Ati i Shenjtë, Papa Benedikti i XVI uron shqiptarët: Për shumë vjet Krishtlindjet!

- Berisha: Këto Krishtlindje i gjejnë qytetarët shqiptarë të lirë në BE
- Papa uron shqiptarët: Për shumë vjet Krishtlindjet!
- Besimtarët e krishterë në mbarë vendin kremtojnë Krishtlindjen
- Festa e Krishtlindjes, kryeministri Berisha uron besimtarët katolikë
Kryeministri i vendit Sali Berisha uroi sot të gjithë besimtarët katolikë dhe ortodoksë për ditën e lindjes së Krishtit. Me rastin e festës së Krishtlindjeve, kryeministri Berisha i shoqëruar nga bashkëshortja e tij, zonja Liri Berisha vizitoi dje, Kishën Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë, Katedralen e Shën Palit, si dhe Kishën Ungjillore (Protestante) në Tiranë, nga ku edhe përcolli urime të përzemërta për të gjithë besimtarët katolike dhe ortodokse. “Kjo ditë, u shpreh kryeministri, i bashkon njerëzit pavarësisht nga dallimet, nga besimet e ndryshme fetare, në nderimin e besimit, nderimin e shpresës, nderimin e të ardhmes”. Në urimet drejtuar besimtarëve të krishterë, ortodokse, të krishterëve ungjillore, por edhe të gjithë shqiptarëve, kryeministri Berisha shprehu kënaqësinë që ndante me ta, gëzimin e kësaj feste të bukur në historinë e njerëzimit, Ditës së Lindjes së Krishtit. Kryeministri shprehu kënaqësinë që këtë vit shqiptarët i festojnë krishtlindjet më të lirë dhe më me dinjitet se kurrë, në historinë e tyre, pasi ata mund të lëvizin lirshëm në mbarë Evropën, njësoj si të gjithë qytetarët e këtij kontinenti. “Vitin e kaluar e festuam si anëtarë të NATO-s, këtë vit si qytetarë që lëvizim të lirë në Europën. Jam i sigurt se vitet e tjera do na gjejnë më mirë”- u shpreh kryeministri Sali Berisha. Shefi i i ekzekutivit i kushtoi një urim të veçantë banorëve të zonave të përmbytura të Shkodrës dhe Nënshkodrës, “të cilët këtë vit kalojnë Krishtlindjet në rrethana të vështira”. “Edhe ata kanë një motiv për t’u gëzuar, në këtë Krishtlindje sepse nuk kemi pasur asnjë jetë të humbur, dhe ka një solidarizim vëllazëror nga mbarë bota”- tha kryeministri. Shefi i ekzekutivit e mbylli urimin duke “garantuar” qytetarët të prekur nga përmbytjet “se qeveria qëndron tërësisht fuqishëm në mbështetje të tyre”
Në Kishën Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë
Në Kishën Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë, Kryeministri Berisha u prit nga Hirësia e tij, Kryepeshkopi Anastas Janullatos, si dhe drejtues të tjerë të kësaj Kishe. Në urimin drejtuar besimtarëve ortodoksë, por dhe të gjithë besimtarëve të Zotit, kryeministri Berisha u shpreh se “është një kënaqësi e veçantë të ndaj gëzimin e kësaj dite, me të gjithë besimtarët e Krishterë, por dhe të gjithë besimtarët e Zotit, në festën më të bukur të njerëzimit. Krishtlindjet, dita e lindjes së Krishtit janë një nga historitë më të rëndësishme të qytetërimit perëndimor, ndaj dhe çdo besimtar nderon këtë ditë. Krishti mbret apo Zot, Muhameti Profet, Martin Luther në kontributin e tij, janë ndërtuesit e moralit njerëzor, ndaj dhe kjo ditë i bashkon njerëzit pavarësisht nga dallimet, nga besimet e ndryshme fetare, në nderimin e besimit, nderimin e shpresës, nderimin e të ardhmes. Por, ajo çka është e veçantë, që ky besim tek Zoti, ky besim i madh tek e ardhmja, bën që shqiptarët të festojnë çdo vit e më mirë, Krishtlindjet. Vitin e kaluar festuam krishtlindjet si një vend anëtar i NATO-s. Këtë vit i festojmë Krishtlindjet si qytetarë që lëvizin të lirë në mbarë Evropën. Pra jam i sigurte se krishtlindjet e tjera, më mirë do të na gjejnë. Një urim të veçantë, kam këtë vit, për qytetarët e Shkodrës, nën Shkodrës dhe zonave të tjera të përmbytura, të cilët kremtojnë këtë ditë të madhe, në rrethana shumë të vështira. Por sërish dhe ata dhe të gjitha shqiptarët kanë një motiv për tu gëzuar në këtë Krishtlindje sepse nuk kemi patur as edhe një jetë të humbur. Ka patur dhe ka disa fëmijë të lindur, në kushte të vështira, por janë shëndoshë e mirë dhe ka një solidarizim vëllazëror nga mbarë shqiptarët, por dhe nga bota, gjë për të cilën i falënderoj shumë përzemërsisht dhe i garantoj se qeveria qëndron tërësisht dhe fuqishëm në mbështetje të tyre”- përfundoi urimin e tij kryeministri Berisha.
