Atëherë, cilët kanë të drejtë?
Kështu, ndërsa brezat vijnë e shkojnë e vijnë, shoqëria i ngjan një shoshe që shkundet pandërprerje, shoshit. Në të pak mbeten, sepse shumica bie poshtë duke u bashkuar me të zakonshmen, të mirën, e cila ndjehet vetëm atëherë kur mungon. Kjo shoshë bëhet mjet përzgjedhjeje a refuzimi, varet se nga cila anë shihet; kush mbetet sipër e krahason veten me arin; ata që bien poshtë me miellin. Ata lart i quajnë të poshtmit rërë, pa vlerë; ndërsa këta thonë se të sipërmit janë mbetje, zhavor, krunde. Dhe ky lloj vlerësimi, i natyrshëm për njeriun si qenie që gjithmonë çmon vetveten, bëhet pikënisje drejt pasurimit për të dyja shtresat.
Në periudhë ndryshimi sistemesh, shtresat përzihen. Ata që shtien në dorë poste politike, shoqërore, akademike, ose marrin në pronësim toka a biznese, përbëjnë aristokracinë e re, dhe fillimisht jo të gjithë i përkasin brezit a shtresës deri dje të shtypur. Kësaj aristokracie të re shpesh i mungon ndjenja e përgjegjshmërisë shoqërore, që në raste të një aristokracie të konsoliduar, shprehet me vepra bamirëse, ku njeriu që merr kujtohet edhe të japë. Qëllimi kryesor i aristokracisë në hapat e parë është fitimi, me çdo mënyrë e mjet. Ajo është e ashpër, e paformuar, sepse ende vuan nga traumat e urisë dhe etjes së dikurshme.
Nga cila shtresë vjen e keqja? Përgjigja, sigurisht, varet nga ç’anë e shoshës e shohin veten njerëzit. Një grup thotë se e keqja vjen nga shtresa e ulët; padituria, veset dhe pakënaqësitë shoqërore rrjedhin nga kjo klasë, e cila, sipas tyre, ngjan me turmën që vërshon tatëpjetës, duke u përhapur në fushat e jetës për mbjelljen e farës së anarkisë. Pala tjetër thotë se e keqja vjen nga krenaria e tepërt, mendjemadhësia e ushqyer nga privilegjet dhe tirania e pushtetit në duart e një pakice, që gjithnjë pasurohet. Dhe këta që mendojnë kështu, nuk janë pak dhe e thonë këtë nga përvoja si viktima gjatë periudhës së luftës së klasave.
Astrit LULUSHI
Për 45 vjet(1945 - 1990) të mbyllur e të shtypur, shqiptarët jetuan periudhën e urisë materiale dhe etjes shpirtërore. Uria dhe etja, kur nuk shuhen, konsumojnë njëra-tjetrën, derisa e bëjnë të kotë ekzistencën e qenies njerëzore, duke e shndërruar atë thjesht në qenie bilogjike. Ishte koha kur në qytete edhe ai që kishte një biçikletë, e shihte tjetrin nga lart poshtë, ndërsa në fshat, kush kishte gomar, shihte me qësendi bashkëfshatarin e ngarkuar. Këto janë vetëm spica në karaktere, ndryshe nga pykat që rëndojnë mbi krimet e rënda të asaj periudhe, krime që nuk harrohen nga përjetuesit dhe të tjerë.
Kur në mendje nuk rijetohen, gjërat e vogla ushqehen, rriten e bëhen të rrezikshme. Kur nuk kujtohen, ato i ngjajnë objektit që papritmas zhduket, duke kaluar përpara zonës së pandjeshme nga drita në retinën e syrit të verbër; ato zhduken, sikur kurrë nuk kanë ekzistuar. Kur hollësitë, qoftë edhe më të vogla, nuk mendohen a nuk kujtohen, njeriu i ngjan shoferit që harron të kthejë kokën pas, për të shmangur rrezikun e mundshëm, sa here që bëhet gati të ndërrojë korsinë.
Koha nën diktaturë nuk bënte asnjë dallimi mes fatkeqëve të uritur që përbënin masat, të cilat shtypeshin nga një klasë e lartë. Dhe, ndërsa shtresat janë të përhershme, individët që i përbëjnë ato ndryshojnë vazhdimisht klasat, sepse personat që rrjedhin nga familje të pasura a me pushtet, nuk është e thënë se të gjithë do të trashëgojnë pasuri a pozitë.
Kështu, ndërsa brezat vijnë e shkojnë e vijnë, shoqëria i ngjan një shoshe që shkundet pandërprerje, shoshit. Në të pak mbeten, sepse shumica bie poshtë duke u bashkuar me të zakonshmen, të mirën, e cila ndjehet vetëm atëherë kur mungon.
