E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fushë-Krujë, vritet brenda në fabrikën e çimentos 17-vjeçari



Një adoleshent ka humbur jetën, pasi u qëllua me armë zjarri në Fushë-Krujë. Ngjarja ndodhi në pasditen e djeshme brenda ambienteve të fabrikës së çimentos. Sipas burimeve nga policia, viktima është 17-vjeçari Avdyl Zalla. Adoleshenti u qëllua me armë zjarri nga roja i fabrikës me inicialet M.R., i cili ka dyshuar se viktima kishte hyrë në fabrikë për të vjedhur. Policia shkoi në vendngjarje, ku ngriti një grup pune për të zbardhur këtë ngjarje.

Ngjarja

Rreth orës 15:00 të ditës së djeshme, roja i fabrikës së vjetër të çimentos në Fushë-Krujë ka parë brenda ambienteve të saj një person. Pas disa sekondash, ky i fundit si pasojë e plumbit të marrë është shtrirë në tokë i plagosur. Menjëherë është lajmëruar policia, ndërkohë që ndaj të plagosurit 17-vjeçar është dhënë ndihma e parë, duke e dërguar atë në Spitalin Ushtarak të Tiranës. Por, adoleshenti Avdyl Zalla nuk mundi që të mbijetojë me gjithë ndërhyrjen e mjekëve si pasojë e plagëve të marra nga goditja me armë. Uniformat blu ngritën një grup pune, për të hetuar shkaqet e ngjarjes. U krye këqyrja e vendit të ngjarjes, ndërkohë që roja i objektit, i cili qëlloi ndaj 17-vjeçarit, u shoqërua në komisariat për t’u marrë në pyetje në lidhje me këtë rast. Agjentët sekuestruan disa gëzhoja si dhe armën e krimit me të cilën ndodhi vrasja. Sipas deklaratave të bëra nga roja i objektit me inicialet M.R., ai ka dyshuar se viktima ishte futur në fabrikë për të vjedhur. Ai i kishte bërë thirrje adoleshentit që të ndalonte, madje kishte qëlluar edhe në ajër për ta trembur, por ky i fundit nuk i ishte bindur. Më pas, ky kishte drejtuar armën, duke e qëlluar dhe duke e plagosur rëndë. Ndërkohë policia po vazhdon hetimet në lidhje me ngjarjen, deri në zbardhjen e plotë të rrethanave të saj.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›