Në Vëllazërinë Ungjillore Shqiptare
Kryeministri Berisha vijoi vizitën e tij, në Vëllazërinë Ungjillore Shqiptare, ku u prit nga presidenti i kësaj Vëllazërie Fitor Muça. Duke shprehur nderimin për veprën e ungjillorëve shqiptarë, të cilët me përpjekjen dhe përkushtimin e tyre japin një kontribut të rëndësishëm, në pasurinë shpirtërore të shqiptarëve, kryeministri Berisha përcolli urimet më të përzemërta ungjillorëve shqiptarë, në këtë ditë të madhe për ta, por edhe për të gjithë besimtarët e Zotit, për mbarë njerëzimin. “Dua të shpreh nderimin tim më të madh për veprën e tyre, përpjekjen, përkushtimin dhe kënaqësinë që sot, këta janë të pranishëm, në mbarë vendin dhe në përkushtim të madh japin një kontribut në pasurinë shpirtërore të shqiptarëve. Tre javë më parë, në Shqipëri u emërua Rabin. Po këto javët e fundit është firmosur marrëveshja midis shtetit dhe ungjillorëve. Pra, një spektër i gjerë besimesh po lulëzon në shpirtin e këtij kombi. Besimet janë gurra që e ushqejnë dhe pasurojnë atë, më shumë se çdo gjë tjetër. Theksoj edhe njëherë se Zoti, lisat, pemët, i ka bërë me degë. Sa më shumë degë të kenë, aq më të fuqishme janë. Një lis pa degë është një lis pa jetë. Ndaj dhe unë dua të shpreh nderimin tim të madh për ungjillorët shqiptarë, për themeluesit e protestantizmit, Martin Lutherin, reformatorin më të madh të njerëzimit në të gjitha kohërat, njeriu që për besimin e tij nuk u tërhoq para asgjëje, i bindur se ky ishte një kontribut i madh për vlerat hyjnore dhe njerëzore, të njeriut”- vijoi kryeministri Berisha.
Në Katedralen e Shën Palit në Tiranë
Në përfundim të vizitave për festën e Krishtlindjeve, kryeministri Berisha u ndal në Katedralen e Shën Palit në Tiranë, ku u prit nga Arqipeshkvi Metropolit i Tiranës dhe Durrësit, Imzot Rrok Mirdita. Duke iu uruar këtë ditë të bekuar, të gjithë besimtarëve katolikë, por edhe të gjithë besimtarëve të Zotit, kryeministri u shpreh se “është gëzim dhe kënaqësi të uroj sot të gjithë besimtarët katolikë, besimtarët e krishterë, besimtarët e Zotit, në këtë ditë të madhe, në festën më të bukur të njerëzimit, ditën e lindjes së Krishtit, ditë që frymëzon njeriun me besimin më të madh tek zoti dhe tek e ardhmja. Por është gjithashtu një moment i veçantë për të shprehur mirënjohjen më të thellë, ndaj të gjithë atyre punonjësve, zyrtarëve, qytetarëve të këtij vendi, që me përkushtimin e tyre të madh bënë të mundur që këto Krishtlindje ti festojmë me dinjitet më të madh se kurrë, me lirinë më të madhe se kurrë, në historinë tonë”- tha kryeministri Berisha. Duke shtuar se kjo Krishtlindje i gjen shqiptarët më të lirë se kurrë, një mirënjohje të thellë, kryeministri iu shprehu kombeve dhe qeverive të vendeve anëtare të zonës së “Schengen”-it, që me vendimin e tyre për heqjen e vizave, iu bënë shqiptarëve kartolinën dhe urimin më të bukur, për Krishtlindje dhe vitin e Ri. “Gëzuar të gjithëve këtë ditë të bekuar, këtë ditë të madhe, ditën e Lindjes së Krishtit, Hyut që ndriçoi mendjen dhe shpirtin e njeriut dhe njerëzimit dhe që me sakrificën e tij sublime u shndërrua në vlera madhore hyjnore dhe tokësore të moralit njerëzor”- përfundoi urimet e tij me rastin e festës së Krishtlindjes, kryeministri i vendit Sali Berisha.
