E Shtunë, 31 Tetor 2026

Atdheu, një histori mes ngujimit e ç’ngujimit



“Atdheu, një histori ngujimi e ç’ngujimi” titullohej spektakli premierë i konceptuar me ide e muzikë të Aleksandër Peçit, i cili më datë 26 nëntor në sallën e Teatrit Kombëtar kishte për protagonist formacionin tashmë të mirënjohur “Camerata e Tiranës”, e dirigjuar nën baketën e mjeshtrit Zhani Ciko dhe me pjesëmarrjen e jashtëzakonshme të aktorëve Tinka Kurti, Margarita Xhepa, Mirush Kabashi, Bujar Asqeriu, Fatos Sela, Vasian Lami, i cili organizoi si regjisor e prezantues gjithë spektaklin. I dhënë në kuadër të festave të nëntorit të pavarësisë dhe 65-vjetorit të Çlirimit, ky spektakël jashtëzakonisht dinjitoz për nga vlerat e muzikës së Peçit, i cili nga cikli prej 30 veprash “Alpine string solli” këtë mbrëmje 9 vepra premierë botërore, për nga vlerat e “Camerata e Tiranës” që nën thellësinë interpretative të Cikos zbërthyen vlerat emocionale e origjinale të veprave të Peçit, për nga vlerat e mrekullueshme që përcollën tek spektatori idetë e fuqishme të poezive të F. Noli, V. Pasha, A Shkreli, At Vinçenc Prenushi, L. Poradeci, Xh. Spahiu, Mjeda D. Mehmenti, N Frashëri, Fishta, A Asllani, I. Kadare, F Harapi, timbrikat sa brilante, të ngrohta e njerëzore, aq dhe patetike e të fuqishme të aktorëve që i recituan këto poezi: Xhepa, Kurti, Kabashi, Sela, Asqeriu, Lami, që spektatori të përcjellë spektaklin me emocione të forta dhe duartrokitje të gjata.

Cikli “Alpine string” i Aleksandër Peçit, një korpus gjigant prej 30 veprash për orkestër harqesh me rreth 2600 faqe kompozicionale shkruar në një kohë rekord shkurt-qershor 2009, i cili tashmë është i gjithi i botuar nga vetë titujt që do të lexoni në vijim, përmban ide të fuqishme në atë rrugëtim sa historik, sa mitik, sa etnik, sa dramatik e sa jetësor të shqiptarëve. Fataliteti i shqiptarit ka qenë i tillë, që jo vetëm jeta e individit ka qenë një histori mes ngujimit e ç’ngujimit (ku Kodi i gjakmarrjes, që funksionon prej 500 vjetësh i ka bërë qindra familje shqiptare në Alpet e Veriut të ngujohen duke u mbyllur në shtëpi nga frika e gjakmarrjes), jo vetëm jeta e intelektualit ka qenë një histori mes ngujimit e ç’ngujimit, por dhe fati i shoqërisë shqiptare, fati i atdheut ka qenë një histori e tillë mes ngujimit a izolimit e vdekjes nga njëra anë dhe mes ç’ngujimit apo lirisë, pavarësisë, jetës, ekzistencës, mbijetesës nga ana tjetër. Në këtë kuptim, cikli “Alpine string”, që nga vetë fjala Alpine i mbrujtur si një teknologji kompozicionale e Peçi mbi rrënjët sonore të Eposit të veriut të Shqipërisë, është një piskamë e fuqishme për me i thanë vdekjes “jo”. Kjo piskame e fuqishme, e cila rrjedh prej molekulave sonore të Maj Krah prej Kohërash Rapsodish Alpine me Jehonë e thyer Elegjish, prej Muijanëve në kohë krismash, prej Zgafellave të Muijanëve që dalin me çetue, prej logut të ritmeve, e Logut të sharkive e çiftelive, ku gjëmon gjema “Heu si s´kam një grusht t’i bij Malit që s´bzan” apongurji dhe ç’ngurjimi tek vepra Dasmorët e ngurtësuem, (Alpine string No 30) përshkon thelbin dramaturgjik të ciklit “Alpine string”, por dhe të spektaklit “Atdheu”. Por si cikli dhe spektakli duke sjellë tituj kontrastues si “Kroni i zanave”, “Vallëzimi i ujërave”, “Vallëzimi i luleve, “Diellore”, “Ski Sky” (të cilën Peçi e ka konceptuar si një patinazh arabeskash glisandosh të një tufë dallëndyshes në qiell që paralajmërojnë pranverën) sjellin perspektivën e kësaj piskame që duket sikur kërkon me i thënë vdekjes “jo”, e për t’i dhënë hapësirë mesazheve të shpresës, ujërave e luleve që vallëzojnë, mesazheve të jetës e Paqes.

