E Shtunë, 31 Tetor 2026

Atdheu? Është toka e bijve

25-12-2010 / Nga Lavdrim Lita

Një gazetar shqiptar që punon në Kosovë ishte habitur tej mase nga reagimi patriotik i opinionit publik shqiptar ndaj raportit të Dik Martit. Ai gjykonte se kemi të bëjmë me një paradë patriotizmi që nuk vlen si argument për të bindur botën. Ai gjykonte gabim për mendimin tim. Gazetari shqiptar që punon në Kosovë merakoset më shumë se reagimi unison i opinionit publik shkakton më shumë pajtime sesa dyshime në sytë e Europës.
Mirëpo reagimi patriotik i opinionit publik dhe gjithë-politik shqiptar nuk niset për të bindur botën se këto akuza janë të pavërteta, por se bota përpara se të paragjykojë, të kuptojë dhe të vërtetojë çka thuhet në raportin e Dik Martin. Reagimi nuk do të ishte patriotik nëse akuzat do të ishin të fringo të reja, të panjohura kurrë më parë. Kurse në këtë rast, ne, kemi përballë një raport copy-paste të marra nga raporte të mëparshme, akuza të vjetra të nxjerra nga  shkrime të porositura posaçërisht për të baltosur luftën për liri dhe pavarësi të Kosovës.
Ka më shumë se një tentativë publicistike për të përdorur qëndrimin “ndryshe” nga opinioni publik shqiptar është një shkelje syri e qëllimshme një tjetër opinioni publik. Të dukesh i pavarur, indipendent në punët që bën nuk është të luftosh ndërgjegjen me llogari pëlqimi nga një kancelari fondesh.
***
Reagimi patriotik: gjërat qëndrojnë kështu: Etërit pa bijtë nuk janë etër. Dhe e njëjta gjë vlen për nënat pa fëmijë. Në fund të fundit është e thjeshtë. Megjithatë kur themi mëmëdheu mendojmë për një sërë gjërash të vjetra, mendojmë luftërat, flamuj, ligjërimet, retorikën nacionaliste, stema e medaljet, gjoksin e fryrë dhe trurin brenda, me të vërtetë kështu siç jemi gjendemi në mes të një verbërie kulturore, të një devijimi mendor. Një e metë që na mbron, megjithatë duhet ndryshuar, na bën të mbajmë gjërat me çdo çmim megjithatë duhet hedhur. Në koshin e historisë. Toka e baballarëve (dhe të nënave), atëherë, s’mund të jetë veç toka e fëmijëve. Toka që do të jetë nesër. Toka që do t’i mbes atij që do të vij nesër, prapa nesh. Kështu duhet të jetë. Duhet të ishte e drejtë të ishte kështu. Por kështu nuk është sepse ne nuk arrijmë të jemi patriot për veten tonë, por për të bindur me argumente botën për patriotizmin tonë. Ne arrijmë ta shikojmë tokët tonë përmes rrjetash merimange, pluhuri, nga ana e kujtime dhe nga historitë e luftës, nga monumentet e dëshmorëve, lapidarët, pra jemi mësuar ta shikojmë nga ana e vdekur dhe e gjallë, nga ana e nostalgjisë dhe jo e shpresës, të respektit dhe jo të guximit. Nga monumentet dhe jo nga urat. Nga e kaluara dhe jo nga e pritshmja.
Mirëpo etërit pa bijtë nuk ekzistojnë. Thjeshtë, është kështu. E vetmja mënyrë për të qenë patriotikë është të kemi në zemër më shumë fëmijët sesa baballarët. Sepse pa bijtë vetë fjala atdhe s’ka më kuptim pse ajo humb çdo vlerë. Atdheu ushqehet nga ide, nga ëndrra dhe shpresa. Atdheu si një tregim i përbashkët. Për ta shkruar se bashku. Atdheu si reagim ndaj të pavërtetës, si një shtysë drejt të vërtetës. Atdheu o është jetë ose s’është fare. Është jetë dhe pjellori.

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›