E Diel, 1 Nëntor 2026

Durrës, ZRPP: 40 hektarë tokë të zëna nga ish-pushtetarë



Mbi 40 hektarë tokë bujqësore janë verifikuar zyrtarisht si të zëna me vila, pallate e lokale luksi në zonat bregdetare, por edhe ish-NB-ja, me pronarë ish-ministrat e ish-deputetët socialistë. Burime nga ZRPP dhe IMTB deklaruan dje për “standard” se “hektarë të tëra toke bujqësore në zonat bregdetare dhe ish-NB Durrës janë pushtuar, por edhe po pushtohen nga vila 3-4-katëshe, pallate, lokale e objekte luksi, me pronarë emra ish-ministrash, ish-deputetësh socialistë, që aktualisht mund të quhen vetëm ndërtime pa leje”. Por edhe hapësira të tjera po shfrytëzohen për të përvetësuar, veç truallit për ndërtime, edhe mijëra ton argjile për industrinë e çimentos dhe të ndërtimit nga grosistë me lidhje të ngushta biznesi me PS-në”. Shqetësimin për tjetërsimin dhe pushtimin e trojeve bujqësore, të tokave në bregdet, janë bërë të njohura nga Inspektorati i Mbrojtjes së Tokës Bujqësore në Durrës. Kjo strukturë e quajtur zyrtarisht si inspektorat, në një studim të kryer ka arritur të zbulojë emra ish-deputetësh dhe ish-ministrash, të cilët prej periudhës 1998-2005 kanë tjetërsuar me veprime antiligjore origjinën e dhjetëra e qindra hektarëve tokë bujqësore. IMTB është e vendosur të publikojë e të penalizojë subjekte dhe individë që u kanë shkaktuar dëmtime serioze tokave bujqësore.

Në shkallë qarku, Durrësi ka të regjistruar zyrtarisht 36 mijë ha tokë bujqësore, por dhjetëra hektarë figurojnë nën pronësinë e kupolës të Partisë Socialiste. Në këto sipërfaqe, vetëm gjatë vitit 2002-2005 është konstatuar se janë dëmtuar 25 ha tokë, pasi mbi të janë ndërtuar shtëpi banimi, vila, objekte luksi pa leje. Ndërsa para kësaj periudhe janë zënë qindra hektarë të tjerë, ku janë ndërtuar mijëra banesa pa leje, por që janë në proces legalizimi. Gjithashtu, rreth 4 ha tokë bujqësore po shfrytëzohet për nxjerrjen e lëndëve inerte dhe në 4 ha të tjerë, një subjekt ka ngritur prej vitesh biznes për nxjerrjen e argjiles për çimento. Ndërkohë edhe nga përmbytjet e stinës janë dëmtuar 300 ha tokë. Për të gjithë ata që kanë shkelur ligjin "Për mbrojtjen e tokës bujqësore" duhet të merren masa penalizuese, ku përfshijnë gjoba me vlerë 50 mijë deri në 500 mijë lekë, si dhe procedime penale në organin e akuzës.

Inspektorati i Mbrojtjes së Tokës në bashkëpunim me Policinë Pyjore, me Tatim-Taksat, Policinë e Rendit dhe pushtetin vendor do të nisin nga puna për zbatimin e masave administrative për shkelësit e ligjit. Shumë shpejt do të bëhen publikë edhe emra të kupolës socialiste, që figurojnë si pronarë me tapi në tokat bujqësore të NB-ve dhe ato në bregdetin durrsak.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›