Ati i Shenjtë, Papa Benedikti i XVI uron shqiptarët: Për shumë vjet Krishtlindjet!
Papa Benedikti i XVI i ka uruar besimtarëve katolikë në mbarë botën festën e Krishtlindjes. Papa ka dhënë sot në orët e para të mëngjesit mesazhin e urimeve në 65 gjuhë të Botës, përfshi këtu edhe gjuhën shqipe. Papa u lut për më shumë paqe dhe harmoni, ndërsa inkurajoi popujt në zonat e konflikteve dhe diktatoriale, t’i rezistojnë persekutimit
“Për shumë vjet Krishtlindjet”! Ky është urimi që iu vjen shqiptarëve për festën e Krishtlindjeve nga Papa Bendedikti XVI, i bërë gjatë Meshës së Shenjtë të Krishtlindjeve në Vatikan. Papa Benedikti ka uruar popujt e botës në 65 gjuhë, mes të cilave edhe në gjuhën shqipe, për festën e Krishtlindjeve. “Gëzuar për shumë vjet Krishtlindjet!”, uroi Papa nga ballkoni i Bazilikës gjithë besimtarët shqiptarë me rastin e Krishtlindjeve. Në meshën e njohur si ‘Urbi et Orbi” të zhvilluar në sheshin Shën Pjetër në Vatikan, Papa Benedikti ka lëshuar mesazhe për paqen dhe humanizmin. Në mesazhin e tij Papa iu drejtua besimtarëve duke iu thënë se Zoti është më pranë njerëzve. “Kjo është festa e njerëzisë dhe afërsisë e zotit më shumë më njeriun. Krishtlindjet janë rruga e dritës për të ecur përpara pa dallim feje anë e mbanë botës”- ka thënë papa në mesazhin e tij. Papa ka bërë thirrje për paqe dhe shpresë në gjithë botën. “Paqja duhet të mbizotërojë mes të gjithëve”- deklaroi Papa mesazhin e tij. Papa nënvizoi se duhet të mbrohen të drejtat e njeriut. “Le të ndriçohemi të gjithë nga të gjitha nga drita e zotit”- iu drejtua Papa mijërave besimtarëve. Papa tha se nuk duhet të harrojmë ata që kanë nevojë për ne. Ati i Shenjtë inkurajon popullin e krishterë që t’i rezistojë persekutimit diktatorial/Papa Benedikti i XVI ka shprehur shpresën për paqe në zonat e konfliktit, përfshirë Lindjen e Mesme. Në fjalimin e tij me rastin e Krishtlindjeve, të drejtuar prej ballkonit në bazilikën e Shën Pjetrit në Vatikan, ai u lut për paqe në vendin e lindjes së Krishtit, si dhe në të gjithë botën, duke inkurajuar gjithashtu komunitetet e krishtera në Irak dhe në Kinën komuniste, t’i rezistojnë persekutimit. Papa tha se shpreson që drita e Krishtlindjeve të ripërtërihet në tokën ku lindi Jezusi dhe t’i ndihmojë izraelitët dhe palestinezët drejt një bashkëjetese në paqe. Këtë vit në mesazhin e Papës u përmendën disa nga zonat më problematike të botës. Papa Benedikti bëri një lutje për lehtësimin e vuajtjeve të komuniteteve të krishtera që persekutohen në Irak dhe në pjesë të tjera të Lindjes së Mesme. Ai u lut për katolikët në Kinë, për vuajtjet e atyre vendeve që janë goditur nga katastrofa natyrore në Amerikën Latine. Krishtlindjet, rreth 90 mijë besimtarë vizitojnë Betlehemin/Rreth 90 mijë besimtarë vizitojnë në vigjiljen e Krishtlindjes, Betlehemin. Mijëra turistë u mblodhën dje në qytetin e lindjes së Jezusit ku festuan lindjen e Krishtit. Pelegrinët u mblodhën pikërisht në kishën “Lindja e Krishtit”, të cilën të krishterët e konsiderojnë si vendi ku lindi Jezusi 2000 vjet më parë. Ndërkohë janë marrë masa nga autoritetet e sigurisë së Palestinës, të cilët janë vendosur përreth turistëve për të shmangur çdo incident të mundshëm. Ashtu siç e do dhe tradita, në mesnatë do të mbahet mesha e shenjtë, moment që për besimtarët dhe banorët e Betlehemit shënon kulmin e festës. Bëhet e ditur se numri i vizitorëve në qytet është rritur në krahasim me vitin e kaluar. Gjithashtu, Papa Benedikti i 16 i ka bërë thirrje besimtareve të kujtojnë lindjen e Krishtit dhe rëndësinë që ka kjo festë për mbarë botën.