Kjo shoshë bëhet mjet përzgjedhjeje a refuzimi, varet se nga cila anë shihet; kush mbetet sipër e krahason veten me arin; ata që bien poshtë me miellin. Ata lart i quajnë të poshtmit rërë, pa vlerë; ndërsa këta thonë se të sipërmit janë mbetje, zhavor, krunde.
Dhe ky lloj vlerësimi, i natyrshëm për njeriun si qenie që gjithmonë çmon vetveten, bëhet pikënisje drejt pasurimit për të dyja shtresat.
* * *
Në periudhë ndryshimi sistemesh, shtresat përzihen.
Ata që shtien në dorë poste politike, shoqërore, akademike, ose marrin në pronësim toka a biznese, përbëjnë aristokracinë e re, dhe fillimisht jo të gjithë i përkasin brezit a shtresës deri dje të shtypur.
Kësaj aristokracie të re shpesh i mungon ndjenja e përgjegjshmërisë shoqërore që, në raste të një aristokracie të konsoliduar, shprehet me vepra bamirëse, ku njeriu që merr kujtohet edhe të japë.
Qëllimi kryesor i aristokracisë në hapat e parë është fitimi, fitimi me çdo mënyrë e mjet. Ajo është e ashpër, e paformuar, sepse ende vuan nga traumat e urisë dhe të etjes së dikurshme.
Më 1990, kur problemit (daljes nga diktatura) iu hap rruga, sjellja e njerëzve nuk mund të pritej të ishte ndryshe. Si i urituri që bie në ushqim dhe fillon të grumbullojë rreth vetes me fanatizëm çdo kothere buke, ashtu edhe shtresa e njerëzve të zakonshëm, shumica e së cilës deri atëherë nuk dinte se ç’ishte prona a pasuria, nisi të grumbullonte rreth vetes gjithçka me vlerë a pavlerë, mjaft ta quante të vetën. Uria dhe etja e provuar kishte qenë e paskajshme; i pangopur u bë, e vazhdon të jetë, emri i tij i dytë.
Por hiq mënjëanë përvojën e jetuar gjatë periudhës së luftës së klasave. Veçoje, të paktën tani për tani, por mos e harro, dhe pastaj shtro pyetjen: Nga cila shtresë vjen e keqja? Përgjigja, sigurisht, varet nga ç’anë e shoshës e shohin veten njerëzit. Një grup thotë se e keqja vjen nga shtresa e ulët; padituria, veset dhe pakënaqësitë shoqërore rrjedhin nga kjo klasë, e cila, sipas tyre, ngjan me turmën që vërshon tatëpjetës, duke u përhapur në fushat e jetës për mbjelljen e farës së anarkisë.
Pala tjetër thotë se e keqja vjen nga krenaria e tepërt, mendjemadhësia e ushqyer nga privilegjet dhe tirania e pushtetit në duart e një pakice, që gjithnjë pasurohet. Dhe këta që mendojnë kështu, nuk janë pak dhe e thonë këtë nga përvoja si viktima gjatë periudhës së luftës së klasave.
* * *
Atëherë, cilët kanë të drejtë?
Pyetje e vështirë pa ekzistencën e një shtrese të mesme që, si në ekonomi edhe në shoqëri e politikë, do të zbuste fërkimin midis dy shtresave.
E mesmja do të arsyetonte se të dyja palët kanë të drejtë, por vetëm pjesërisht, sepse në përgjithësi të dyja e kanë gabim, pasi rreziku vjen nga individë, pavarësisht se cilës shtrese i përkasin. A nuk ishte udhëheqja e Shqipërisë, pas Luftës së Dytë Botërore, një përzierje individësh nga shtresa të ndryshme?
Mes tyre kishte me prejardhje fshatare, zejtare, punëtore, latifondiste, tregtare, intelektuale, të pasur, të mesëm, të varfër, të rinj, mesatarë, të moshuar.
Do të ishte e padrejtë që këto shtresa, breza a grupmosha, të fajësoheshin për ato që i ndodhën Shqipërisë gjatë dekadave nën diktaturë, kur në fakt faji u takon disa individëve, që u përzien me njëri-tjetrin, secili për ego, kundër çdo interesi të shtresave nga vinin, aspak në përputhje me ligjet shoqërorë apo të natyrës njerëzore.
Kështu, këta individë u ndodhën përpara asaj që e krijuan vetë: një klase hibride, e pamundur të konsolidohej, prandaj u bë dhe mbeti përbindëshe, e frikëshme, mizore, vetëngrënëse.
22 Qershor 2009