Për të qenë më konkrete idetë e ciklit “Alpine string” të Aleksandër Peçit, po japim 30 titujt e veprave të këtij korpusi për orkestër harqesh

Alpine string Nr 1 - Kohë Rapsodish Alpine / Time of Alpine Rhapsodies

Alpine string Nr 2 - Jehonë e thyer Elegjish / Broken echo of Eligies

Alpine string Nr 3 - Logu i vallëzorëve / The land of dancing girls

Alpine string Nr 4 –Maj krah i ngujuar

Alpine string Nr 5 -Muijanët në kohë krismash / Muijanet in gun banging times

Alpine string Nr 6- Erë alpine / Alpine wind

Alpine string Nr 7 -Logu i lojërave / The land of games

Alpine string Nr 8 -Ngujimi

Alpine string Nr 9 -Riliev Alpin / Alpine Relievo

Alpine string Nr 10 -Vallëzimi i luleve / Dance of flowers

Alpine string Nr 11 -Vallëzimi i ujërave / Dance of waters

Alpine string Nr 12 -këngë Maj krahu

Alpine string Nr 13- Lamtumirë baruti në Alpe / Gunpowder´s farewell in the Alps

Alpine string Nr 14 -Gjëmon Gjema / Roaring calamity

Alpine string Nr 15 -Logu i ritmeve / The land of rhythms

Alpine string Nr 16 -Logu i sharkive e çiftelive

Alpine string Nr 17 -Aurorë në Alpe / Aurora in the Alps

Alpine string Nr 18 -Logu i lahutave / Land of Lahutas

Alpine string Nr 19 -Natë Migjeniane / Migjenian evening

Alpine string Nr 20 -Heu si s´kam një grusht t’i bij Malit që s´bzan

Alpine string Nr 21 -Dritë Hijë Alpine / Alpine lights and shadows

Alpine string Nr 22 –Diellore / Solar

Alpine string Nr 23 –Ski Sky

Alpine string Nr 24 -Logu i burrave / The land of men

Alpine string Nr 25 –Kroni i vashave / The land of maidens

Alpine string Nr 26 -Alpinet në festën e karnavaleve /

The alpins in Shkodra during the Carnivals festival

Alpine string Nr 27 –Çu këput një këngë mali

Alpine string Nr 28 –Zgafella e Muijaneve

Alpine string Nr 29 –Muijanet çetuejn

Alpine string Nr 30 –Dasmorë të ngurtesuem

Është me interes t’i bëjmë me dije publikut se Peçi vetëm brenda periudhës maj-tetor 2009 i dha kulturës kombëtare 64 tituj të rinj botimesh muzikore (nga 530 tituj në total që ai ka). Është ky një kontribut i jashtëzakonshëm i Peçit dhe Aelfior që konsolidon një nocion të ri, që Peçi dhe Aelfior kanë sjellë: Letërsinë Muzikore të botuar.

Letërsia muzikore e botuar konsolidon 2 kolona të fuqishme në kulturën muzikore: Identitetin e Kombit dhe Integrimin kulturor në hapësira evropiane. Vetëm në periudhën maj-dhjetor 2009 mund të përmendim se Peçi ka pasur 30 performanca internacionale në Sofje me “Sofie Solists”, në Brescia e Cremona me “Dedalo ensemble” e Vittorio Parisi, në Prishtinë, Sudan e Utreht me pianistin holandez, Marcel Worms në Radio France Internacional, si dhe 46 performanca veprash të Aleksandër Peçit në aktivitete të rëndësishëm si Pallati i Brigadave me “Sofie solists” (29 shtator) Festival të muzikës kontemporane, teatër kombëtar dhe një serial “conceratolo-promocional” që do të zhvillohet në dhjetor me artistët: sopranon Marana Leka, pianistin Elvis Peçi, esop. Ardita Meni, pianisten Fatma Spahiu, flautestet Elvis Rudi dhe Enalda Gjoni, e quartet Fiatti (Rudi Barbullushi, Gjoka Jaho). Për të njoftuar publikun Aelfior veç veprave të Peçit ka botuar e publikuar dhe vepra të Zadejës, Jakovës, Krajës, Sinës, Zaharja-n, Çene Çekiçi, Bicaj, Lelo, dhe mjaft autorëve të rinj nga vende të ndryshme të botës, pjesëtare në konkursin ndërkombëtar për kompozitorët e rinj Ton de Leeuw që Aleksandër Peçi ka organizuar. Spektakli “Atdheu” u realizua me bashkëpunimin e shoqatës “Aelfior”, drejtuar nga Aleksandër Peçi dhe Teatrit Kombëtar me drejtor Kristaq Skramit, si dhe me mbështetjen e Ministrisë së Kulturës e Fondacionit të Holandës “Claus Found”. Telespektatori i TVSH do të ketë rastin të shohë së shpejti një emision me regjistrime e intervista nga ky spektakël jashtëzakonisht dinjitoz që zbukuroi atmosferën e festave të nëntorit në kryeqytet.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›