E Diel, 1 Nëntor 2026

Veç diktatura hetonte lirisht, vetëm mbi dyshime

25-12-2010 / Nga Luan Myftiu

“Kur nuk ka prova, nuk duhen shfaqur dyshíme” - ka thënë një mendimtar i shquar. Vetëm mendjet e sëmura nuk besojnë në asgjë. “Të mendosh, keq është gati si të veprosh keq” - këshillon feja. Edukuar nga diktatura, Edvin Rama vuan nga sindromi i dyshimit. 
Si manipulator, thuajse çdo hetues i “Sigurimit” ka lënguar nga obsesioni i dyshimit. Diktaturat dënonin të pafajshmit vetëm mbi hamendësime. Tiranive nuk u duhen as prova, as fakte. Vetëm me dyshime ato realizonin dënimin e çdo armiku imagjinar. Gati të gjithë hetuesit e diktaturës kanë përdorur dyshimin, që të “vërtetonin” akuzat false.  Meqë u duhej të sajonin armiq imagjinarë, u mjaftonte dyshimi për të “vërtetuar” fajësítë e paqena. Këta xhelatë përligjnin, madjé dhe asgjësímet fizike të kundërshtarëve vetëm duke u bazuar mbi supozime. Bile, ata i detyronin të “pandehurit” të sajonin vetë fajësítë. Mjerë kush guxoi t’u kërkonte shkakun e arrestimit! Xhelatët nxirrnin pohime të rreme edhe nga të pafajshmit, që dënonin pa shkak me vdekje. Të gjitha këto u duheshin përfaqësuesve të “drejtësísë së dajakut” për të “justifikuar” dënimet ndaj njerëzve, të cilët as që kishin menduar të kryenin vepra të dënueshme. “Misionarët” e drejtësísë propagandistike “popullore”, nuk i hante meraku për të nxjerrë një pohim të vërtetë, ndaj dhe i deklaronin viktimës se atyre nuk u duhej ç’kishte bërë ajo në të vërtetë. Kështu, kur një i “pandehur” guxonte t’i thoshte hetuesit se ç’vepër armiqësore kish kryer që po e arrestonin, ky, i kënaqur, i gjegjej: “Pse, kur të bësh ti ndonjë “proçkë, do të të vëmë ne hekurat në duar?!”. Të gjithë përfaqësuesve të padrejtësísë komuniste u mjaftonte vetëm dyshimi për të dënuar këdo. Se, si mund të shpjegohet mbushja e burgjeve me të pafajshëm? Nga se buronte tërë ajo egërsi prej bishe te këta hetues mizorë, nëse nuk ushqehej nga dyshimi? Apo mos vallë fjalimet prej terroristi të Enver Hoxhës u “qetësonin” xhelatëve sadopak ndërgjegjet e sakatuara? Se, si mund të përballohej tërë ajo ngarkesë psikologjike, sajuar nga sadizmi ndaj pafajësisë? Jo! Hetuesit komunistë, që e bënë astmatike Shqipërínë, kanë qenë të sëmurë nga obsesioni i dyshimit, ashtu si dhe vetë “ustai” i tyre skizofren. Se diktatura e vërtetoi katërcipërisht çmendurinë e saj, kur dhe shumë nga krerët e xhelatëve të saj i dënoi “për shpërdorim detyre”. (!)    
Ndaj kjo metodë paradoksale gjykimi, kjo “drejtësí” çnjerëzore dhe qesharake, ky obsesion prej të marri është sëmundja, nga e cila lëngon sot edhe ambiciozi mëkatar Edvin Rama. Ky karrierist i paskrupullt, që po vuan mëkatin e shkeljes së statutit të partisë (duke mbajtur me të padrejtë postin e kryetarit, kur humbi zgjedhjet ! ), meqë iu “dogj” alibia për vjedhjen dhe manipulimin e votave, kërkon të hetohet sot për to, jo mbi bazën e fakteve, a provave, por vetëm mbi dyshime, hamendësíme, a mbi fiksime. Se nuk mund të pranojë ambicia për pushtet e një ëndërrimtari haluçinant, që zgjedhjet e shpallura prej tij si të vjedhura, të dalin të drejta, të ndershme dhe brenda standardeve kryesore europiane. Për mendjen e gjymtuar të një të sëmuri nga sindromi i dyshimit ato duhet të jenë doemos të vjedhura, të manipuluara, të grabitura dhe të shtrembëruara nga njerëz të shitur e të blerë. Dhe, në mos pastë të tillë, ata duhen sajuar. Ashtu si hetuesit e diktaturës, të cilët me një urrejtje patologjike i suleshin viktimës të pranonte fajësí të paqena, madje të poshtëronte veten, ashtu Rama nuk llogarit precedentin e rrezikshëm që krijohet nga hetimi i zgjedhjeve mbi bazë dyshimesh. Hetuesit e diktaturës nuk shqetësoheshin për shkatërrimin e dinjitetit të kombit, a për shembjen e çdo parimi të drejtësísë. 
Por, ndërsa metoda e hetimit mbi dyshime i duhej diktaturës për të “justifikuar”  mungesën totale të drejtësísë, për demokracisë ky lloj hetimi është i pafalshëm, madje i dënueshëm. Sepse drejtësía e vërtetë mbron me shenjtëri të pafajshmin, ashtu siç dënon pa ekuivok çdo fajtor, të akuzuar me prova dhe fakte.
Hetimi mbi bazën e dyshimeve do të bënte që çdo lloj zgjedhjesh të kontestoheshin si të manipuluara. Kjo do të asgjësonte pavarësínë e organeve juridike, sidomos ato të ngarkuara për zgjedhjet; do të fyente dinjitetin e votuesve dhe do të dëmtonte imazhin e vendit para botës. Mirëpo Ramës me shokë u intereson një amoralitet i tillë, sepse janë bindur që elektorati i tyre nuk është me ta dhe se vetëm dyshimi për zgjedhjet do t’u shtynte dhe ca kohë qëndrimin në krye të partisë. Hetimin mbi bazën e dyshimit Rama dhe neobllokmenët e përligjin me autoritetin e lartë të parlamentit, nga i cili ka dalë vetë gjyqësori. Por edhe prindërit që e kanë lindur fëmijën, nuk kanë të drejtë t’i nëpërkëmbin atij lirínë dhe pavarësínë. 
Prandaj është e sigurtë që “skllevërit”, të cilët vuajtën mashtrimet skandaloze të diktaturës dhe manipulimet e saj primitive, nuk kanë për të rënë pré e ambicieve të sëmura të neobllokmenëve, këtyre mëkatarëve, që shtiren si kampionë të demokracisë dhe si avoketër të shenjtërimit të votës së lirë! Ndoshta për të tillë manipulatorë  Shekspiri ka thënë: “Dyshimi mundon mendjet fajtore!”.
Po le të shpresojmë që e majta të reflektojë për dëmet e mëdha, që i ka sjellë vendit me mungesën e vullnetit politik për zgjidhjen e ngërçit, që ka sajuar vetë!

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›