeministri Berisha deklaroi se qëndrimi i tij ndaj opozitës është bashkëpunim dhe vetëm bashkëpunim dhe se ky komitet është krijuar për të shpëtuar Dushkun’. “Natyrisht opozita bën zgjedhjen e saj. Ajo çka mund të them unë, është se krijimi i Komitetit Kombëtar për Shpëtimin e “Dushkut” mund të quhet ndryshe Komiteti i Hipokrizisë Kombëtare. Le t’u kthejmë në memorie qytetarëve, kur këta njërëz që sot thërrasin rroftë “Dushku” kishin 4- vjet që bërtisnin poshtë “Dushku”. Çfarë mund t’u thuash këtyre”, deklaroi kryeministri Berisha. Përsa i takon prezantimit të G99 si një forcë e re politike, Berisha tha se “pikërisht në vendin e organizatës “Debatik” u themeluan debatikasit e rinj”. “I patë vetë në terr dhe në errësirë dhe me këtë i them z. Rama se Shqipëria me debatikas nuk shkon përpara. Shkohet përpara me shoqëri informacioni, me shoqëri dijeje, shkohet përpara me vizione për të ardhmen dhe jo me nostalgjira për të shkuarën”, shtoi më tej kreu i qeverisë. Ndërkaq, kryeministri Berisha ka shprehur se është i gatshëm që me opozitën të ketë një bashkëpunim edhe më të frytshëm, duke theksuar se, qëndrimi i tij ndaj opozitës, “është bashkëpunim dhe vetëm bashkëpunim”. Ndërkaq, lidhur me takimin e zhvilluar me kryetarin e PS-së Edi Rama dhe atë të LSI-së Ilir Meta me rastin e dy vjetorit të nënshkrimit të MSA-së Shqipëri-BE, Berisha tha se “mendoj se në atë konferencë ka patur një zhvillim jashtëzakonisht pozitiv dhe zhvillimi më pozitiv ka qenë se të dy palët, qeveria dhe opozita u zotuan publikisht për të shembur murin e imunitetit”. Në këtë drejtim kreu i qeverisë për vazhdimin e reformës kushtetuese si një dëshmi e një ndarjeje të përgjegjshme, të përgjegjësisë dhe vizionit të përbashkët për problemet themelore të këtij vendi.
 Leonard Quku

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›