Festa e Krishtlindjes
Mijëra besimtarë në vendin tonë festojnë sot Krishlindjen, festën më të madhe dhe më të rëndesishme të krishterimit. Meshat kane filluar që dje në mesnatë në mjaft qytete të vendit ku besimtaret katolikë i janë bashkuar festës së madhe, kremtimit të lindjes së Krishtit, ndërsa në të gdhirë të mëngjesit të sotëm, shqiptarët e besimit ortodoks ndoqën meshën dhe ndezën qirinj në Kishën Autoqefale. Me qirinj ndër duar, duke u lutur për paqe dhe gëzim, qetësi dhe dashuri, besimtarët e krishterë kanë kryer ritet fetare rreth mesnatës në një atmosferë festive. Ceremonia kryesore është zhvilluar ne Katedralen e Shën Palit në Tiranë, ku kanë qënë të pranishëm krahas qytetarëve të shumtë dhe politikanë. Imzot Rrok Mirdita drejtoi meshën duke u uruar besimtarëve shume dashuri dhe paqe. Mesha nisi me këndimin e liturgjive, pjesë nga Bibla. Imzot Rrok Mirdita u bëri thirrje besimtareve të udhëhiqen nga mirësia dhe drejtësia. Imzot Rrok Mirdita theksoi se “në Botë mungon paqja, por udha e paqes është udha e dashurisë. Në marrdhëniet me të tjetërt gjejmë veten”, u tha Imzot Rrok Mirdita, besimtarëve. Dita e Krishtlindjeve, tha kreu i Konferencës Ipeshkvnore, Rrok Mirdita, “na kujton të gjithëve se sa të nevojshme janë falja, pajtimi dhe mëshira”. Me qirinj ndër, duar duke u lutur për paqe dhe gëzim, qetësi dhe dashuri, besimtarët e krishterë kanë kryer ritet fetare rreth mesnatës në një atmosferë festive. Ndërsa në orët e para të mëngjesit të sotëm, Kryepeshkopi i Tiranës, Durrësit dhe i gjithë Shqipërisë, Hirësia e Tij Anastas Janullatos, në meshën e mbajtur iu drejtua besimtarëve me urimin për të qenë më të dashur me njëri-tjetrin si dhe të respektojmë çdo formë njerëzore. Përgjatë ditës së sotme, pritet gjithashtu që të ketë të tjera ceremoni festive, ndërsa krerët e shtetit shqiptar të zhvillojnë vizita ne katedralen e Shën Palit dhe në Kishën Ortodokse në Tiranë, për të përcjelle urimet e tyre për besimtaret katolikë dhe ata ortodoksë. 25 dhjetori, dita e shënuar e lindjes së Jezu Krishtit, që kremtohet në gjithë botën si dita e shpresës, paqes dhe dashurisë njerëzore, edhe në Shqipëri, mbas viteve ’90 kur u lejua besimi fetar, krijoi traditën e saj duke u shënuar krahas festave të tjera tradicionale në kalendarin e vitit.
...