Jermi në kullën e Pezës mbylli transparencën e materialeve zgjedhore
Në një konferencë për shtyp kreu i opozitës Edi Rama nuk tha asgjë të mirë për shqiptarët në prag krishtlindjesh. I paepur, ai predikoi për herë të parafundit për këtë vit 2010 urrejtjen gati patologjike kundrejt kryeministrit Berisha. Ish-miku i Kadriovskit përdori një dozë masive akuze në vigjilje të Krishtlindjes. Në bashkëbisedimin e djeshëm me gazetarët çfarë nuk tha kundër seancës së para-fundit të parlamentit. Për kronikë korrekte Edi Rama tha “se kryeministri Sali Berisha nuk tha asgjë të mirë për shqiptarët në prag krishtlindjesh por sipas tij nxori vetëm broçkulla nga goja”. Nëse sipas sutakut tij të tjerët flasin broçkulla, ai nga goja e sapo mbjellë me dhëmbë të rinj 30 mijë euro nxjerr xhevahire.
Mirëpo për kronikë korrekte veç të shikosh se çfarë xhevahiresh nxori nga gjuha para-politike, ai tha se “dje (në seancë) nuk u zgjidh asgjë, por u vërtetua se Saliu ka vjedhur zgjedhjet, jo vetëm kërkon të vjedhë dhe zgjidhjet e ardhshme në këtë mënyrë, por u përcaktua dhe njëherë se vjedhja e zgjedhjeve është rrënja e të gjitha të këqijave që kanë ndodhur në vend”.
Padyshim avazi i kutive është kthyer në obsesionin më të madh jo vetëm politik, por edhe klinik të historisë së opozitës shqiptare. Asnjëherë më parë kutia s’ishte shndërruar në një idhujtari antidemokratike.
Kuptohet vetiu se në çdo vend ku shkon dhe në çdo moment që fle Edvin Rama kujton se është çasti i duhur për të propaganduar fort për hapjen e kutive, d.m.th veç të materialeve zgjedhore. Bile ka dyshime se do të vdesë nga marazi për kutitë sepse është një kërkesë që disa herë ligji i ka dhënë përgjigje. Së fundmi hapja e kutive në qarkun e Shkodrës konfirmoi se nuk ka pasur në asnjë rast manipulim të votave. Sigurisht Nard Ndoka ngeli me gisht në gojë. Ndonëse më i pezmatuari doli të ishte kryetari i Partisë Socialiste, i cili nuk ngurroi të delegjitimonte sjelljen e prokurorisë nëpërmjet baterisë së tij mediatike. Ndodh që alibia e kutisë së dyshimtë, së manipuluar dhe të tradhtuar nga komisionarët e majtë të ishte një bllof 18 mujor, që brenda pati protesta, greva urie dhe bllokime aksesh. Shumë angari për këtë popull që shpenzon shumë energji në rrugë pa krye.
Sidoqoftë për transparencë zgjedhore është kërkuar një komision hetimor parlamentar. Është kërkuar deri në ditën kur u hapën kutitë e Shkodrës, aty ku Rama kuptoi se ngritja e një komisioni hetimor do të fundoste përfundimisht jo vetëm politikisht. por edhe moralisht. Është bërë e lodhshme kauza e kutisë së Ramës. Prandaj as kërcënimet me protesta s’kanë më efekt në opinionin publik. Ato nulizohet sapo Edi Rama ndryshon taktikë. Opozita kërkonte hetimin e materialeve zgjedhore, drejtimin e komisionit prej opozitës, si dhe shumicën në vendimmarrje. Afërmendsh për të tre pikat u gjet konsensusi me maxhorancën, por Kryeministri Sali Berisha kërkoi një pikë të katërt ku të saktësohej hetimi sipas Kodit Zgjedhor dhe Gjykatës Kushtetuese. Në këtë kuadër opozitës i bëhet thirrje edhe për miratimin, në një kohë sa më të shpejtë, të ndryshimeve të Kodit Zgjedhor, në përputhje me rekomandimet e OSBE/ODIHR si dhe realizimin e zgjedhjeve të ardhshme vendore në përputhje me standardet evropiane dhe ato ndërkombëtare.
Sidoqoftë pas 11 orë debate opozita frenoi strategjinë e re të tre pikave dhe ri-propozoi variante të virusuara, siç janë CD që i dërgohen në drejtim të PS-së nga njerëz të mafies ballkanike .
Përtej kësaj ende nuk është e qartë nëse seanca e së Hënës do të jetë dita e zgjidhjes përfundimtare, por ka shumë mundësi që Edvin Rama të ketë hequr dorë përfundimisht. Të presim xhumanë e fundit të vitit për kuptuar fundin e një kauze të padrejtë.